Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Pranimi në FIFA fitore e shumëfishtë e Kosovës

13 Maj, 2016

Prishtinë, 13 maj 2016

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i është bashkuar festës së organizuar nga Federata e Futbollit të Kosovës pas pranimit në FIFA.

Kryeministri Mustafa ka uruar qytetarët, njerëzit e futbollit dhe të gjithë sportdashësit për suksesin e madh të pranimit të Kosovës në familjen botërore të futbollit, FIFA.

Sukseset që po arrihen së fundi në Kosovë, siç tha kryeministri Mustafa, janë rezultat i punës, përkushtimit dhe vendosmërisë së qytetarëve dhe institucioneve në të gjitha nivelet, për të ecur përpara në rrugën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu,  ka vlerësuar lartë punën që ka bërë FFK-ja dhe kryetari i saj, Fadil Vokrri, në Meksikë.

“Ju keni punuar shumë dhe na e keni zbardhur fytyrën. Ne do të reflektojmë vlerat tona në arenën ndërkombëtare, ndërkaq si Qeveri do të punojmë dhe do të jemi përkrah jush në çdo moment”, tha kryeministri, duke premtuar mbështetje konkrete në të gjitha aspektet që lidhen me zhvillimin e futbollit, përfshirë edhe përgatitjen e infrastrukturës së nevojshme.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, tha se pranimi i Kosovës në FIFA si anëtari i 210, duke marrë 141 vota për dhe vetëm 23 kundër në kongresin e FIFA-s, është edhe një fitore e Republikës së Kosovës përballë atyre që po përpiqen të bllokojnë proceset anëtarësuese dhe integruese ndërkombëtare, duke theksuar se kjo dëshmon fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Last modified: 13 Maj, 2016

Comments are closed.

×