Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Të drejtat e njeriut dhe mundësitë e barabarta, vlera fondamentale të shoqërisë kosovare

3 Nëntor, 2015

Prishtinë, 3 nëntor 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti të martën në takim të dërguarin e posaçëm të Departamentit të Shtetit për të drejtat njerëzore të komunitetit LGBTI, Randy W. Berry.

Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, kryeministri Mustafa ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ndihmën që ka ofruar dhe po ofron për Kosovën, në të gjitha fushat.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, theksoi se Kosova dhe institucionet e saj janë të përkushtuara për të krijuar një shoqëri ku të drejtat e njeriut dhe mundësitë e barabarta për të gjithë, janë vlerat fondamentale për zhvillimin e shoqërisë.

“Kosova ka mishëruar në Kushtetutën e saj parimet universale të të drejtave të njeriut, sipas standardeve më të larta evropiane dhe ndërkombëtare. Në këtë drejtim, në kuadër të infrastrukturës ligjore, Republika e Kosovës ka nxjerrë një varg ligjesh që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zbatimin e të drejtave të njeriut, si Ligji kundër diskriminimit, që rregullon dhe parandalon çfarëdo forme të diskriminimit, nga çfarëdo lloj baze apo përkatësie. Poashtu të gjitha ligjet tjera janë në harmoni dhe bazohen në standardet e të drejtave të njeriut”, theksoi kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa tha se Qeveria e Kosovës po punon që çfarëdo forme diskriminimi, ndaj cilitdo grup shoqëror, të adresohet konform standardeve më të larta të të drejtave të njeriut. “Me këtë qëllim, në dhjetor të vitit 2013 është themeluar Grupi  Këshillëdhënës dhe Koordinues në nivel Nacional në Republikën e Kosovës për të drejtat e komunitetit LGBTI. Ky grup udhëhiqet nga Zyra për Qeverisje të Mirë në ZKM, dhe në përbërjen e tij ka përfaqësues nga institucionet shtetërore dhe nga organizatat që përfaqësojnë interesat e komunitetit LGBTI, dhe nga organizata ndërkombëtare”, tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se Qeveria është e vendosur që të mos lejohet kurrfarë frikësimi, diskriminimi apo trajtimi i pabarabartë i askujt në Kosovë.

Gjatë takimit, po ashtu, u bë e ditur e Qeveria e Kosovës, së bashku me aktorët tjerë, do të bashkëpunojnë ngushtë për të avancuar edhe më tej zbatimin dhe respektimin e te drejtave të secilit individ në Kosovë.

I dërguari i posaçëm i Departamentit të Shtetit për të drejtat njerëzore të komunitetit LGBTI, Randy W. Berry, vlerësoi progresin në Kosovë dhe përkushtimin e institucioneve të Kosovës për respektimin e plotë të të drejtave të secilit individ në Kosovë.

Berry, po ashtu, çmoi punën e Qeverisë së Kosovës në adresimin e çdo forme diskriminimi ndaj çdo grupi shoqëror, duke ofruar përkrahjen e plotë të Qeverisë Amerikane për të ndërtuar kapacitetet e nevojshme që çdo komunitet në shoqërinë kosovare, të realizojë lirshëm të drejtat e tij.

Last modified: 3 Nëntor, 2015

Comments are closed.

×