Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa priti Komandantin Suprem të NATO-s për Evropë

1 Korrik, 2016

Prishtinë, 1 korrik 2016
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim Komandantin Suprem të NATO-s për Evropë, Gjeneralin Curtis M. Scaparrotti.
 
Kryeministri Mustafa e njoftoi për progresin në Kosovë dhe prioritetet e Qeverisë për zhvillim ekonomik, integrime euroatlantike si dhe fuqizimin e shtetit ligjor.
 
Kryeministri Mustafa foli edhe për fuqizimin e sektorit të sigurisë, si dhe përgatitjet e bëra për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës.
 
Duke shprehur mirënjohjen e qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të trupave të NATO-s, kryeministri Mustafa theksoi respektin dhe mbështetjen e madhe që KFOR-i gëzon te qytetarët e Kosovës.
 
Komandanti Suprem i NATO-s për Evropë, Gjenerali Curtis M. Scaparrotti, tha se NATO është e përkushtuar në misionin e saj në Kosovë.
 
Gjenerali Scaparrotti, po ashtu, shprehu vazhdimin e përkrahjes së NATO-s për Kosovën, duke përfshirë edhe trajnimin dhe avancimin e FSK-së si dhe aspekteve tjera që lidhen me sigurinë.
 
Gjenerali Scaparrotti, ka folur edhe për rëndësinë që stabiliteti i Ballkanit Perëndimor ka për Evropën, dhe po ashtu ka theksuar rëndësinë e progresit në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit.

Last modified: 1 Korrik, 2016

Comments are closed.

×