Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa vazhdoi konsultimet për hartimin e strategjisë dhe ligjit për Trepçën

1 Dhjetor, 2015

Prishtinë, 1 dhjetor 2015
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vazhduar takimet konsultative lidhur me procesin e hartimit të strategjisë dhe të ligjit për ndërmarrjen Trepça.
 
Në takimin e radhës, të mbajtur të martën, u shqyrtuan disa aspekte dhe propozime që lidhen me këtë proces, si dhe u diskutuan hapat e ardhshëm të institucioneve kompetente në këtë drejtim.
 
Kryeministri Isa Mustafa, shprehu përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës, për të punuar me të gjithë faktorët relevantë  në Republikën e Kosovës për të hartuar një strategji dhe një ligj sa më të kompletuar për Trepçën dhe se puna në këtë drejtim do të vazhdojë edhe më tutje.
 
“Jemi në rrugën e duhur për gjetjen e zgjidhjes më të përshtatshme duke pas parasysh të gjithë faktorët dhe rrethanat ekonomike e sociale që lidhen me ndërmarrjen Trepça”, tha kryeministri Isa Mustafa.
 
Në takim morën pjesë Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Ahmet Tmava, drejtor i përgjithshëm i Trepçës, ministrat Avdullah Hoti, Blerand Stavileci dhe Hykmete Bajrami, përfaqësues të AKP-së dhe ekspertë e përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë.

Last modified: 1 Dhjetor, 2015

Comments are closed.

×