Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa përkujtoi komandantin e shquar të luftës çlirimtare, Kolonelin Tahir Zemaj

4 Janar, 2016

Prishtinë, 4 janar 2016
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në 13 vjetorin e vrasjes, përkujtoi komandantin e shquar të luftës çlirimtare, udhëheqësin fitimtar të Betejës së Lavdishme të Loxhës, Kolonelin Tahir Zemaj.

Kryeministri Isa Mustafa, thekson se Kolonel Tahir Zemaj, ishte një luftëtar trim e profesionist, një strateg i mirëfilltë, i cili me përkushtim luftoi pandërprerë për çlirimin e Kosovës.

Duke përkujtuar angazhimin e madh gjatë tërë luftës çlirimtare, kryeministri Mustafa veçoi rolin vendimtar të Kolonel Tahir Zemajt, në përgatitjen dhe udhëheqjen e Betejës së Loxhës, e cila, falë vizionit prej një strategu kulmor, profesionalizimit e devotshmërisë së Kolonel Zemajt dhe luftëtarëve të tjerë të lirisë, u bë sinonim i fitoreve ushtarake, në betejë të hapur me armikun.

“Është fat i keq që Kolonel Tahir Zemaj u vra në pabesi pas arritjes së lirisë, bashkë me të birin Enisin dhe aktivistin e shquar Hasan Zemaj. Por, si çdo hero, ishte e shkruar që edhe Tahir Zemaj të mos arrinte ta shijonte lirinë, në tërësi. Mirëpo, lufta dhe kontributi i tij mbeten të pashlyeshme, dhe jo rastësisht ai është dekoruar me Urdhrin “Hero i Kosovës” nga presidenti i Kosovës dhe me Dekoratën “Nderi i Kombit” nga presidenti i Shqipërisë”, thotë kryeministri Mustafa, duke shprehur besimin se drejtësia një ditë do të vihet në vend, duke ndriçuar plotësisht vrasjen e pabesë të Kolonel Tahir Zemajt dhe duke vënë para drejtësisë kryesit e këtij krimi të rëndë.

Last modified: 4 Janar, 2016

Comments are closed.

×