Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Prokurimi elektronik rrit transparencën dhe minimizon korrupsionin në proceset e prokurimit

5 Janar, 2016

Prishtinë, 5 janar 2016

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në inaugurimin e platformës se prokurimit elektronik “Go Alive”.

Të pranishëm në këtë ngjarje, ku u prezantua faza e parë e kësaj platforme, ishin edhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, përfaqësuesi i Zyrë së BE-së, si dhe ministra e zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve në Kosovë.

Kryeministri Isa Mustafa, e ka quajtur të mbarë këtë vit, i cili po fillon me aplikimin e prokurimit elektronik në Kosovë, dhe që pritet të zgjerohet në të gjitha agjencionet kontraktuese të Kosovës, në gjysmën e këtij viti.

Kryeministri Mustafa ka vlerësuar se ky është një proces shumë i rëndësishëm për Kosovën. “Është një proces që lidhet me efiçiencën dhe efikasitetin e shpenzimeve të parasë publike, por edhe të projekteve të cilat ne i financojmë me paratë publike, sikurse atyre që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me furnizime, po ashtu edhe me investime kapitale, qoftë në organizata buxhetore, në kompanitë publike ose në agjencionet e pavarura të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, tha se qëllimi themelor është që përmes prokurimit elektronik të shtohet transparenca dhe konkurrenca në procesin e prokurimit, të ndikohet në uljen e çmimeve, dhe në kursimin e parasë publike, si dhe në cilësinë më të mirë të projekteve të cilat financohen me paranë publike. “Ne kemi bërë ndryshime të caktuara në Ligjin e Prokurimit Publik, i cili është aprovuar si ndryshim dhe plotësim i Ligjit në fund të vitit të kaluar. Përmes kësaj kemi rritur transparencën, kemi mundësuar që në procesin e prokurimit publik të marrin pjesë më shumë kompani të vogla dhe të mesme, përmes mundësisë që projektet të jepen në lote. Kemi mundësuar edhe që shoqëria civile të ketë hapësirën e vet në procesin e prokurimit publik, gjë që nuk e ka pasur më parë, dhe po ashtu e kemi bërë harmonizimin e të gjitha procedurave me direktivat e Bashkimit Evropian. Për ne është me rëndësi që të fillojmë në mënyrë të suksesshme këtë proces të prokurimit në agjencionet qeveritare dhe në kompanitë publike, tani në fillim të vitit, dhe të krijojmë mundësi që ta shtrijmë në të gjitha agjencionet kontraktuese të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri.

Duke theksuar se nuk pret që prokurimi elektronik të jetë shkop magjik përmes të cilit do të zgjidhen të gjitha problemet në procesin e prokurimit, kryeministri Mustafa tha se është shumë e qartë që përmes tij do të ketë një pasqyrë të qartë të procedurave të prokurimit publik që nga fillimi deri në mbarim, përmes të cilit do të shihen të gjitha gjurmët, qoftë të mira apo të padëshiruara në procesin e prokurimit. “Kjo do të mundësojë që ne këto t’i eliminojmë, ta rrisim transparencën, dhe po ashtu ta rrisim edhe përgjegjësinë, ta ulim korrupsionin në proceset e prokurimit publik, që ka qenë një prej brengave tona më të mëdha deri më tani”, tha kryeministri.

Duke bërë të ditur se përmes prokurimit elektronik do të rritet efiçienca e shfrytëzimit të parasë publike dhe kursimi i parasë publike nga pesë deri në dhjetë për qind, kryeministri Mustafa tha se kjo nuk i takon vetëm mjeteve buxhetore por edhe atyre të kompanive publike. “Tek kompanitë publike, informacionet që unë kam marrë nga kryetari, janë se ky kursim mund të jetë edhe më i madh se sa 10 për qind, ndërkaq kursimet administrative, sipas vlerësimeve të Ministrisë së Financave, arrijnë deri në 30 për qind të këtij procesi të prokurimit. Ne do t’i japim përkrahje të plotë si Qeveri e Republikës së Kosovës, që sa më shpejt të aplikojmë prokurimin elektronik në të gjitha agjencionet kontraktuese, do të japim po ashtu përkrahje të plotë transparencës dhe rritjes së konkurrencës në të gjitha fazat e prokurimit publik dhe të auditimit të këtyre proceseve”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa theksoi se përmes kësaj platforme po realizohen edhe synimet e Programit Qeverisës dhe kërkesat e qytetarëve, të agjencioneve të pavarura, të shoqërisë civile, dhe të komunitetit ndërkombëtar, që të luftohet korrupsioni dhe çdo burim i korruptimit sa i përket shfrytëzimit të parasë publike, përkatësisht konflikteve që ndodhin ndërmjet parasë publike të sektorit publik dhe sektorit privat.

Kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), Safet Hoxha, tha se ky moment paraqet një stad të ri të zhvillimit të sistemit të prokurimit publik në Kosovë. “KRPP në bashkëpunim me gjashtë autoritete kontraktuese, duke përfshirë ministri, kompani publike dhe komuna që nga sot do të fillojë zbatimin në praktikë të kësaj platforme në një periudhë gjashtë mujore me qëllim të testimit të funksionalitetit të saj e po ashtu do të shërbej edhe si një testim i tregut kosovar në përgjigje të aplikimit të kësaj platforme”, tha Hoxha. Ai ka theksuar se aplikimi i platformës elektronike do të ketë një ndikim substancial në sistemin e prokurimit publik në Kosovë dhe se përdorimi i saj do të rrisë transparencën dhe konkurrencën efektive në prokurim, si dhe do të mundësojë publikim të të gjitha kontratave në një platformë me qasje nga e gjithë bota.

Libor Chlad, nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka folur për rëndësinë e prokurimit elektronik, në mënyrë që çfarëdo tenderi ose kontrate të mund të aplikohen në mënyrë elektronike. Sipas Chlad,  prokurimi elektronik do të rris transparencën në prokurim dhe do të lehtësoj dhe zvogëlojë të gjitha parregullsitë.

“Me fjalë të tjera, opinioni publik do t’i ketë më të qarta nëse do të ketë shpenzime të parasë publike”, tha Chlad, duke folur edhe për rëndësinë dhe reformat që po bëhen në prokurim me përkrahje të BE-së, duke shtuar se prokurimi elektronik është një prej treguesve që Kosova është në rrugën e duhur të integrimit në BE.

Në fund, përfaqësuesi i kompanisë INFO DOM-KOMTEL bëri prezantimin e arkitekturës dhe funksionimit të sistemit të prokurimit elektronik.

 

Last modified: 5 Janar, 2016

Comments are closed.

×