Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa prezantoi të arriturat dhe rezultatet konkrete të qeverisjes një vjeçare

9 Dhjetor, 2015

Prishtinë, 9 dhjetor 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka mbajtur sot një konferencë për gazetarë, ku ka prezantuar të arriturat konkrete të Qeverisë së Kosovës gjatë vitit të parë të qeverisjes.
Kryeministri Mustafa vlerësoi se ky vit ka qenë një vit i ballafaqimit me vendime të mëdha, dhe një vit i fillimit të ndryshimeve të mëdha në Kosovë.
Duke vlerësuar se koalicioni qeverisës ka qenë stabil, kryeministri Mustafa tha se është arritur që të kapërcehen të gjitha situatat e krijuara pas marrjes së disa vendimeve mjaft të ndjeshme por që kanë qenë të dobishme për perspektivën integruese euroatlantike të Kosovës.

“Kemi qenë shumë të kujdesshëm që të vazhdojmë agjendën evropiane, të bashkëpunojmë me të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që të përmbushim kriteret tona për integrime në Bashkimin Evropian, të përmbushim kriteret sa i përket Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, të cilën e konsiderojmë si marrëveshje shumë të rëndësishme për Kosovën, sepse me të kemi arritur që për herë të parë të krijojmë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, dhe po ashtu edhe kriteret për liberalizimin e vizave. Vlerësojmë se ne i kemi përmbushur këto kritere dhe se vetëm presim vendimin politik të Bashkimit Evropian. Kemi fuqizuar po ashtu edhe rolin tonë ndërkombëtar, sepse kemi pasur takime shumë të rëndësishme gjatë këtij viti me përfaqësuesit më të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me kancelaren Merkel, me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian, me organizata të ndryshme regjionale dhe ndërkombëtare, dhe po ashtu me institucione financiare ndërkombëtare të cilat na kanë ndihmuar që ne të kemi përkrahjen e tyre për zhvillimin ekonomik dhe për realizimin e agjendës tonë ekonomike”, tha kryeministri.
Duke folur për përmbushjen e reformave ekonomike dhe të reformave fiskale, kryeministri Mustafa u shpreh krenar që gjatë këtij viti nuk ka pasur asnjë aferë të korrupsionit në dikasteret qeveritare dhe do të bëhen përpjekje maksimale që Qeveria ta bëjë punën e vet në bazë të ligjit dhe që maksimalisht të minimizojmë çdo mundësi  korruptive dhe të krimit të organizuar duke përkrahur shtyllën e drejtësisë që ajo ta bëjë punën e vet maksimalisht.
“Vlerësojmë se si një e arritur e rëndësishme është edhe marrëveshja që kemi pasur gjatë këtij viti me Fondin Monetar Ndërkombëtar, e cila marrëveshje na ka mundësuar që ne të stabilizojmë tërësisht buxhetin, të krijojmë stabilitet makro-ekonomik të vendit dhe po ashtu të hapim perspektivën që Kosova të mund të merr hua ndërkombëtare dhe hua të brendshme për zhvillim ekonomik e cila do të gjeneronte vende të punës, dhe po ashtu do të mundësonte që buxheti në të ardhmen të rritet në bazë të rritjes dhe zhvillimit ekonomik, dhe jo vetëm mbi bazën e konsumit dhe mbi bazën e ngarkimit të qytetarëve tanë dhe të bizneseve me tatime dhe taksë”, tha kryeministri Mustafa.
Duke folur për Marrëveshjen për Stabilizim Asociim, kryeministri Mustafa tha se ajo ka mundësuar që përpos fondeve që do të merren nga Bashkimi Evropian, që janë fonde të IPA-s deri në vitin 2020, që kapërcejnë 643 milionë euro, ajo do të mundësojë edhe qasje në tregun e Bashkimit Evropian, prej rreth 500 milionë banorëve, që është një shans shumë i mirë i prezencës së produkteve dhe shërbimeve tona në tregun e BE-së. “Po ashtu, është një shans i mirë që ne të bëjmë reformën ekonomike, të rrisim konkurrueshmërinë e bizneseve tona, dhe të jemi konkurrent në këtë treg të Bashkimit Evropian, që është një treg shumë i rëndësishëm për ne”, tha kryeministri Mustafa.
Kryeministri Isa Mustafa, theksoi se ndër fushat kryesore ekonomike të cilat janë përkrahur gjatë këtij viti është bujqësia e cila është përkrahur me mbi 50 milionë euro si subvencione apo grante. “Kjo ka mundësuar që gati të gjitha sipërfaqet tokësore të punohen këtë vit, që është një sukses shumë i madh. Mbetet që pastaj vetëm të punojmë edhe më shumë në përpunimin e produkteve bujqësore, produkteve primare bujqësore, dhe me këtë të zëvendësojmë importin me produkte vendore. Dhe, po ashtu, kemi pas përkrahje nga USAID-i dhe nga organizatat tjera ndërkombëtare, të përkrahjes së bujqësisë dhe të fushave tjera”, tha kryeministri Mustafa.
Kryeministri Isa Mustafa tha se kanë vazhduar ndërtimet infrastrukturore, është investuar në autostradën për Shkup, dhe është arritur një tempo mjaft e suksesshme e punimeve në këtë autostradë.
“Kemi arrit që të inkuadrohemi si partner i barabartë me vendet në regjion, apo të Ballkanit Perëndimor, në agjendën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që ka filluar vitin e kaluar në Berlin, dhe kemi vazhduar sivjet në Vjenë, që do të mundësonte edhe kryerjen e projekteve tjera infrastrukturore. Kemi filluar tani me sigurimin e mjeteve për financim të hekurudhës. Dje është nënshkruar një kontratë prej mbi 43 milionë euro me Bankën Investive Evropiane. Kemi, po ashtu, për aq edhe përkrahjen e Komisionit Evropian, dhe do të vazhdojmë me nënshkrimin e kontratës me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për këtë investim që do të jetë rreth gati 200 milionë euro, dhe i cili do të krijonte kushte shumë të rëndësishme për gjenerim të zhvillimit ekonomik. Kemi nënshkruar kontratën për Projektin Turistik në Brezovicë, që është një kontratë mbi 400 milionë euro, dhe presim që deri në fund të këtij muaji, të përmbushen kriteret e sigurimit të mjeteve për tre vitet e para, prej 160 milionë eurove, në mënyrë që të filloj implementimi i këtij projekti. Në Projektin e Brezovicës është planifikuar që të punësohen ndërmjet 3 mijë dhe 4 mijë punonjës, me rastin e përfundimit të përmbylljes së këtij projekti. Dhe, po ashtu, kemi filluar marrëveshjen me “Contour Global” të Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, në vlerë prej 1 miliard eurove, që do të krijonte kushte që të stabilizohej furnizimi me energji elektrike, pas vitit 2020-2021, por po ashtu do të gjeneronte edhe punë për të gjitha firmat kosovare dhe firmat tjera, në procesin e ndërtimit, sepse është një investim shumë i madh privat prej 1 miliard euro, që do të rris bruto produktin vendor të vendit, do të rris punësimin dhe do të rris gjenerimin ekonomik”, tha kryeministri Mustafa.
Kryeministri i Kosovës, po ashtu tha se rëndësi i është dhënë edhe mirëqenies sociale gjatë kësaj periudhe.
“Te mirëqenia sociale kemi siguruar rritje reale të pagave prej 6 për qind. Është fjala për implementimin e përvojës së punës, e cila ka ngërthyer në veti edhe mjete buxhetore prej 6 për qind, si rritje mesatare e pagave të gjithë punonjësve, edhe pse ne nuk kemi shpall rritje të pagave. Kemi filluar me implementimin e pensioneve për veteranët, dhe mendoj se është një sukses i rëndësishëm, sepse e kemi përmbyll këtë proces. Kemi rritur ndihmat sociale për 25 për qind, që prapë është një përkrahje e madhe e familjeve që kanë nevoja sociale. Kemi rrit pensionet e kontributdhënësve, për rreth 23 milionë, që prej fillimit të vitit të ardhshëm, pensionet do të jenë shumë stabile dhe mendoj se do të arrijnë që të mbulojnë shpenzimet që i kanë qytetarët tanë si pensionistë. Po ashtu edhe falja e borxheve të Qeverisë, të kompanive publike, që kemi llogarit se është rreth 600 milionë euro, është një kontribut i rëndësishëm, edhe në pikëpamje sociale edhe në pikëpamje të pastrimit të llogarive, dhe të zbatimit të ligjit”, tha kryeministri.
Lidhur me përkrahjen e donatorëve, kryeministri Isa Mustafa tha se vetëm në fushën e shëndetësisë janë siguruar donacione për këtë vit dhe për dy tre vitet e ardhshme, për rreth 60 milionë euro, të cilat do të ndikojnë që të ndërtohen edhe objekte të reja të shëndetësisë dhe pajisje e furnizim shumë stabil me barna.
“Në sektorët e tjera, mund të themi se është një rezultat i mirë sa i përket investimeve të huaja direkte, sepse ne kemi arritur që gjatë këtij viti të kemi investime të huaja direkte më shumë se sa në vitin 2013. Nuk po krahasohemi me vitin 2014, sepse është konsideruar se ka qenë një vit në të cilin nuk kemi pasur qeverisje stabile, kemi pas zgjedhje, s’kemi pas konstituim të institucioneve. Do të thotë, është diku 46 për qind më shumë se në vitin 2013, është po ashtu mbi 20 për qind më shumë se në vitin 2012, që e konsiderojmë se është rezultat i asaj që investitorët e jashtëm po e konsiderojnë se janë stabile marrëdhëniet ekonomike në të cilat ata mund të investojnë në Kosovë, pra që rrethina ekonomike është stabilizuar. Dhe një indikator tjetër i stabilizimit të rrethinës ekonomike është edhe ulja e normave të interesit, sepse për herë të parë kemi norma të interesit të cilat kanë arritur në mes të 6 dhe 7 për qind në Kosovë, që s’kemi pas vite me radhë. Ju e dini që normat e interesit kanë qenë mbi 10 për qind dhe kushtet e financimit të zhvillimit ekonomik kanë qenë shumë të vështira”, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa bëri të ditur se tani po punohet në Planin Nacional të Zhvillimit dhe se në fillim të vitit është aprovuar Programi i Reformave Ekonomike si pjesë e detyrimeve ndaj Bashkimit Evropian.
Kryeministri Isa Mustafa tha se prioritetet themelore në vitin e ardhshëm do të jenë zhvillimi ekonomik e rritja e punësimit si dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si parakusht që Kosova të krijojë besim më të madh për ardhje të investimeve të huaja direkte në Kosovë.

Last modified: 9 Dhjetor, 2015

Comments are closed.

×