Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Viti 2015, vit i vendimeve të mëdha në zhvillimin ekonomik të Kosovës

11 Dhjetor, 2015

Prishtinë, 11 dhjetor 2015
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, ku u diskutua për hapat e mëtejmë në avancimin e reformave për zhvillimin ekonomik të vendit.
 
Kryeministri Mustafa vlerësoi se viti që po përmbyllet ka qenë një vit i vendimeve të mëdha, dhe një vit I ndryshimeve të mëdha në Kosovë. “Vit i përqendrimit në objektivat zhvillimore, i përmirësimit të ambientit të biznesit, i krijimit të urave të komunikimit me bizneset, dhe përfundimisht vit i nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim me Bashkimin Evropian. Ne vlerësojmë, se këtë vit do të arrijmë të realizojmë një rritje premtuese ekonomike, e cila pastaj mundëson që në vitet e ardhshme kjo rritje të jetë edhe më e lartë, dhe që do të mundësoj zhvillim të disperzuar ekonomik, dhe gjenerim të punësimit”, tha kryeministri Isa Mustafa.
 
Më tutje, kryeministri Isa Mustafa ka shpalosur gjerësisht reformat dhe rezultatet e shumta që lidhen me zhvillim ekonomik që janë arritur gjatë këtij viti, duke filluar nga stabiliteti makroekonomik, pakoja e re fiskale, përmbyllja e marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, krijimi i kushteve për investime substanciale në infrastrukturë rrugore, hekurudhore dhe në infrastrukturën bujqësore, nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, dhe mundësitë që do të ofroj ajo për zhvillim ekonomik, të bizneseve dhe asistencë financiare të IPA-së.
 
Kryeministri Mustafa foli edhe për trendin e mirë të investimeve të huaja direkte, nivelin më të ulët të normave të interesit, stabilitetin e çmimeve dhe normën e inflacionit, ritmin relativisht në rritje të eksporteve, në raport me importet, nënshkrimin e marrëveshjeve të ndryshme për projekte të rëndësishme ekonomike, punën që po bëhet në miratimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, përfundimin e Programit për Reforma Ekonomike, miratimin e ligjeve të cilat do të mundësojnë një zhvillim ekonomik që do të shtoj vlerën e bizneseve, miratimin e Ligjit për Fondin për Garantimin e Kredive, e shumë zhvillime konkrete të tjera në vend.
 
“Qeveria e Republikës së Kosovës po bënë përpjekje maksimale që të krijoj politika të baraspeshuara zhvillimore në pikëpamje të rritjes ekonomike, dhe të dimensionit social. Qeveria është e përkushtuar që të përcjell me vëmendje të shtuar efektet e ligjeve dhe të politikave, të zhvillimit të prioriteteve të cilat ne i kemi përcaktuar bashkërisht, të hapjes së dialogut me ju bashkë, në mënyrë që t’i rishqyrtojmë këto prioritete varësisht nga ajo se çfarë ju e  konsideroni se duhet të bëhet dhe çfarë është më e dobishme për ekonominë dhe për vendin tonë, sepse rezultatet do të jenë rezultate tona të përbashkëta”, tha kryeministri Isa Mustafa, duke kërkuar nga të gjitha palët që të jenë pjesë e debatit dhe të kontribuojnë në ndërtimin e politikave zhvillimore ekonomike.
 
Ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se në mes të dy mbledhjeve të Këshillit kanë ndodhur zhvillime të rëndësishme në vend dhe janë marrë një sërë vendimesh që e kanë përmirësuar edhe më shumë klimën e të bërtit biznes.
 
Duke i përmendur disa prej tyre, ministrja Bajrami veçoi nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit që paraqet marrëveshjen e parë kontraktuale në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
 
“Ligjet e pakos së re fiskale që kanë hyrë në fuqi më 1 shtator kanë filluar të japin rezultatet e para. Presim që kjo ofertë e re të ndikojë posaçërisht në tërheqjen e më shumë investimeve të huaja direkte, që deri në fund të muajit shtator kanë arritur shifrën rreth 270 milionë euro. Në periudhën në mes të dy mbledhjeve të Këshillit, Qeveria ka miratuar Projektligjin për Investime Strategjike, me të cilin përcaktohen procedurat dhe kriteret për investime strategjike në Republikën e Kosovës, ndërsa Kuvendi ka miratuar në lexim të parë projektligjin për Themelimin për Fondin për Garanti të Kredive dhe presim që ky projektligj të kaloj edhe në lexim të dytë në seancën e ardhshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Është bërë po ashtu progres i konsiderueshëm në përgatitjen e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim”, tha ministrja Bajrami
 
Ministrja, po ashtu, theksoi publikimin e Raportit të Bankës Botërore për të bërit biznes në vitin 2016, ku Kosova është ranguar në pozitën e 66-të nga 189 vendet e botës.
“Kjo dëshmon për progresin dhe implementimin e reformave dhe për përmirësimin e klimës së të bërit biznes dhe klimës së investimeve në vendin tonë”, tha ministrja e MTI-së, Hykmete Bajrami.
Fjalimi i plotë i kryeministrit Isa Mustafa:

Faleminderit shumë zonja ministre

Dëshiroj po ashtu edhe unë t’iu përshëndes të gjithë juve
Ministra, zëvendësministra
Deputetë, përkatësisht profesor Muhametin, si kryetar i Komisionit të Kuvendit për Zhvillim
Përfaqësues të bizneseve, odave dhe asociacioneve tjera
Dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që janë sot së bashku me ne këtu. Ne e vlerësojmë shumë pjesëmarrjen tuaj dhe interesimin tuaj që bashkërisht të trajtojmë këto çështje, që ne tani i konsiderojmë si çështje me prioritet të veçantë për vendin tonë.

Unë dëshiroj të nënvizoj se viti që po e përmbyllim tani ka qenë një vit i vendimeve të mëdha, dhe një vit i ndryshimeve të mëdha në Kosovë. Vit i përqendrimit në objektivat zhvillimore, i përmirësimit të ambientit të biznesit, i krijimit të urave të komunikimit me bizneset, dhe përfundimisht ajo që edhe e tha ministrja, vit i nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim me Bashkimin Evropian.
Ne vlerësojmë se këtë vit do të arrijmë të realizojmë një rritje premtuese ekonomike, e cila pastaj mundëson që në vitet e ardhshme kjo rritje të jetë edhe më e lartë, dhe që do të mundësoj një zhvillim  të disperzuar ekonomik, dhe gjenerim të punësimit.
Kemi arrit që të kemi një stabilitet makroekonomik, kemi stabilizuar tërësisht buxhetin, dhe kjo do të reflektohet në trendet përmirësuese në investimet e jashtme direkte, është reflektuar në uljen e normave të interesit, dhe në një sektor shumë stabil financiar, në marrëdhënie cilësore me institucionet financiare ndërkombëtare, veçmas me Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Ndërtim, Bankën Evropiane për Investime, pastaj me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.
Dëshiroj po ashtu të nënvizoj se pakoja e re fiskale e cila ka filluar të implementohet nga fillimi i shtatorit të këtij viti, ka dhënë rezultate konkrete, por rezultatet i presim edhe në vitet e ardhshme.
Është një hap shumë i rëndësishëm përmbyllja e marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, një investim prej mbi 1 miliard euro, që do të ketë efekte shumë anësore në zhvillimin ekonomik, qoftë në sigurimin e energjisë elektrike për ekonominë dhe qytetarët e Kosovës, po ashtu edhe për mobilizimin e kapaciteteve tjera ndërtimore dhe kapaciteteve shërbyese gjatë procesit të ndërtimit dhe të punësimit. Sepse është fjala për një investim privat, i cili do të ndikoj dhe do të reflektohet drejtpërdrejt edhe në rritjen e bruto produktit vendor të vendit.
Jemi angazhuar në krijimin e kushteve për investime substanciale në infrastrukturë, në atë rrugore, hekurudhore dhe në infrastrukturën bujqësore.
Ndërkaq nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim do të mundësoj që bizneset tona të kenë qasje në një treg shumë më të madh, përkatësisht, krejtësisht tjetër prej asaj që kemi pas deri më tani, prej mbi 500 milionë konsumatorëve , dhe do të kemi asistencën financiare të IPA-së gjatë këtyre viteve,  deri në vitin 2020, në shumë prej 645 milionë eurove.
Me këto mjete do të financohen me prioritet zhvillimi demokratik dhe qeverisja e mirë, sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore, energjia, forcimi i konkurrencës dhe e inovacioneve, arsimi, punësimi dhe politikat sociale, bujqësia dhe zhvillimi rural.
Jemi po ashtu të kënaqur sepse kemi pas një trend të mirë të investimeve të huaja direkte këtë vit në krahasim me vitet  mëparshme. Në qoftë se krahasohemi me vitin 2014, investimet e huaja janë dy herë më të larta. Krahasuar me vitin 2013 janë më të larta 20 %, 46 % janë krahasuar me vitin 2012, dhe kështu me radhë.
Dhe po ashtu kemi arrit historikisht nivelin më të ulët të normave të interesit, i cili është një tregues shumë i rëndësishëm i ambientit të biznesit që është krijuar tek ne, dhe i besimit të bankave dhe bizneseve në rrethinën ekonomike.
Është po ashtu për t’u vlerësuar edhe stabiliteti i çmimeve dhe norma e inflacionit e cila është tepër e ulët, dhe sillet rreth 0, që ofron kushte shumë të mira dhe të sigurta të biznesit, si dhe disa prej trendëve pozitive që i kemi ne në ritmin relativisht në rritje të eksporteve, në raport me importet, edhe përkundër asaj që nuk jemi të kënaqur me bilancin tregtar me jashtë, sepse akoma kemi një ndryshim shumë të madh ndërmjet importit dhe eksportit.

Mund të them se edhe gjatë këtyre dy muajve prej kur nuk jemi parë ne në këtë Këshill, kemi vazhduar që të mbajmë si objektiv kryesor zhvillimin ekonomik, duke nënshkruar Marrëveshje të ndryshme për projekte të rëndësishme ekonomike. Disa prej tyre duke i ratifikuar edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në fushat strategjike: në përmirësimin e politikave ekonomike, ndryshimin e politikave fiskale, të cilat kryesisht kanë për qëllim të përmirësojnë gjendjen ekonomike të Kosovës.
Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, i ka vënë themelet për perspektivën evropiane të Kosovës, pastaj përafrimin me Bashkimin Evropian, duke e integruar Kosovën në rrjedhat politike dhe ekonomike evropiane.
Rrjedhimisht, tani jemi edhe në prag të miratimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, ku Qeveria me të gjithë akterët relevantë, kanë qartësuar rrugën afatgjate, drejt adresimit të sfidave më kritike të zhvillimit të Kosovës.
Është ky një dokument që do të përmbaj një pako të prioriteteve të larta, mos të them të prioriteteve mbi prioritete, zbatimi i të cilave gjatë pesë viteve të ardhshme do ta shpije Kosovën drejt një objektivi të rritjes së përshpejtuar ekonomike, dhe të përmirësimit të standardit të jetesës së qytetarëve.
Në aspektin strukturor, Strategjia Kombëtare për Zhvillim, do të fokusohet në disa fusha themelore:
–              në atë të kapitalit njerëzor, sepse konsiderojmë se është një prej resurseve më të rëndësishme të vendit tonë,
–              të sundimit të ligjit;
–              të rritjes së konkurrencës, dhe
–              në fushën e infrastrukturës.
Tek kapitali njerëzor, masat e propozuara do të adresojnë çështjet lidhur me arsimin parauniversitar, ndërlidhjen ndërmjet arsimit të lartë dhe tregut të punës, përfshirjen e grupeve të margjinalizuara dhe potenciale të kapitalit njerëzor jashtë vendit.
Ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit do të adresojnë, përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike në funksion të zhvillimit, dhe të përmirësimit të efikasitetit të gjyqësorit, në mënyrë që përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të jenë më efektive.

Në kuadër të afarizmit dhe konkurrencës, masat do të adresohen me prioritet për avancimin e industrive tona, në aktivitete më të larta të vlerës së shtuar, për stimulimin e sektorit privat dhe për zhbllokimin e aseteve strategjike të vendit tonë.
Sa i përket infrastrukturës, do të adresojmë masat në fushën e transportit, në fushën e telekomunikacionit, të energjisë, dhe të shfrytëzimit të qëndrueshëm të burimeve me të cilat disponon vendi ynë.
Gjithashtu duhet të theksoj se jemi në përfundim të Programit për Reforma Ekonomike. Ky program është pjesë e dialogut mes Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, në kuadër të qeverisjes ekonomike, dhe mbulon periudhën tre vjeçare.
Programi përmban një numër të kufizuar të masave prioritare të bazuara në udhëzimet e Komisionit Evropian, si dhe rekomandimet nga Konkluzionet e Përbashkëta të Dialogut Ekonomik dhe Financiar, në mes të Bashkimit Evropian, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.
Ne tanimë kemi filluar të adresojmë disa probleme strategjike dhe masa strategjike, për shembull, miratimi i disa ligjeve nga ana e Qeverisë, si dhe projektligji për investime strategjike të cilin ne e kemi proceduar për shqyrtim dhe aprovim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, vlerësojmë se do të mundësojnë përzgjedhjen e fushave strategjike të zhvillimit  në të ardhmen, dhe do të përcaktoj edhe prioritete strategjike në pikëpamje të numrit të të punësuarve, pastaj në pikëpamje të  vlerës së investuar në këto projekte, por edhe në pikëpamje të shtimit të vlerës së bizneseve dhe efekteve të drejtpërdrejta dhe indirekte në biznese.
Dhe ky do të jetë objektivi ynë themelor që të kemi ligje të cilat do të mundësojnë një zhvillim ekonomik që do të shtoj vlerën e bizneseve tona, vlerën e firmave tona dhe konkurrencën e tyre në tregun e brendshëm dhe në tregun e jashtëm.
Miratimi i Ligjit për Fondin për Garantimin e Kredive nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, po ashtu mundëson përkrahjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, me prioritet për bizneset që drejtohen nga të rinjtë dhe nga gratë, në fazën e parë të këtij zhvillimi.
Gjithashtu zhvillimi i mëtejmë i kapaciteteve të energjisë, që ndërlidhet me projektin “Kosova e Re” për të cilin fola pak më parë, është një prej prioriteteve të rëndësishme për sigurimin e energjisë për ekonomi dhe për qytetarë.
Ne tani kemi filluar të sigurojmë financimin për fillimin e rehabilitimit dhe të modernizimit të linjës 10 të hekurudhës, që do të ketë efekte të lidhjes ekonomike me Maqedoninë, me Serbinë dhe pastaj me Evropën në tërësi, i cili projekt po ashtu do të aktivizoj edhe ekonominë tjetër, që ndërlidhet me shumë punë dhe aktivitete që do të kryhen gjatë këtij investimi prej mbi 200 milionë eurove.
Në fund dëshiroj të them se Qeveria e Republikës së Kosovës po bënë përpjekje maksimale që të krijoj politika të baraspeshuara  zhvillimore në pikëpamje të rritjes ekonomike, dhe të dimensionit social.
Qeveria është e përkushtuar që të përcjell me vëmendje të shtuar efektet e ligjeve dhe të politikave, të zhvillimit, të prioriteteve të cilat ne i kemi përcaktuar bashkërisht, të hapjes së dialogut me ju bashkë, në mënyrë që t’i rishqyrtojmë këto prioritete varësisht nga ajo se çfarë ju e  konsideroni se duhet të bëhet dhe çfarë është më e dobishme për ekonominë dhe për vendin tonë, sepse rezultatet do të jenë rezultate tona të përbashkëta.
Unë pres që edhe ministrat të cilët janë së bashku me mua këtu sot, të paraqesin pikëpamjet e tyre për fusha të caktuara, të paraqitni edhe ju si përfaqësues të bizneseve, dhe që i gjithë debati që sot e zhvillojmë këtu, të jetë një kontribut që ne bashkërisht do ta ndërtojmë në politikat tona zhvillimore ekonomike.
Faleminderit shumë.

Fjala e plotë e ministres Hykmete Bajrami:

Kam kënaqësinë t’ju njoftoj që në mes të dy mbledhjeve të Këshillit kanë ndodhur zhvillime të rëndësishme në vend dhe janë marrë një sërë vendimesh që e kanë  përmirësuar  edhe më shumë klimën e të bërtit biznes. Unë po i përmend vetëm disa prej tyre, për të tjerat kryeministri Mustafa do të flas më gjerësisht në fjalën e tij. Natyrisht një kryelajm për Republikën e Kosovës është nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit që paraqet marrëveshjen e parë kontraktuale në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Këshilli do të diskutoj sot për përfitimet dhe obligimet që burojnë nga kjo marrëveshje historike.
Ligjet e pakos së re fiskale që kanë hyrë në fuqi më 1 shtator kanë filluar të japin rezultatet e para. Presim që kjo ofertë e re të ndikojë posaçërisht në tërheqjen e më shumë investimeve të huaja direkte, që deri në fund të muajit shtator kanë arritur shifrën rreth  270 milionë euro. Në periudhën në mes të dy mbledhjeve të Këshillit, Qeveria ka miratuar projektligjin për Investime Strategjike, me të cilin përcaktohen procedurat dhe kriteret për investime strategjike në Republikën e Kosovës, ndërsa Kuvendi ka miratuar në lexim të parë projektligjin për Themelimin për Fondin për Garanti të Kredive dhe presim që ky projektligj të kaloj edhe në lexim të dytë në seancën e ardhshme të Kuvendit të Republikës së  Kosovës. Është bërë po ashtu progres i konsiderueshëm në përgatitjen e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe zyra për Planifikim Strategjik e Zyrës së Kryeministrit sot në sesionin e pasdites do të paraqes para Këshillit një informatë të plotë në lidhje me arritjet e deritanishme dhe hapat e mëtejmë në përfundimin e këtij dokumenti shumë të rëndësishëm.
Kohë më parë është publikuar gjithashtu raporti i Bankës Botërore për të bërit biznes në vitin 2016, ku Kosova është ranguar në pozitën e 66-të nga 189 vendet e botës, që dëshmon për progresin dhe implementimin e reformave dhe për përmirësimin e klimës së të bërit biznes dhe klimës së investimeve në vendin tonë.

Last modified: 11 Dhjetor, 2015

Comments are closed.

×