Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa përuroi Shkollën e Mesme “Ulpiana” në Lipjan

1 Qershor, 2016

Lipjan, 1 qershor 2016
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në përurimin e Shkollës së Mesme “Ulpiana” në Lipjan, e cila është ndërtuar me standardet më të larta, e financuar nga Qeveria e Kosovës.
 
Para qindra nxënësve, mësimdhënësve dhe qytetarëve në këtë përurim, kryeministri Mustafa i përgëzoi për këtë shkollë të shkëlqyeshme, duke premtuar përkrahjen e mëtejshme të Qeverisë së Kosovës.
 
“Ju uroj për hapjen e kësaj shkolle kaq të bukur dhe funksionale e cila ofron perspektivë të shkëlqyeshme për mësim përmbajtjesor dhe për suksesin e juaj. Ne nuk do të ndalemi vetëm te kjo shkollë. Ne do të vazhdojmë edhe me shkolla tjera. Edhe përkundër ndërtimit të kësaj shkolle, ne do të mundohemi që me Ministrinë e Arsimit të sigurojmë që edhe shkolla tjetër profesionale së shpejti të ketë ambiente dhe objekte të këtij niveli”, tha kryeministri, duke theksuar angazhimin e Qeverisë edhe për ngritjen e cilësisë së arsimit në Lipjan dhe më gjerë.
 
Kryeministri Mustafa, me këtë rast, ka uruar 1 Qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.
 
“Sot është një ditë e veçantë për ne. Është 1 qershori, Dita e Fëmijëve. Ne të gjithë do të angazhohemi që fëmijëve tanë t’ju sigurojmë kushte më të mira, që ata ta gëzojnë ardhmërinë e tyre, që ata të kenë kushte si fëmijët tjerë të botës, t’i realizojnë ëndrrat e tyre, dhe t’i realizojnë dëshirat e tyre”, tha kryeministri Isa Mustafa, me këtë rast.
 
Të pranishmit e shumtë në këtë përurim i përshëndetën edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti dhe drejtori i Shkollës, Semir Gashi.
 
Në fund, për drejtuesit e mëhershëm dhe kontribuuesit e veçantë të arsimit në këtë shkollë janë ndarë mirënjohje nga Komuna e Lipjanit, të cilat janë shpërndarë nga kryeministri Mustafa, ministri Bajrami dhe kryetari Ahmeti.

Last modified: 1 Qershor, 2016

Comments are closed.

×