Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Termocentrali “Kosova e Re” do të siguroj resurse për zhvillim dhe stabilitet energjetik

18 Dhjetor, 2015

Prishtinë, 18 dhjetor 2015
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit për Termocentralin “Kosova e Re” ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Kompanisë “Contour Global”.

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa tha se ky projekt është ndër investimet më të mëdha të cilat janë zhvilluar në Kosovë. “Është një ditë shumë e madhe për ne. Një ditë, në të cilën ne po fillojmë me një investim tepër të rëndësishëm për Kosovën, i cili do të siguroj resurse për zhvillim dhe stabilitet të furnizimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Është ndër investimet më të mëdha të cilat janë zhvilluar në Kosovë dhe fakti që ne këtë investim po e bëjmë me investitorë privat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ka domethënien e vetë të veçantë, sepse është fjala për besimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe investitorëve privat në rrethinën ekonomike të Kosovës. Është fjala për ndryshimin e strukturës ekonomike, sepse me këtë ne po i rrisim investimet private në Kosovë të cilat janë domethënëse në pikëpamje të strategjisë të zhvillimit ekonomik dhe orientimeve tona në zhvillim në të ardhmen”, tha kryeministri Mustafa, duke bërë të ditur se në këtë projekt është punuar tash e një vit dhe në të është angazhuar veçmas ministri Stavileci dhe grupi koordinues nga ministritë përkatëse.

Duke përgëzuar për këtë fazë shumë të rëndësishme dhe për punën shumë të rëndësishme që është bërë,  kryeministri Mustafa shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që të përkrahë me të gjitha mjetet dhe me të gjitha instrumentet këtë projekt, në mënyrë që ai të zhvillohet në bazë të agjendës së paraparë në mënyrë që në kufijtë e viteve 2020-2021, Kosova të ketë kapacitete gjeneruese të cilat do të zëvendësojnë ato aktualet dhe të cilat do të krijojnë kushte për zhvillim ekonomik.

Kryeministri Isa Mustafa po ashtu ka falënderuar Bankën Botërore për përkrahjen e këtij projekti dhe të gjithë subjekteve të kyçura në këtë projekt tepër të rëndësishëm për ekonominë dhe për zhvillimin e Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, tha se nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe kompanisë amerikane “Contour Global” është një prej momenteve më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës pas luftës. “Është punuar gjatë për këtë proces, andaj e tha edhe kryeministri Mustafa, mirënjohja ju takon gjithë atyre njerëzve të përkushtuar në këtë proces. Duke qenë të udhëhequr drejtpërdrejt nga Qeveria e Kosovës është punuar në veçanti në mënyrë jashtëzakonisht aktive, shumë dinamike dhe efektive në vitin e fundit, duke marrë për bazë gjithë ato vite që qeveritë e Kosovës kanë qenë të përkushtuara në këtë proces”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.

Zëvendëskryeministri Thaçi, po ashtu, theksoi se sot Kosova ka një lajm jashtëzakonisht të mirë për të ardhmen ekonomike të saj, duke shprehur besim të plotë që ashtu siç është punuar bashkërisht nga të gjithë edhe sot e tërë  politika e Kosovës, institucionet e Kosovës, qytetarët e Kosovës e vlerësojnë lartë nënshkrimin e kësaj marrëveshje. “Kosova me këtë projekt do të bëhet një qendër e zhvillimit ekonomik, sepse planifikohen investime mbi 1 miliardë euro dhe do të krijohen rreth 10 mijë vende të reja të punës. Pra, sot, Kosova i ka dy lajme shumë të mira, për Termocentralin “Kosova e Re”, gjithashtu edhe tash shpresoj fuqishëm që në këto momente edhe Komisioni Evropian do të marr një vendim pozitiv për të arriturat e Republikës së Kosovës edhe për liberalizimin e vizave. Uroj të kemi ditë të mira të suksesit edhe në këtë proces të përmbylljes së vitit mund të them evropian dhe zhvillimor për Republikën e Kosovës”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, e vlerësoi si shumë të rëndësishëm nisjen dhe jetësimin e një projekti të madh  për ekonominë e vendit tonë në përgjithësi, dhe për sektorin e energjisë në veçanti. “Dita e sotme e nënshkrimet të marrëveshjes së mirëkuptimit me kompaninë “Contour Global” vjen edhe pas një dite tjetër po kaq të rëndësishme, të përurimit të linjës së interkoneksionit me Republikën e Shqipërisë. Dhe jo rastësisht po i përmendim këto dy projekte, dhe këto dy ditë, sepse ne me këto dyja do të mund t’i realizojmë qëllimet kryesore të shtetit tonë, që janë edhe qëllime që e përkufizojnë një realitet ekonomik, e po ashtu edhe qëllimet tona në agjendën tonë të integrimeve”, tha Stavileci.

Ai tha se me këtë projekt,  Kosova siguron një furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, ndërkaq me projektin e interkoneksionit bëhet një lidhje të drejtpërdrejt të këtyre dy projekteve. “Por, në të njëjtën kohë i hapim rrugë agjendës integrues, sepse mundësojmë që të lidhen rrjete tona dhe t’i hapet rrugë tregut rajonal dhe pastaj tregut të përbashkët që është synim edhe i procesit të Berlinit”, tha ministri. Ministri Stavileci shprehu mirënjohje të thellë për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e një pune kapitale dhe të palodhshme gjatë gjithë këtyre viteve. “Po flasim për një termocentral i cili do të ketë një kapacitet prej 500 megavatesh, i cili do t’i përmbush të gjitha standardet mjedisore, për të cilin nuk do të duhet kontribut nga buxheti i shtetit tonë, dhe i cili ka një projeksion të kostove të tarifave të energjisë elektrike i cili është i përballueshëm dhe po ashtu do të na jap mundësi që viteve të ardhshme të kemi mundësi edhe nëse duhet të krijojmë mekanizëm me të cilin do t’i zbusim edhe më shumë këto tarifa”, tha Stavileci.

Ai po ashtu tha se projekti do të vazhdoj dhe se gjatë këtyre ditëve kanë zhvilluar takime me kompani të ndryshme që do të jenë pjesë e garës për ndërtimin e këtij termocentrali dhe të cilat kanë shprehur në mënyrë eksplicite interesat e tyre për të ardhur dhe për të qenë pjesë e kësaj gare në të ardhmen. “Besoj se shumë shpejt do t’i përmbyllim edhe fazat tjera dhe do të jemi dëshmitar të nisjes së punimeve në terren”, tha ministri Stavileci.

Kryeshefi ekzekutiv për Evropën Juglindore i “Contour Global”, Garry Levesley, u shpreh i gëzuar për këtë fillim historik të bashkëpunimit të gjatë dhe të frytshëm. Ai tha se ky projekt i nevojitet këtij vendi dhe këtij populli. “Pra, termocentrali i ri 500 megavat është investimi më i madh që është bërë ndonjëherë në Kosovë, dhe është një hap i rëndësishëm në rritjen e vendit tuaj të ri. Ky projekt do të krijoj disa mijëra vende të reja të punës në pesë vitet e ndërtimit, dhe do të siguroj rroga të qëndrueshme për afër 400 punëtorë të kualifikuar, në 40 vitet e ardhshme. Po ashtu, do të ndikoj edhe në rritjen e GDP-së të vendit tuaj, me një për qind, dhe do të përmirësoj dukshëm energjisë elektrike. Më nuk duhet të mbështeteni në vullnetin e mirë të fqinjëve për t’iu furnizuar me rrymë, kur ka reduktime. Kështu që ne themi se ky është investim i rëndësishëm për vendin tuaj”, tha Levesley duke siguruar angazhim dhe maksimal për ta bërë këtë projekt të suksesshëm, në mënyrë që të përfitojnë nga ai të gjithë qytetarët e Kosovës.

Ai, po ashtu, tha se ky termocentral do të jetë shumë i pastër pasi që do të ndërtohet me standardet e fundit evropiane. “ Do të jetë i aftë për të qenë i përshtatshëm për standarde të së ardhmes, nëse këto standarde rriten. Kështu që do të jetë me standarde të njëjta me të gjitha termocentralet në Evropë. Natyrisht se do të zëvendësoj objektin ekzistues dhe do të përmirësoj dukshëm mjedisin, kualitetin e ajrit dhe sasinë e emetimit të gazrave të vendit tuaj. Ju jap premtimin tim sot se do të punojmë shumë, dhe në mënyrë profesionale për ta realizuar këtë projekt në kohën më të shkurtër të mundshme, dhe do të sigurohemi që mos të tejkalojmë buxhetin, të jetë i përfunduar me kohë, dhe të ketë të gjitha specifikacionet e kërkuara”, tha Levesley, para të pranishmëve.

Last modified: 18 Dhjetor, 2015

Comments are closed.

×