Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa vuri gurthemelin e Klinikës së re Emergjente

15 Korrik, 2016

Prishtinë, 15 korrik 2016

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vënë gurthemelin e ndërtimit të objektit të ri të Klinikës Emergjente në Prishtinë. I shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani dhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj, kryeministri Mustafa ka vlerësuar se kjo Klinikë pritet të plotësoj nevojat e qytetarëve.

“Sot, ne po e shënojmë në mënyrë simbolike fillimin e punimeve në këtë klinikë të parë emergjente, të re, e cila është e kapaciteteve shumë të mëdha, e cila është e ideuar në mënyrën më moderne, dhe e cila do të plotësoj nevojat e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Është investim i madh, mbi 8 milionë euro që planifikohet të përfundoj brenda tri viteve, dhe një shpresë e madhe se qytetarëve të Kosovës do t’iu ofrohen shërbime cilësore dhe shërbime të nivelit evropian shëndetësor”, tha Mustafa.

Me këtë rast, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që t’i jepet gjithmonë prioritet shëndetësisë.

“Unë dëshiroj që t’iu uroj për këtë investim të gjithë juve si dhe të shpreh përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që shëndetësisë dhe shëndetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës t’i japim prioritetin që e meriton. Është një prioritet shumë i lartë, dhe po ashtu që në të ardhmen të punojmë bashkërisht në mënyrë që të përmirësojmë infrastrukturën jo vetëm të objekteve, por edhe pozitën e punonjësve të shëndetësisë si dhe pozitën shëndetësore të qytetarëve tanë”, tha kryeministri Mustafa.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka potencuar se shërbimet e kësaj klinike do të plotësojnë deficitin infrastrukturor që ka Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

“Zhvillimi i emergjencës dhe shërbimeve emergjente në Kosovë është një domosdoshmëri dhe mu për këtë së bashku edhe me Komisionin Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale po punojmë në finalizimin e Ligjit për Emergjencë, i cili ka pësuar disa ndryshime thelbësore dhe do të fokusoj zhvillimin e shërbimeve emergjente para spitalore”, tha ministri Rrahmani.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj, shprehu bindjen se klinika e re do të përmirësoj shërbimet për të gjithë qytetarët.

“Ndërtimi i objektit të ri të shërbimit emergjent me sipërfaqe dhe hapësira moderne do të krijoj lehtësi për profesionistët shëndetësorë që ofrojnë shërbime shëndetësore, por në të njëjtën kohë edhe për pacientët që do të kenë mundësi të marrin shërbime më kualitative, meqë përveç objektit të ri parashihen edhe investime në aparaturë moderne mjekësore dhe trajnim të stafit”, theksoi Gjocaj.

Last modified: 15 Korrik, 2016

Comments are closed.

×