Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Përkushtim i posaçëm i Qeverisë në mirëqenien e fëmijëve të Kosovës

13 Qershor, 2016

Prishtinë, 13 qershor 2016
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e radhës të Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve që funksionon në kuadër të Qeverisë së Kosovës.
 
Kryeministri Isa Mustafa shprehu përkushtimin e tij personal dhe të Qeverisë së Kosovës për fëmijët e Kosovës, të cilët, siç u shpreh kryeministri, përfaqësojnë realitetin e sotëm dhe të ardhmen e suksesshme të vendit.
 
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë vazhdimisht përparime në punën e saj drejt vendosjes së fëmijëve në listën e prioriteteve dhe këtë e kemi bërë edhe përmes Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit 2018-2021, ku të gjitha shtyllat tematike të saj në mënyrë direkte apo indirekte orientojnë përpjekjet e Qeverisë drejt zhvillimit të infrastrukturës arsimore, shëndetësore, rritjen e sundimit të ligjit, si dhe zhvillimin e infrastrukturës tjetër të nevojshme për qëndrueshmëri të vendit tonë”, tha kryeministri.
 
Më tej, kryeministri Mustafa bëri të ditur se Qeveria po bën përpjekje që Kosovën ta bëjë një nga vendet më të mira në aspektin e mirëqenies së shëndetshme të fëmijëve, në mënyrë që ata të zhvillohen si potencial i plotë i ardhmërisë.
 
“Edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka përfshirë Konventën për të Drejtat e Fëmijëve në listën e instrumenteve ndërkombëtare bazuar në vlerësimet dhe studimet ndërkombëtare dhe vendore dedikuar legjislacionit, i cili i dedikohet fëmijëve. Prandaj, nuk është vështirë të konkludojmë se legjislacioni pozitiv i Kosovës është në përputhje me normat, parimet dhe standardet ndërkombëtare, e që njëherësh reflekton edhe zotimet e institucioneve të Kosovës për realizimin e të drejtave të fëmijëve. Duke qenë një shoqëri, ku 60 për qind e popullsisë konsiderohet të jetë e përbërë nga fëmijët dhe të rinjtë, atëherë nuk mjafton të kemi vetëm ligje dhe politika të mira, por është me rëndësi themelore të punohet në mënyrë sistematike dhe efektive dhe të investohet që këto norma ligjore dhe politika strategjike të bëhen realitet dhe t’i realizojmë në përditshmërinë tonë”, tha kryeministri.
 
Kryeministri Mustafa, më tutje, theksoi se investimet në fëmijë, në shëndetin, ushqyeshmërinë, zhvillimin dhe edukimin social e emocional dhe në arritjen e barazisë gjinore, janë investime në shoqërinë demokratike dhe investim ekonomik me vlera të mëdha të kthimit të këtyre investimeve.
 
Ndërkaq, duke vlerësuar punën e Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve në shpalosjen e planeve konkrete drejt përmbushjes së objektivave strategjike qeveritare dhe përmirësimit të treguesve për të drejtat e fëmijëve, kryeministri kërkoi që prioritetet, konkluzionet dhe rekomandimet e këtij takimi të trajtohen me kujdes dhe që rekomandimet të shndërrohen në veprime dhe të futen në planet e tyre.
 
Kryeministri Mustafa falënderoi organizatat ndërkombëtare dhe UNICEF-in për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre në këtë fushë si dhe organizatat joqeveritare për punën përmbajtjesore që po e bëjnë për zhvillimin dhe ardhmërinë e Kosovës.
 
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, theksoi angazhimet e Ministrisë së Arsimit drejt ofrimit të arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës për të gjithë fëmijët e Kosovës.
 
“Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës edhe politikat e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kanë për qëllim integrimin e të drejtave të fëmijëve në sistemin arsimor në përgjithësi, duke promovuar dhe siguruar barazi të plotë, pa dallim gjinie, etnie, gjendje fizike, intelektuale, sociale, apo rrethana të tjera në të cilat mund të gjendet fëmija. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka për qëllim që të gjitha institucionet arsimore të koordinojnë aktivitetet e tyre në harmoni me zbatimin dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve, në funksion të edukimit dhe arsimimit të drejtë të fëmijëve tanë, gjithnjë duke u bazuar në të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutë dhe ligje”, tha ministri Bajrami.
 
Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, paraqiti disa nga aktivitetet që kanë për qëllim ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për fëmijët dhe ofrimin e shërbimeve të sigurta.
 
“Ministria e Shëndetësisë ka në planin e saj strategjik një fokus të veçantë të shëndetin për nënat dhe fëmijët dhe janë duke u bërë shumë punë në bashkëpunim me OBSH-në dhe UNICEF-in dhe me të tjerët, që këto shërbime të jenë sa më cilësore. Viteve të fundit janë arritur rezultate të lakmueshme, sidomos në uljen e vdekshmërisë së të porsalindurve dhe përkundër kësaj ne ende mbetemi një nga vendet që kanë vdekshmërinë më të lartë, ende kemi vdekshmërinë dyshifrore”, tha ministri Rrahmani, duke theksuar se pretendimet janë që kjo të bije në më pak se 10 për qind.
 
Laila Omar Gad, shefe e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, përgëzoi Grupin Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve, ngase siç tha ajo, ky është vend ku mund të diskutohet progresi, sfidat dhe të arrihet pajtueshmëri mbi prioritetet për të vazhduar promovimin e realizimit të të drejtave të fëmijëve në Kosovë.
 
“Në këtë takim specifik do të doja të ndajë me ju kontributin të cilin UNICEF e ka dhënë duke punuar për së afërmi me partnerët nga institucionet e juaja për të zhvilluar një agjendë për fëmijët e cila do të ishte në rrugë me agjendën kombëtare 2016-2021”, tha ajo.
 
Duke folur për situatën e përgjithshme të fëmijëve në Kosovë, znj. Omar Gad, theksoi se rezultatet të cilat kanë dalë nga viti i kaluar tregojnë se njohuria mbi të drejtat e fëmijëve është ngritur shumë në Kosovë.
 
“Tani e dimë se cila është situata e fëmijëve në Kosovë bazuar në punën dhe studimin që është bërë në Kosovë në vitet e fundit, por po ashtu edhe përmes këtij elementi të rëndësishëm i cili hedh dritë mbi situatën e fëmijëve në dimensione të ndryshme”, tha Omar Gad.
 
Sipas saj të dhënat tregojnë se në Kosovë është shënuar progres në shumë fusha, por theksoi se të dhënat po ashtu dëshmojnë se ka pabarazi, sidomos për fëmijët e komuniteteve romë, ashkalinjë dhe egjiptianë.
 
Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë, foli për strategjinë dhe planin e veprimit për të drejtat e fëmijëve, duke përmendur punët që janë kryer në këtë drejtim.
 
“Në të njëjtën kohë e kemi parë të arsyeshme që për zhvillimin e këtij dokumenti ta ndjekim parimin gjithëpërfshirës. Kemi pasur konsultime me komunat e Kosovës për të parë për së afërmi dhe për të krijuar vizionin e përbashkët për të drejtat e fëmijëve”, tha Hajredini.

Last modified: 13 Qershor, 2016

Comments are closed.

×