Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Protestat janë të ligjshme, por është koha për festë

14 Maj, 2016

Istog, 14 maj 2016
 
Gjatë vizitës në Istog, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në prononcimet e dhëna për disa medie të pranishme ka shpalosur qëndrimet e tij lidhur me zhvillimet në vend dhe protestën e opozitës në Prishtinë.
 
Kryeministri Mustafa ka thënë se më së miri ka qenë që sot në Prishtinë të kremtohen fitoret shumë të mëdha që i ka arritur Kosova gjatë këtij muaji, duke përfshirë rekomandimin për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në UEFA dhe FIFA dhe proceset tjera.

“Është hera e parë pas gjithë kësaj pritje që ne u barazuam me qytetarët e tjerë evropianë dhe duhet të përjetohet si sukses i të gjithëve, jo vetëm i pozitës por i të gjithë qytetarëve të Kosovës. Po ashtu të kremtojnë edhe anëtarësimin tonë në UEFA dhe në FIFA sepse janë organizatat më të mëdha botërore përkatësisht evropiane të futbollit. Ne do të jemi qytetarë të barabartë dhe pjesëmarrës të barabartë me të gjithë. Po ashtu, kemi edhe projekte tjera botërore sidomos këtë të MCC-së që e kemi fituar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që është një prej projekteve që iu kanë dhënë pak vendeve por është në bazë të meritave që i ka Kosova, ashtu siç i kemi marrë të gjitha të tjerat me meritë”, tha kryeministri.
 
Mirëpo, siç u shpreh kryeministri Mustafa, protesta është çështje legale, është e garantuar me Kushtetutë, është shprehje e mendimit të njerëzve, të qytetarëve dhe opozitës.

“Është mirë që kanë bashkëpunuar me organet e sigurisë, e kanë paraqitur protestën me kohë, që flet se i kanë respektuar të gjitha kushtet dhe ne do të dëgjojmë se çfarë thonë qytetarët. Ajo që është e mundshme të bëhet, natyrisht, gjithmonë do të jemi të vëmendshëm për kërkesat e qytetarëve, mirëpo janë disa gjëra të cilat unë mendoj se janë shumë të qarta edhe për këto dy parti politike edhe për qytetarët. Çështja e Asociacionit është rregulluar dhe përkufizuar shumë qartë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ajo do të bëhet ashtu si Gjykata Kushtetuese ka vendosur dhe çështja e Demarkacionit për të cilën edhe Komisioni ynë shtetërorë, edhe Komisioni i ekspertëve ndërkombëtarë, edhe Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e kanë vërtetuar se është aty ku ka qenë përpara vija administrative ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Tani ne s’po vëmë kufij të ri, vetëm po rishënohet kufiri i cili ka qenë. Në qoftë se, eventualisht herë do kurdo, vërehet se është bërë ndonjë gabim edhe pala mal
zeze por edhe marrëveshja e parasheh që gabimet të rregullohen me pajtimin e dy qeverive, kështu që s’do të ketë asnjë problem”, tha kryeministri.
 
Sa i përket kërkesës për dorëheqje të Qeverisë, kryeministri Isa Mustafa ka thënë Qeveria do ta çoj mandatin deri në qershor të vitit 2018, sepse është një Qeveri e cila po tregon suksese shumë të mëdha në proceset e integrimeve euroatlantike, të thellimit të miqësisë me ShBA-të, të reformave strukturore e ekonomike.

“Këto i kemi arritur në kushtet më të rënda që një Qeveri ka punuar pas luftës, sepse s’na u kanë dhënë as 100 orë normale që të punojmë e jo 100 ditë që të testojmë vetveten”, tha kryeministri.
 
Kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin për bashkëpunim me opozitën që bashkërisht të zgjidhen preokupimet dhe nevojat e qytetarëve.

“Sepse vota nuk është vetëm e pozitës, është edhe e përfaqësuesve përkatësisht e deputetëve të opozitës, ata kanë të drejtë të bëjnë kërkesa, kanë të drejtë të korrigjojnë pozitën dhe për ata janë në Kuvend dhe unë i ftoj që ata të kthehen në Kuvend, që të bashkëpunojmë, që të japin vërejtjet aty, dhe ashtu siç veprojnë demokracitë tjera të veprojmë edhe ne, jo jashtë Kuvendit”, tha kryeministri
 
Lidhur me mbarëvajtjen e protestës, kryeministri Mustafa ka shprehur bindjen se ajo do të jetë e qetë, duke iu referuar zotimeve të AAK-së edhe të NISMA-s.

“Ata e kanë marrë për obligim që të kujdesen që dikush të mos hyjë t’ua prishë protestën dhe besoj se vetë fakti që ata nuk e kanë ndjekur rrugën e dhunës dhe s’kanë dashtë ta vazhdojnë atë rrugë garantojnë se do të jetë një protestë e qetë, në të cilën ne do të kemi kujdes për çdo kërkesë dhe për çdo çështje që shtrohet”, tha kryeministri Mustafa.

Last modified: 14 Maj, 2016

Comments are closed.

×