Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Qeverisja lokale rol të rëndësishëm në agjendën integruese evropiane

12 Maj, 2016

Prishtinë, 12 maj 2016

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në konferencën “Orientimet Strategjike për Vetëqeverisje Lokale 2016-2026”.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ljubomir Mariq, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean Claude Schlumberger, deputetë, kryetarë të komunave dhe përfaqësues të tjerë politikë e institucionalë në Kosovë.

Kryeministri Isa Mustafa tha se aktualisht objektiv themelor është që qeverisja lokale të ofrohet sa më shumë me qytetarin dhe të ecet proceseve të integrimit në agjendën evropiane.

“Komunat deri më tani keni bërë një hap shumë të rëndësishëm të këtij përafrimi evropian, veçmas me përmbushjen e shumë detyrave dhe shumë kritereve për liberalizimin e vizave, që kanë qenë në përgjegjësi të pushtetit lokal”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa ka vlerësuar punën e suksesshme që kryetarët e komunave dhe zyrtarët komunalë kanë bërë në këto fusha.

“Si Kosovë, kemi arritur mjaft shumë gjatë këtij mandati; kemi nënshkruar MSA-në, që është marrëveshja e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, e cila hyri në fuqi me 1 prill të këtij viti, jemi përfshirë në programin e MCC-së, në programin e Korporatës së Sidave të Mileniumit të SHBA-së, që mundëson qindra miliona dollarë investime në Kosovë për një periudhë të ardhshme kohore, kemi marrë rekomandimin për liberalizim të vizave. Nuk është me rëndësi të vogël anëtarësimi ynë në UEFA dhe pritjet reale që sot ose nesër do të anëtarësohemi edhe në FIFA. Kjo do të mundësojë që me flamurin dhe identitetin tonë shtetëror të rinjtë tanë të prezantohen anembanë Evropës dhe botës. Së bashku me këtë arritje, ne kemi marrë përgjegjësi dhe më shumë që ta forcojmë partneritetin me BE-në dhe SHBA-në, partneritet ky që nënkupton edhe të implementojmë kritere të larta demokratike, sa i përket të drejtat e njeriut dhe të zgjidhjes së problemeve zhvillimore dhe sociale të qytetarëve tanë”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa po ashtu tha se Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Strategjisë për Vetëqeverisje Lokale po bënë përpjekje për një sistem akoma më të avancuar dhe funksional të vetëqeverisjes lokale, rezultatet e të cilit mund të priten në periudhën e ardhshme dhjetëvjeçare.

Fjala e plotë e kryeministrit Isa Mustafa në konferencën “Orientimet Strategjike për Qeverisje Lokale”

Sot po shënojmë përmbylljen e aktiviteteve promovuese dhe zyrtarisht fillimin e implementimit të Strategjisë për vetëqeverisje lokale për periudhën e ardhshme dhjetëvjeçare, që është një periudhë mjaftë e gjatë dhe brenda së cilës presim rezultate të reja.

Objektivi ynë themelor është që qeverisjen lokale ta ofrojmë sa më shumë me qytetarin dhe së bashku me ta, të ecim proceseve të integrimit në agjendën evropiane.

Komunat deri më tani kanë bërë një hap shumë të rëndësishëm të këtij përafrimi evropian, veçmas me përmbushjen e shumë detyrave dhe shumë kritereve për liberalizimin e vizave, që kanë qenë në përgjegjësi të pushtetit lokal.

Prandaj, më lejoni që fillimisht t’ju falënderoj të gjithë juve për punën shumë të suksesshme si kryetarë të komunave dhe poashtu përmes jush edhe zyrtarët komunalë, që kanë punuar në këto fusha.

Gjatë dhjetë viteve të fundit, Kosova ka pasur zhvillime të rëndësishme të shtetndërtimit dhe demokratizimit. Komunat kanë luajtur rol kyç në të gjitha proceset zhvillimore të vendit, e sidomos në atë të integrimit evropian.

Implementimi i shumë politikave ndodhë pikërisht në nivelin lokal të qeverisjes, prandaj Qeveria është e përkushtuar që t’i inkurajojë komunat sa më shumë në këtë proces.

Siç e dini, tashmë secila komunë ka planin individual të obligimeve nga agjenda evropiane dhe përmbushja e këtyre obligimeve jo vetëm që është një detyrim në kuadër të agjendës evropiane, por poashtu është detyrë, që ne e kemi përcaktuar për të përmbushë detyrimet ndaj qytetarëve tanë, për të ofruar shërbime më të mira dhe më cilësore për ta.

Kosova ka një Kushtetutë të përparuar, ligje të harmonizuara me Bashkimin Evropian,  institucione të reja, zyrtarë të trajnuar dhe të përgatitur dhe ka krijuar parakushtet për ndërtimin e një shoqërie moderne, të dijes, me vlera civilizuese dhe bashkëkohore.

Është më rëndësi që bashkërisht ta bëjmë të lehtë qasjen e qytetarit në shërbimet e pushtetit lokal, ta përmirësojmë infrastrukturën fizike dhe ambientale dhe të eliminojmë dhe preventojmë çdo formë të korrupsionit dhe të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Kosova është stigmatizuar ose thënë shqip, është njollosur me perceptimin për korrupsionin e lartë. Prandaj, të gjithë duhet të punojmë ta heqim këtë njollë nga ne, të krijojmë kushte që çdo zyrtar të bëjë punën e vet në harmoni me ligjin, që shërbimet dhe investimet që i kryejmë për qytetarët, të mos bartin koston e korrupsionit, ta rrisin besimin e çdo qytetari ndaj pushtetit lokal dhe atij qendror.

Ne kemi për obligim të ndikojmë që ta ndryshojmë edhe kulturën shtetërore, kulturën e dyshimit në bartësit e pushtetit, ta transformojmë në kulturë të besimit, por edhe të kërkimit të përgjegjësisë.

Unë jam i bindur se ne mund bashkërisht ta arrijmë këtë, me përgjegjësit në komuna, sepse ata kanë votën dhe besimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve.

Si Kosovë, kemi arritur mjaftë shumë gjatë këtij mandati; kemi nënshkruar MSA-në, që është marrëveshja e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, e cila hyrë në fuqi me 1 prill të këtij viti, jemi përfshirë në programin e MCC-së, në programin e korporatës së Sidave të Mileniumit të SHBA-së, që mundëson qindra miliona dollarë investime në Kosovë për një periudhë të ardhshme kohore, kemi marrë rekomandimin për liberalizim të vizave.

Nuk është me rëndësi të vogël anëtarësimi ynë në UEFA dhe pritjet reale që sot ose nesër do të anëtarësohemi edhe ne FIFA. Kjo do të mundësojë që me flamurin dhe identitetin tonë shtetëror të rinjtë tanë të prezantohen përmes sportit anembanë Evropës dhe botës.

Së bashku me këtë arritje, ne kemi marrë përgjegjësi edhe më shumë që ta forcojmë partneritetin me BE-në dhe SHBA-në, partneritet ky që nënkupton edhe të implementojmë kritere të larta demokratike, sa i përket të drejtave të njeriut dhe të zgjidhjes së problemeve zhvillimore dhe sociale të qytetarëve tanë.

Konsideroj që Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Strategjisë për Vetëqeverisje Lokale, dhe vetë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka bërë dhe po bënë përpjekje për një sistem akoma më të avancuar dhe funksional të vetëqeverisjes lokale, rezultatet e të cilit mund të priten në periudhën e ardhshme dhjetëvjeçare.

Është evidente se vendi ynë përballet me probleme të zhvillimit ekonomik, infrastrukturës, papunësisë, buxhetit të kufizuar, problemeve të trashëguara, sidomos të atyre pronësoro-juridike të komunave dhe me kufizimet sa i përket pronave për zhvillim dhe zgjerim, me probleme të sundimit të ligjit, me efikasitet akoma jo të kënaqshëm të gjyqësorit. Mirëpo, të gjitha këto janë vënë në prioritet të punës së Qeverisë dhe ju garantoj që ne do të punojmë maksimalisht që së bashku me pushtetin lokal t’i qojmë përpara dhe t’i avancojmë këto procese.

Ne kemi hartuar  Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, kemi përgatitur Programin për Reforma Ekonomike, i cili na mundëson që të ballafaqohemi me presionet e konkurrencës, sidomos tani edhe në aspektin regjional edhe evropian pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, në këtë kontekst edhe Strategjia për Vetëqeverisje Lokale ndërlidhet ngushtë me strategjinë tonë zhvillimore. Zbatimi i kësaj strategjie, mundëson alternativa të ndryshme për realizimin e interesave dhe nevojave të qytetarëve.

Kjo strategji adreson politikat që lidhen me zhvillimin ekonomik lokal, me forcimin e kapaciteteve të komunave, forcimin e partneritetit të komunave me qytetarë, shoqërinë civile, bizneset dhe promovimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore dhe me promovimin e zhvillimit ekonomik.

E konsideroj shumë të rëndësishme këtë strategji, ju uroj suksese, uroj që bashkërisht t’i qojmë proceset përpara dhe poashtu falënderoj OSBE-në, ambasadorin që është këtu, por edhe partnerët tanë ndërkombëtarë në përkrahjen e deritanishme në afirmimin e rezultateve të pushtetit lokal, por edhe në shtrirjen e një rruge, përmes së cilës ne do të realizojmë këtë strategji.

Faleminderit dhe suksese!

Last modified: 12 Maj, 2016

Comments are closed.

×