Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Shëndetësia mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës

12 Prill, 2016

Prishtinë, 12 prill 2016

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Imet Rrahmani dhe ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, kanë inauguruar laboratorin e kontrollit të cilësisë së produkteve farmaceutike në Agjencinë e Kosovës për Pajisje dhe Produkte Medicinale.

Kryeministri Mustafa me këtë rast u zotua se shëndetësia edhe më tutje do të mbetet prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Sot ne po bëjmë inaugurimin e këtij laboratori i cili është i certifikuar dhe i pajisur mirë dhe para së gjithash ka ekspertë dhe specialistë që i nevojiten dhe të cilët do të përdorin dijen dhe ekspertizën e tyre në përdorimin e pajisjeve të cilat janë këtu të nivelit të fundit të teknologjisë, me një zotim edhe të Ministrisë edhe të Qeverisë së Kosovës që ne do të përkrahim më tutje. Dëshirojmë që shfrytëzimi i barnave për qytetarët tanë të jetë i kontrolluar mirë, të jetë i analizuar dhe të jetë i vërtetuar nga organet më kompetente të Republikës së Kosovës”, ka thënë kryeministri.

Përkushtimin e Qeverisë për të përkrahur projekte të tilla, e ka shprehur edhe ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani.

“Vetë fakti që u përmend këtu që disa ministri janë angazhuar dhe kanë kontribuar në këtë projekt, por edhe në projekte tjera, flet për prioritetin që i kushton Qeveria shëndetësisë. Ne do t’iu qëndrojmë afër gjithmonë për projekte të tilla, dhe do të angazhohemi maksimalisht”, ka thënë ministri Rrahmani.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Pajisje dhe Produkte Medicinale, Jeton Shala, u shpreh i lumtur që angazhimi intensiv i zyrtarëve të laboratorit është vlerësuar nga Agjencia e Akredimit të Kosovës, të cilët me certifikimin e laboratorit, kanë vërtetuar se janë përmbushur të gjitha kërkesat dhe rekomandimet për plotësimin e standardit ISO 17025.

“Qytetarët e Kosovës tani do të kenë një siguri më të madhe dhe një besim në produktet që ata konsumojnë, pasi sinjali pozitiv i këtij institucioni, i cili kërkon kritere të shumta për plotësimin e standardeve, tregon që laboratori ynë i plotëson të gjitha kriteret e parapara për të bërë analizën e kualitetit dhe cilësisë së barnave”, ka thënë Shala.

Më tej, ai ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për përkrahjen, sidomos në sigurimin e kuadrove, doktor shkence, farmacistë dhe mikrobiologë, për të punuar në këtë laborator dhe po ashtu Ambasadën Kroate, gjegjësisht institucionin kroat Halmed për dhurimin dhe instalimin gratis të softuerit për laborator me kosto rreth 80 mijë euro.
 

Last modified: 12 Prill, 2016

Comments are closed.

×