Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa priti Drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të KE-së, Christian Danielsson

10 Tetor, 2016

Prishtinë, 10 tetor 2016
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim Drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian, Christian Danielsson.
 
Kryeministri Mustafa gjatë takimit e njoftoi z. Danielsson për zhvillimet politike në vend si dhe për progresin e Kosovës në përmbushjen e agjendës evropiane.
 
Pas takimit Kryeministri Mustafa dhe z. Danielsson janë prononcuar para medieve të pranishme.
 
Kryeministrit Mustafa tha se me z. Danielsson kanë biseduar për çështjet të cilat janë në interes të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
 
“Biseduam për implementimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim dhe rezultatet që janë arritur deri më tani, për çështjen e reformave evropiane të cilat ne duhet t’i aplikojmë në shumë fusha dhe për të cilat ne kemi shprehur interesim të veçantë që këtë proces ta çojmë bashkërisht me Bashkimin Evropian, në fushën e sundimit të ligjit, në fushën e konkurrueshmërisë së tregut, në fushën e punësimit dhe të arsimit, që janë fusha të interesit vital për Kosovën, por për të cilat ne kemi nevojë që bashkërisht të punojmë me Bashkimin Evropian. Ne mirëpresim ardhjen e Komisionerit Hahn në të ardhmen që ne të ulemi të përcaktojmë agjendën dhe planin e implementimit të të gjitha çështjeve që ne i konsiderojmë se janë të interesit të përbashkët”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, tha se kanë biseduar edhe për çështjen e liberalizimit të vizave.

“Dhamë zotimin tonë se ne do të punojmë që të përmbushim edhe dy kriteret e mbetura, do të thotë të ratifikimit të marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, dhe se do të punojmë edhe me opozitën, do të punojmë edhe me banorët e zonave kufitare në mënyrë që të sqarojmë të gjitha çështjet që ata i kanë hapur. Por, me Malin e Zi nuk e kemi asnjë problem për arsye se sa i përket Malit të Zi ne jemi plotësisht të kënaqur me bashkëpunimin me ta, me korrektësinë e tyre dhe po ashtu që të gjitha të dhënat e deritanishme flasin se vija kufitare është ajo që ka qenë edhe përpara dhe se territori i Kosovës mbetet i pandryshuar me këtë vijë kufitare”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa është zotuar se do të punohet edhe më tutje sa i përket progresit në sundimin e ligjit, luftimin kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe se ky është një proces i cili do të vazhdojë edhe më tutje.

“Ne do të përkrahim organet e drejtësisë që ata ta bëjnë punën e tyre dhe si Qeveri kemi ndërmarrë dhe do të ndërmarrim të gjitha masat që ata që bien në kundërshtim me ligjin t’i bartin pasojat e saj. Në këtë aspekt kemi pasur suspendime të njerëzve ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza dhe po ashtu edhe lirime nga detyra të qeveritarëve dhe sekretarëve të ministrive të cilët po ashtu janë ballafaquar me raste të tilla”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa ka bërë të ditur se ka qenë vlerësim i përbashkët se duhet të punohet në çuarjen përpara të dialogut me Serbinë dhe se dialogu është një proces që është i nevojshëm për të dyja palët për normalizimin e marrëdhënieve. “Por, me prioritet do të angazhohemi në implementimin e marrëveshjeve të arritura dhe në hapjen e çështjeve të tjera të cilat do të ndihmojnë që sa më shpejtë t’i normalizojmë marrëdhëniet dhe të jetojmë si fqinjë të mirë me Serbinë. Ne vlerësojmë se dialogu do të ndihmojë edhe më tutje në integrimin e popullatës serbe, që ata t’i ushtrojnë detyrat e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës, në Parlament dhe në Qeveri. Ndërkaq, po ashtu e njoftova edhe lidhur me natyrën edhe objektivat e Ligjit për Trepçën, një çështje e cila ka ndikuar që deputetët serbë në Kuvend dhe anëtarët e Qeverisë të shprehin pakënaqësinë e tyre. Ky Ligj është në dobi të të gjithëve, në dobi të zhvillimit ekonomik, në dobi të stabilitetit ekonomik të familjeve dhe punëtorëve që përfshihen në këtë kompleks, por edhe të perspektivës zhvillimore në të ardhmen, sepse Trepça do të zhvillohet si korporatë  e cila do të merr pjesë në berzën e metaleve jashtë dhe assesi si organizatë e cila do të ushtrojë ose do të realizoj objektiva politike”, tha kryeministri.

Krejt në fund, kryeministri Isa Mustafa e ka falënderuar për atë që Bashkimi Evropian po bënë për Kosovën dhe ka shprehur zotimin që Kosova do të përmbush të gjitha detyrimet ndaj Bashkimit Evropian në mënyrë që të kalojë sa më shpejtë proceset e integrimeve evropiane.

Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim i Komisionit Evropian, Christian Danielsson, tha se gjatë takimit është biseduar për situatën politike dhe ekonomike në Kosovë, si dhe progresin e arritur në rrugën evropiane të Kosovës.

“Gjithashtu, në këtë kontekst, kemi diskutuar edhe Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit që është një hap shumë i rëndësishëm para në kuadër të këtij procesi. Ajo tash është nënshkruar dhe është shumë me rëndësi që të sigurohemi se do zbatohet.  Ajo [marrëveshja] do t`i jap mundësi Kosovës që të integrohet në tregun e vetëm evropian, që vetvetiu është shumë i rëndësishëm. Në këtë kontekst, gjithashtu kemi diskutuar, dhe kryeministri tregoi për vendosmërinë për të ecur para në agjendën e reformës ekonomike, si dhe kemi diskutuar se cilat janë elementet afatshkurtra që janë aq të rëndësishme, dhe në të cilat do fokusohemi në veçanti, si sundimi i ligjit dhe institucionet publike që mund të ofrojnë atë, çështjet e konkurrencës dhe investimeve, si dhe të sigurohemi që strukturat ekonomike në Kosovë mund të përmirësohen që të nxjerrin potencialin e plotë nga MSA. Së treti, çështjen e punësimit dhe arsimit që janë shumë të rëndësishme duke marr parasysh shkallën e papunësisë në këtë vend, por edhe duke marr parasysh se sa i rëndësishëm është arsimi për fuqizimin e konkurrueshmërisë. Nga këndvështrimi i Komisionit Evropian, ne jemi të gatshëm dhe zotohemi që të japim mbështetjen tonë të plotë për këtë agjendë dhe e mirëpresim zbatimin e saj. Jemi të bindur që ky do të jetë një hap i rëndësishëm në rrugën evropiane të Kosovës”, tha Danielsson.

Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim i KE-së po ashtu tha se kanë diskutuar lidhur me kriteret e mbetura për procesin e liberalizimit të vizave.

“Duhet të rikujtojmë se nga 95 kriteret që kanë ekzistuar Kosova ka përmbushur 93 dhe dy mbeten të përmbushen. Unë mund të përsërisë ato që thatë ju kryeministër, se kriteret e mbetura kanë të bëjnë me demarkacionin me Malin e Zi dhe me fuqizimin e vazhdueshëm të regjistrit penal (track record), që nënkupton zbatimin e tij në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar kombëtar ”, tha Danielsson, duke shprehur zotimin e plotë që të vazhdojnë mbështetjen për progresin e Kosovës në realizimin e perspektivës evropiane.

Last modified: 10 Tetor, 2016

Comments are closed.

×