Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Viti 2016, vit i tërheqjes së investimeve të huaja në Kosovë

24 Dhjetor, 2015

Prishtinë, 24 dhjetor 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë të enjten në një mëngjes pune të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK).
Para përfaqësuesve të bizneseve, kryeministri Isa Mustafa e quajti këtë takim një mundësi shumë të mirë për hapjen e çështjeve të rëndësishme të bizneseve, për të cilat Qeveria do të punojë gjatë vitit të ardhshëm, edhe në vitet në vazhdim.
“Ne kemi bërë përpjekje gjatë këtij viti që të krijojmë ura të komunikimit me bizneset, me asociacionet e bizneseve, në mënyrë që të marrim inputet rreth kërkesave të tyre dhe krijimit të një rrethine ekonomike që është më e përshtatshme për biznese. Në programin qeverisës i kemi dhënë përparësi zhvillimit ekonomik, që nënkupton të gjitha reformave ekonomike që ne duhet t’i bëjmë, në mënyrë që ta bëjmë më atraktive rrethinën ekonomike tek ne edhe reformave fiskale, ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve të tjera që rregullojë marrëdhëniet ekonomike në vendin tonë dhe reformave që kanë të bëjnë me importin, me kushtet e importit dhe eksportit, në mënyrë që përmes tyre pastaj të përmirësojmë edhe bilancin tregtar të vendit”, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa, më tutje, theksoi se ky proces ka filluar dhe se kohë pas kohe do të  bëhet vlerësimi i asaj se çka është arritur dhe çka duhet ndryshohet.
“Ajo që ne vërejmë këtë vit është se kemi një stabilitet të rritjes ekonomike. Nuk mund të mburremi me atë se ne kemi një rritje që ne e kemi dëshiruar si rritje ekonomike. Kemi një vlerësim të Fondit Monetar Ndërkombëtar që mund të jetë 3.2 për qind. Kemi edhe disa pritje tona se mund të jetë më i madh se sa 3.2 për qind. Kemi një përmirësim të ambientit sa i përket investimeve të huaja direkte, mirëpo struktura e këtyre investimeve nuk na kënaq, sepse natyrisht që do të dëshironim që investimet të jenë në prodhim të cila gjenerojnë pastaj strukturë të diversifikueshme ekonomike. Kemi një përmirësim sa i përket sistemit bankar, veçmas kushteve që sistemi bankar tani ofron, sepse kemi ulje të normave të interesit, ulje të dukshme këtë vit.
Kemi një qasje shumë të mirë në institucionet financiare ndërkombëtare, dhe kemi krijuar marrëdhënie shumë të mira me Fondin Monetar Ndërkombëtar, gjë që na krijon mundësi të hyjmë borxh për projekte zhvillimore që pastaj gjenerojnë punësim. Do të thotë jemi në një situatë që mund të bëjmë punë. Ne kemi afër tani edhe hyrjen në ndërtimin e termocentralit të ri, që është një investim shumë i madh privat amerikan në Kosovë, është investim që tash ju takon edhe juve këtu. Dhe po ashtu do të mundohemi që të tërheqim edhe investime tjera. Kështu që ne jemi të interesuar maksimalisht që të kemi investime amerikane, të firmave amerikane, dhe të shohim se çfarë ne atyre duhet t’iu krijojmë si kushte, si rrethinë ekonomike, në mënyrë që të jemi të përshtatshëm për ta”, tha kryeministri.
Duke iu referuar dimensionit të tregut kosovar dhe rolit të tij, kryeministri Isa Mustafa theksoi nevojën që karshi kësaj, tregu kosovar të dimensionohet edhe në pikëpamje të rrethinës ekonomike të cilën po e krijon.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në fjalën e saj, tha se është bërë mjaft punë në ndërrimin e legjislacionit, në shkurtim të procedurave dhe në shkurtim të taksave.
“Tani jemi duke punuar tutje që ta rregullojmë tregun e naftës, duke eliminuar procedurat e tepërta, duke zgjatur afatin e licencave, duke u pajis me një laborator i cili do të na siguroj që do të kemi karburante kualitative në treg dhe mbrojtja e ambientit besoj se është shqetësim për të gjithë ne”, tha Bajrami. 
Ministrja e MTI-së, po ashtu, theksoi se është vërejtur gjatë këtij viti që energjia elektrike, edhe furnizimi, por edhe ndryshimi i kostos dhe tarifave gjatë sezonave, është tejet problematik.
“Ne, së bashku me z. Hoti jemi zotuar që në Komitetin Ndërministror për Ndërmarrjet Publike, bashkë me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë dhe KEDS-in, ta trajtojmë këtë çështje. Nuk është i lehtë aspak ndryshimi i tarifave, mirëpo megjithatë ne jemi zotuar që do të përmirësojmë ambientin e biznesit”, tha ministrja Bajrami.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, shprehu bindjen se Ligji për Investime Strategjike, do ta ndërroj në mënyrë rrënjësore mënyrën e të bërit biznes, sidomos në sektorët strategjik ku konkurrenca e drejtpërdrejt dhe e hapur ndonjëherë nuk sjell rezultate.
“Një çështje tjetër e cila më duhet ta përmend është prokurimi elektronik. Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet që vitin tjetër, ligji tani është në fuqi, dhe besoj që në muajt e parë të vitit të ardhshëm do të jetë i aplikueshëm, së paku disa prej moduleve që do të rrisin konkurrencën sa i përket prokurimit elektronik, sepse si Qeveri, si buxhet shpenzojmë afër 800 milionë euro në ekonomi i fusim përmes prokurimit elektronik, dhe kjo besoj se do të vejë një rregull dhe do të vendos një konkurrencë të hapur në këtë drejtim”, tha ministri Hoti.
Duke folur për informalitetin, ministri i Financave e vlerësoi ende shumë të lartë.
“Vitin e ardhshëm do të dalim me masa konkrete për luftimin e informalitetit, të dakorduara normalisht bashkë me juve, që të adresojmë informalitetin dhe t’i sjellim më shumë bizneset brenda sektorit tonë”, tha ministri Hoti.
Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, tha se kjo odë e sheh veten si partner të rëndësishëm të institucioneve qeveritare dhe se këtë partneritet e shpreh përmes ofrimit të rekomandimeve të cilat i merr prej anëtarëve të saj, përmes komiteteve të cilat ekzistojnë, dhe funksionojnë brenda Odës.
“Kemi thënë publikisht edhe përmes qëndrimeve tona zyrtare të cilat janë aprovuar nga Bordi i Guvernatorëve, që ka pasur disa lëvizje, është reforma fiskale të cilën megjithatë do të donim që të zgjerohej dhe më tutje, duke përfshirë lirimin e lëndëve të para nga doganimi, që do të mundësonin fuqizimin e pozitës konkurruese të prodhuesve të vendit tonë karshi atyre të rajonit”, tha Zeka.
Hakif Gashi, president i Bordit të Guvernatorëve të OEAK, tha se 2015 ka qenë një vit i mbarë për shumë biznese.
“Janë bërë shumë reforma, dhe mendoj që nuk do të mbesim me kaq dhe do të vazhdojmë më tutje”, ka thënë Gashi, në fjalën e tij.

 

Last modified: 24 Dhjetor, 2015

Comments are closed.

×