Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa vizitoi Agjencinë Kosovare të Privatizimit

1 Qershor, 2016

Prishtinë, 1 qershor 2016

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa vizitoi Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ku u prit nga drejtori i Bordit, Petrit Gashi dhe drejtuesit e tjerë të bordit dhe menaxhmentit.

Kryeministri Mustafa përgëzoi menaxhmentin e ri të AKP-së i cili sot ka filluar punën si dhe Bordin për punën e deritashme.

Kryeministri Mustafa tha po ashtu se gjatë gjashtë muajve është bërë një punë mjaft mirë, e mbështetur në ligj.

“Atë që e kërkuam nga Bordi, është që të zbatohet ligji në përpikëri gjatë të gjitha proceseve që do t’i zbatojë AKP-ja dhe atyre që kanë mbetur, si dhe proceseve të ardhshme. Qeveria në asnjë rast nuk do të përzihet në punën e Agjencionit, sepse është një agjencion i pavarur, i cili e bartë përgjegjësinë e plotë për punë, por do ta mbështesim krejtësisht në kërkesat që mund t’i ketë Agjencioni prej nesh sa i përket ndryshimeve dhe plotësimeve të ligjit dhe infrastrukturës tjetër, që duhet t’i bëjnë përmes Parlamentit të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri.  

Kryeministri Isa Mustafa shprehu gjithashtu interesimin që të bëhet një plan në të cilin do të shihet se si do të përmbyllet puna e Agjencionit pas përfundimit të të gjitha çështjeve në fushëveprim të Agjencionit dhe si mund të bëhet shfrytëzimi më i mirë i mjeteve që janë në mirëbesim për zhvillim ekonomik, mirëpo duke mos i rrezikuar fare ato mjete.

“Biseduam gjithashtu edhe për zgjidhjen e çështjes së “Trepçës”, sepse është një punë që po bëhet bashkërisht me Agjencionin e që e shohim si interes të përgjithshëm për vendin, por, diskutuam edhe për çështje të tjera që po shtrohen në opinion. Unë mendoj se është një situatë e re që mund të shfrytëzohet. Është një vullnet që të punohet bashkërisht. Është bërë një punë e mrekullueshme sa i përket lirimit të pronave të uzurpuara, të cilat kryesisht kanë qenë të blera nga bashkatdhetarët tanë jashtë dhe blerësit tjerë, por tash u është dhënë mundësia që t’i marrin dhe t’i përdorin asetet që i kanë blerë më parë dhe t’i vejnë në shfrytëzim”, tha kryeministri Mustafa.

Kryesuesi i Bordit të AKP-së, Petrit Gashi, tha se gjatë takimit me kryeministrin është diskutuar për proceset të cilat janë duke u zhvilluar gjatë gjashtë muajve të kaluar.

“Gjithashtu diskutuam për sfidat, për punët e përbashkëta që kemi, për një numër çështjesh që ne si Agjenci duhet koordinuar me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që sa më shpejt ta përmbyllim procesin e privatizimit”, tha Gashi.

Më tutje, kryeministri Isa Mustafa dhe kryesuesi i Bordit të AKP-së, Petrit Gashi janë përgjigjur në interesimin e gazetarëve për një varg procesesh që lidhen me AKP-në dhe zhvillime të tjera ekonomike. 

Last modified: 1 Qershor, 2016

Comments are closed.

×