Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Qeveria e Kosovës po gjen modalitetet më të mira për tërheqjen e investimeve të huaja direkte

22 Dhjetor, 2015

Prishtinë, 22 dhjetor 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në tryezën shkencore me temë “Investimet e Huaja Direkte në Kosovë”, të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa tha se ideja e tryezës ishte trajtimi i investimeve të huaja direkte nga disa dimensione, siç janë dimensioni i reformave institucionale të cilat po bëhen në Kosovë, dimensioni i tërheqjes së investimeve të huaja direkte lidhur me instrumentet dhe masat që duhet t’i ndërmerr vendi ynë, si dhe nga dimensioni i ri-industrializimit përmes investimeve të huaja direkte, dhe nga ai i privatizimit.
Duke folur për proceset aktuale ekonomike në vend, kryeministri Mustafa tha se tranzicioni është karakterizuar mes tjerash me liberalizimin e tregjeve për investitorët e jashtëm, me ç’ rast është bërë i mundur depërtimi i shumë kompanive në tregjet e ndryshme dhe në sektorë të ndryshëm edhe të vendeve të cilat kishin ekonomi të centralizuar. Duke iu referuar liberalizimit të tregjeve në kuptimin e “Konsensusit  të Uashingtonit”, kryeministri Isa Mustafa tha se kjo nuk është treguar e mjaftueshme për të tejkaluar rënien e menjëhershme të outputeve dhe krizave të njëpasnjëshme që kanë karakterizuar vendet në tranzicion në fillim të viteve të ’90-ta. “Për më tepër, në faza të ndryshme dhe të hershme, liberalizimi ka qenë edhe si një prej burimeve të shumë krizave në ekonomi. Ndryshimet të cilat kanë ndodhur në çmimet relative dhe liberalizimi i tregjeve ka krijuar presione konkurruese të cilat kanë quar në humbje financiare për shumë firma dhe në rënie të nivelit të prodhimit, por gjithashtu edhe subvencionet direkte të ndërmarrjeve janë ulur ndjeshëm dhe kanë shkaktuar një rënie fillestare të prodhimit që nuk ka mundur të kompensohet nga sektori privat, i cili rishtas është krijuar në këto vende”, tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se të gjitha këto janë studiuar në mënyrë të vëmendshme nga studiuesit kosovarë të cilët sot morën pjesë në këtë tryezë, dhe të cilët i kanë prezantuar punimet e tyre në shumë fusha.
Më tutje, kryeministri Mustafa tha se kjo tryezë nuk ka synim që në mënyrë gjithëpërfshirëse të shtjelloj çështjet e investimeve të huaja direkte por ka të bëjë me aspekte të caktuara të trajtimit të kësaj teme.
Më tej, gjatë tryezës, profesor Muhamet Mustafa ka prezantuar lidhur me investimet e jashtme direkte dhe ri-industrializimin, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, foli lidhur me rrethina e biznesit dhe investimet e huaja direkte, Fatmir Besimi dhe Rilind Kabashi lidhur me investimet e huaja direkte: Përvojat në Republikën e Maqedonisë, Bedri Hamza dhe Valentin Toçi prezantuan lidhur me investimet e huaja direkte në sektorët bankarë në Evropën Juglindore dhe në Kosovë, Alban Hashani foli për procesin e privatizimit dhe investimet e huaja direkte në Kosovë, Petrit Gashi rreth mbi një riorientim konceptual në politikëbërje dhe dy mekanizma të rëndësishëm në tërheqjen e investimeve të huaja direkte në Kosovë, Avdullah Hoti dhe Nazmi Zeqiri, prezantoi lidhur me temën “Tregu i punës: Tërheqës dhe shkurajues i investimeve të huaja direkte”, Artane Rizvanolli, tërheqja e investimeve të huaja direkte: Roli i kapitalit njerëzor, Sokol Havolli dhe Arben Mustafa, rrjedha e investimeve të huaja direkte në Kosovë si dhe Bejtush Kiçmari ka prezantuar rreth temës “Përcaktuesit e investimeve të huaja direkte në vendet e Evropës Juglindore”.
Ndërkaq, në një prononcim për media, kryeministri Isa Mustafa, tha se Qeveria e Kosovës po punon fuqishëm dhe ka gjetur modalitetet më të mira për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, si një prej fushave më të rëndësishme. “Jemi marrë vesh që edhe në Akademi të bëjmë një tryezë në të cilën do t’ju japim mundësinë që ekonomistë dhe teoricienë të ndryshëm të çështjeve makroekonomike të japin mendimet e tyre lidhur me përvojat, lidhur me hulumtimet empirike të cilat janë bërë deri më tani këtu dhe po ashtu lidhur me të gjeturat teorike që japin përparësi teorive të ndryshme të investimeve të huaja direkte. Ne jemi të interesuar që të gjejmë modalitetin i cili do të jap efekte shpërndarëse të këtyre investimeve, që do të thotë që ato të mos jenë të fokusuara vetëm në një fushë, apo vetëm në një lëmi, por të diversifikojnë rezultatet e tyre në më shumë lëmi. Jemi po ashtu të interesuar që të bëjmë ndryshme të caktuara sa i përket ndikimit të shtetit ose Qeverisë në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, gjë që tani po e bëjmë me ligjin për investime strategjike, por natyrisht do të marrim parasysh edhe të gjitha vërejtjet, sugjerimet dhe opinionit që sot janë dhënë këtu”, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, tha se Qeveria është e interesuar të verifikojë edhe njëherë aspektet teorike dhe praktike të kontributit të privatizimit të aseteve shoqërore, tërheqjen e investimeve të huaja direkte, por edhe zëvendësimin e procesit të privatizimit, më vonë, në proceset tjera të cilat në vazhdimësinë e tyre do të kontribuonin në këtë fushë. “Veçmas për efektet strukturore të ekonomisë, në pikëpamjet e asaj se si investimet e huaja direkte do të ndikojnë edhe në bilancin tregtar me jashtë, në eksport, dhe pastaj përmes eksportit prapë në shpërndarjen e efekteve në tërheqjen e investimeve të tjera. Unë mendoj se është një tryezë shumë e begatë në të cilën janë dhënë opinione të ndryshme për fusha të ndryshme, përfshirë edhe faktorin human, ose faktorin  njerëzor në këtë proces”, tha kryeministri Isa Mustafa.

 

Last modified: 22 Dhjetor, 2015

Comments are closed.

×