Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa uroi besimtarët me rastin e Festës së Krishtlindjes

24 Dhjetor, 2015

Prishtinë, 24 dhjetor 2015 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, me rastin e Krishtlindjes, ka uruar besimtarët katolikë dhe ipeshkvin e Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, si dhe të gjithë besimtarët e tjerë të krishterë dhe qytetarët e Kosovës, të cilët e kremtojnë Festën e Krishtlindjes.

Duke përcjell urimet më të përzemërta për këtë festë të shenjtë, kryeministri Isa Mustafa, ka theksuar se Krishtlindja përfaqëson paqen, mirëkuptimin, mirësinë, mëshirën, shpresën dhe zemërgjerësinë.

“Festa e Krishtlindjes përcjell te njerëzit e vullnetit të mirë forcën e besimit, vlerat e humanizmit si dhe forcon virtytet e besimtarëve anekënd botës”, theksoi kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, tha se Krishtlindja sivjet, ka një simbolikë të veçantë për popullin e Kosovës, pasi që shënon miratimin e Papa Françeskut për t’i hapur rrugë shenjtërimit të Nënës Terezë.

Më tej, kryeministri Mustafa, u ka uruar Festën e Krishtlindjes përfaqësuesve të misioneve ndërkombëtare në Kosovë, të cilët po japin kontribut të çmuar në ecjen përpara të shtetit të Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa, në emër të Qeverisë theksoi respektin më të thellë për Kishën Katolike dhe komunitetet e tjera fetare, për rolin e tyre të pazëvendësueshëm në fuqizimin e vlerave të bashkëjetesës, të tolerancës dhe për të mirën e përbashkët të popullit të Kosovës. 

Last modified: 24 Dhjetor, 2015

Comments are closed.

×