Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa priti investitorë potencialë nga SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar

11 Nëntor, 2015

Prishtinë, 11 nëntor 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim përfaqësues të kompanisë amerikane “Stone Alliance”, të udhëhequr nga ish-gjenerali Michael Berbero, si dhe përfaqësues të kompanisë nga Londra, “Fox Marble”.

Kryeministri Mustafa, i njoftoi investitorët lidhur me lehtësirat fiskale që janë ndërmarrë gjatë vitit 2015, të cilat e kanë lehtësuar ndjeshëm të bërit biznes në Kosovë dhe po ashtu, i njoftoi lidhur me përmirësimin e vazhdueshëm të ambientit të të bërit biznes, që po e karakterizon ekonominë kosovare.
 
Gjatë takimit, investitorët potencialë në industrinë e mermerit, shprehën interesimin e tyre që të lëvizin shumë shpejt me investime prej mbi 100 milionë eurosh në Kosovë, investime këto që do të krijonin nga 2000 deri në 3000 vende të punës.
 
Kryeministri Isa Mustafa shprehu përkrahjen e plotë të Qeverisë së Kosovës për këtë projekt, duke i njoftuar edhe me përmbajtjen e përgjithshme të Ligjit për Investime Strategjike, i cili siguron kushte të nevojshme që të krijohet hapësirë për investime dhe gjenerim të vendeve të reja të punës.
 

Last modified: 11 Nëntor, 2015

Comments are closed.

×