Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa shpreh dhimbjen e Kosovës pas sulmeve në Francë

15 Korrik, 2016

Prishtinë, 15 korrik 2016

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ka ngushëlluar Qeverinë dhe qytetarët e Francës, pas sulmit terrorist në Nicë.

Me këtë rast, kryeministri Mustafa shprehu dhimbjen dhe pikëllimin e qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për këtë akt të tmerrshëm terrorist.

“Jemi të shokuar me aktin barbar i cili la të vdekur dhjetëra njerëz të pafajshëm në qytetin e Nicës. Në këto çaste të rënda për shtetin dhe popullin francez, Kosova bashkëndjen dhe shprehë solidaritetin e plotë me popullin mik francez” tha  kryeministri.

Kryeministri Mustafa edhe njëherë theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të qenë pjesë e koalicionit global kundër terrorizmit.

“Qeveria e Kosovës është thellësisht e përkushtuar për të qenë pjesë e koalicionit global kundër terrorizmit të prirë nga SHBA-të dhe vendet tjera perëndimore. Aktet e tilla terroriste nuk do të arrijnë të na ndalin në luftën tonë kundër të keqes globale. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave dhe popullit francez në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës” tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa edhe njëherë dënoi aktet e mëhershme terroriste në Belgjikë dhe Turqi, duke kërkuar bashkëpunim më të madh ndërmjet të gjitha vendeve demokratike, dhe përkushtimin e të gjithë qytetarëve kundër akteve të tilla.

Last modified: 15 Korrik, 2016

Comments are closed.

×