Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Orientimi evropian vlerë dhe përkatësi e popullit të Kosovës

7 Nëntor, 2016

Prishtinë, 7 nëntor 2016

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në Konferencën e organizuar nga KFOS-i, “Ecje nëpër akull: Kushtëzime, sfida dhe reforma drejt BE-së”. Në këtë debat ishte e pranishme edhe shefja e re e Zyrës së Bashkimit Evropian njëherësh përfaqësuese e posaçme e BE-së në Kosovë,  Nataliya Apostolova,  publicisti Veton Surroi dhe gazetari Augustin Palokaj. 
 
Gjatë adresimit të tij, kryeministri Mustafa ritheksoi frymën integruese, proevropiane dhe properëndimore në Kosovë, e cila është çështje e përkatësisë sociale dhe ekonomike të qytetarëve të Kosovës me Bashkimin Evropian.

“Në qoftë se ne dëshirojmë të konstatojmë vullnetin e shprehur të qytetarëve të Republikës së Kosovës, mund të themi se ky vullnet është shprehur qartë, sepse qytetarët e Republikës së Kosovës veten e shohin si pjesë të familjes evropiane dhe dëshirojnë që vlerat e tyre t’i ndajnë me qytetarët në kuadër të Bashkimit Evropian”, theksoi kryeministri Mustafa.

Një vit pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, kryeministri Mustafa ka bërë të ditur se po punohet në përgatitjen e bizneseve për tregun evropian, duke përmendur punën në aplikimin e Strategjisë Kombëtare Ekonomike, si dhe në aplikimin e reformave ekonomike dhe atyre evropiane, për të arritur këtë qëllim.

Kryeministri Mustafa theksoi se megjithatë, në këtë rrugë duhet të ketë konsensus më të gjerë, pasi integrimet evropiane ndërlidhem me shoqërinë kosovare në tërësi.

“Ndërlidhur me këto, unë mendoj se ne i kemi dy probleme ose dimensione të ndërlidhura: Njëra ka të bëjë me atë se ne pretendojmë dhe duhet të jemi pjesë e Bashkimit Evropian, për arsye se të veçuar nuk mund të përballojmë konkurrencën globale, me të cilën ne ballafaqohemi dhe çështja e dytë ka të bëjë me vetë elementin tonë të brendshëm, se ne këtë rrugë, qoftë të brendshme, qoftë në relacion me Bashkimin Evropian, duhet ta kalojmë me një konsensus sa më të gjerë social, ekonomik, në mënyrë që punët që ne duhet t’i bëjmë, të jenë të ndërlidhura dhe duhet t’i bëjmë bashkërisht, sepse nuk ndërlidhen as vetëm me Qeverinë, as vetëm me Parlamentin, as vetëm me shoqërinë civile, ose me institucione të veçanta, por ndërlidhen me shoqërinë kosovare në tërësi”, tha kryeministri Mustafa.


Fjala e plotë e kryeministrit:

 
 
Fillimisht, më lejoni të them se sa i takon titullit të tryezës “Ecja në akull” konsideroj se jo vetëm çështjet që ndërlidhen me integrimet tona në Bashkimin Evropian edhe me rrugën që ne duhet të ecim mund të jetë ecje në akull, mirëpo në përgjithësi edhe jeta, të cilën ne e bëjmë, ka të bëjë me një ecje në akull. Me këtë rast, mund të them se nëse atë jetë e bëjmë së bashku, atëherë jemi më të fuqishëm që ta përballojmë sfidën, por në qoftë se e bëjmë të ndarë, atëherë komponenta e riskut është gjithmonë më e madhe sesa në qoftë se e bëjmë në ekip.

Ndërlidhur me këto, unë mendoj se ne i kemi dy probleme ose dimensione të ndërlidhura: Njëra ka të bëjë me atë se ne pretendojmë dhe duhet të jemi pjesë e Bashkimit Evropian, për arsye se të veçuar nuk mund të përballojmë konkurrencën globale, me të cilën ne ballafaqohemi dhe çështja e dytë ka të bëjë me vetë elementin tonë të brendshëm, se ne këtë rrugë, qoftë të brendshme, qoftë në relacion me Bashkimin Evropian, duhet ta kalojmë me një konsensus sa më të gjerë social, ekonomik, në mënyrë që punët që ne duhet t’i bëjmë, të jenë të ndërlidhura dhe duhet t’i bëjmë bashkërisht, sepse nuk ndërlidhen as vetëm me Qeverinë, as vetëm me Parlamentin, as vetëm me shoqërinë civile, ose me institucione të veçanta, por ndërlidhen me shoqërinë kosovare në tërësi.

Në qoftë se ne dëshirojmë të konstatojmë vullnetin e shprehur të qytetarëve të Republikës së Kosovës, mund të them se ky vullnet është shprehur qartë, sepse qytetarët e Republikës së Kosovës veten e shohin si pjesë të familjes evropiane dhe dëshirojnë që vlerat e tyre t’i ndajnë me qytetarët në kuadër të Bashkimit Evropian.

Ekziston një frymë integruese, proevropiane dhe properëndimore dhe kjo frymë integruese nuk është çështje vetëm e tekeve të institucioneve të Republikës së Kosovës ose të fiksimeve politike, por konsideroj se është çështje e përkatësisë tonë, edhe sociale edhe ekonomike, sepse ne nuk e shohim veten jashtë kësaj përkatësie.

Ne i kemi pranuar politikat tona të integrimit si politika të refuzimit të izolimit. Këtë refuzim të izolimit e kemi bërë edhe deri më tani, sepse kemi konsideruar se jemi vendi i vetëm në Ballkan që ka mbetur i izoluar sa i përket lirisë së lëvizjes. Tani liria e lëvizjes më nuk është çështje e institucioneve të Bashkimit Evropian, është çështje jona, sepse natyrisht se Parlamenti Evropian nuk merr vendime, të cilat duhet t’i merr Parlamenti i Republikës së Kosovës. Çështja është e konsensusit të brendshëm, pra që ne ta kapërcejmë edhe këtë sfidë.

Para tre katër ditësh është  mbushur një vit kur ne kemi nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim Asociim, për të cilën foli z.Augustin Palokaj.
Unë marrëveshjen e kam nënshkruar si kryeministër i Republikës së Kosovës, në emër të shtetit të Kosovës dhe detyrimet të cilat i kemi marrë ne në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, janë detyrime të cilat i kemi bërë si shtet, jo si ndonjë krijesë tjetër dhe unë në asnjë rast nuk do të dëshiroja që edhe në këtë relacion ne ta shohim veten ndryshe.

A e kemi nënshkruar marrëveshjen me çdo shtet veç e veç, apo e kemi nënshkruar me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, nuk është çështje e rëndësisë themelore, as e rëndësisë së parë. E rëndësisë së parë është se ne aty kemi marrë ato obligime kontraktuale me Bashkimin Evropian dhe është marrëveshja e parë e shtetit të Kosovës me Bashkimin Evropian, e cila, në qoftë se jo tjetër, na mundëson që ne të kemi një qasje në tregun e Bashkimit Evropian dhe kjo qasje është asimetrike, sepse ne për dhjetë vite do të kemi qasje të plotë atje, ndërkaq mallrat e Bashkimit Evropian do të kalojnë në faza të ndryshme të lirimit nga taksat dhe tatimet në Republikën e Kosovës, që është një përparësi për ne.

Tani ne po punojmë edhe në elementet e tjera të përmbushjes së Marrëveshjes  për Stabilizim Asociim, po punojmë për përgatitjen e bizneseve, në mënyrë që ato të kenë qasje dhe të kenë barabarësi sa i përket konkurrueshmërisë së tyre.

Në vizitat që unë kam pas si kryeministër tek bizneset në Kosovë, mund t’ju them se jam befasuar për së miri sepse pjesa më e madhe e tyre ka eksporte dhe atë eksporte stabile në tregun e Bashkimit Evropian ose në shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian. Problemi tani nuk qëndron se ne nuk jemi atje, problemi qëndron se sa jemi. Për sa jemi, kemi probleme sepse jemi ekonomi e parcializuar, kemi kompani të vogla ose të mesme të cilat nuk mund të përballojnë kërkesën që para tyre shtrohet para vendeve të Bashkimit Evropian ose para tregut të Bashkimit Evropian, dhe këtë çështje ne tani duhet ta adresojmë sa i përket përgatitjes së bizneseve për të marrë pjesë në tregun e Bashkimit Evropian. Për këtë arsye ne si Qeveri kemi punuar në disa fusha, kemi punuar në reformën ekonomike dhe atë reformë po mundohemi ta aplikojmë, kemi punuar në Strategjinë Kombëtare Ekonomike e cila po ashtu po aplikohet, dhe po punojmë tani në reformën evropiane, për të cilën tani do ta kemi vizitën e shpejtë të Komisionerit Hahn gjatë kësaj jave në Kosovë, me të cilin do të merremi vesh për pjesë të veçanta të reformës evropiane që ka të bëjnë me konkurrueshmërinë, që ka të bëjnë me arsimin, që ka të bëjnë me forcimin e shtetit ligjor, që ka të bëjnë me punësimin, sepse janë disa fusha në të cilat ne duhet të punojmë më shumë dhe duhet t’i përafrohemi kritereve të Bashkimit Evropian. Tani në këtë përafrim të kritereve me Bashkimin Evropian, ne po punojmë edhe së bashku me gjashtë vendet, ose në suaza të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, tek infrastruktura dhe tek bashkëpunimi ekonomik. Me iniciativën që është dhënë nga Kancelarja Merkel në Berlin, pastaj në vazhdimin e kësaj iniciative në Vjenë dhe sivjet në Paris, ne kemi definuar disa prej çështjeve shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me barazimin e standardeve të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, dhe infrastrukturës tjetër me atë të Bashkimit Evropian, në mënyrë që në ne në momentin që anëtarësohemi në BE të kemi të kemi infrastrukturë e cila i përshtatet kritereve të Bashkimit Evropian. Dhe unë mendoj se këtu përfituar mjaft. Kemi përfituar konkretisht nga IPA për rekonstruimit të hekurudhës, sepse do të fillojmë me këtë rekonstruim, dhe po ashtu kemi përfituar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në projektin e Fizibilitetit për zgjatjen e autostradës apo për vazhdimin e saj me Serbinë, e cila do të na mundësoj pastaj që të shfrytëzojmë këtë rrugë për të dal në tregjet e Evropës Perëndimore.
Çështje tjetër e cila ndërlidhet edhe me MSA-në por edhe me politika tona është çështja e dialogut me Serbinë. Unë konsideroj se dialogu me Serbinë sikurse edhe ratifikimi i Marrëveshjes më Malin e Zi janë çështje të cilat nuk kanë alternativë, nuk mund të gjejmë alternativë tjetër. Çështje tjetër është se si ne do ta zhvillojmë dialogun. Në qoftë se ne e vlerësojmë këtë dialog unë konsideroj se Kosova ka përfituar nga dialogu. Kemi arrit që t’i integrojmë serbët në proceset e ndryshme shtetbërëse dhe shtetformuese edhe në implementimin e ligjeve dhe të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, kemi arrit që të krijojmë një komunikim shumë të rregullt me komunat në veri të vendit dhe ato të zbatojnë buxhetin dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Nuk jemi të kënaqur me krejt atë që është arrit. Nuk jemi të kënaqur me zhbërjen e strukturave paralele, mirëpo është një proces i cili duhet të vazhdoj dhe unë këtë proces nuk e konsideroj si një proces vetëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është një proces i cili e rrit, e fuqizon stabilitetin në Ballkan dhe i kontribuon paqes dhe stabilitetit në Evropë, dhe procesi si i tillë duhet të vazhdohet. Procesi duhet të jetë më efikas veçmas në fushën e implementimit të Marrëveshjeve. Ndërkaq, sa i përket demarkacionit që ndërlidhet pastaj me lëvizjen e qytetarëve tanë dhe me të drejtën që edhe bizneset tona të kenë qasje më të shpejtë dhe të papenguar në tregjet e Bashkimit Evropian, unë konsideroj se në këtë rast ne kemi qenë jo parimor si Kosovë, në rend të parë opozita dhe jo vetëm opozita, sepse po të pyeste Mali i Zi opozitën e vetë pro serbe dhe pro ruse, ata kurrë s’do ta pranonin Pavarësinë e Republikës së Kosovës, dhe në këtë rast ne nuk mund të krijojmë kauza politike të cilat janë të paqëndrueshme, për të penguar një proces i cili edhe i ndihmon përkufizimit shtetëror të Republikës së Kosovës, sepse kemi të bëjmë me vënin e kufirit ndërshtetëror dhe ndërkombëtar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, mirëpo i kontribuon lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë në suaza të vendeve të Bashkimit Evropian, pra duke u liruar nga kufizimet që ne i kemi.

Dëshiroj të them edhe lidhur me çështjet që u shtruan këtu rreth asaj që ne ballafaqohemi tani me problemi që pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Mund t’ju them se me Greqinë ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera. Greqia e ka përkrah Kosovën në të gjitha proceset integruese në organizata ndërkombëtare financiare, kemi pas qëndrim nganjëherë qoftë përkrahës por jo edhe kundërshtues dhe bllokues edhe në procese tjera. Me vendet tjera është situata pak më ndryshe, mirëpo ne do të mundohemi që të mbajmë marrëdhënie të mira me të gjitha këto vende, edhe marrëdhënie ekonomike, edhe marrëdhënie politike, sepse konsiderojmë se njohja e Pavarësisë së Kosovës nga këto vende i kontribuon paqes dhe stabilitetit dhe për këtë duhet të jemi koshient të gjithë, por gjithsesi që ne proceset e integrimit të Bashkimit Evropian do ti çojmë përpara. Ne do t’i respektojmë të gjitha procedurat, mirëpo ne në asnjë rast nuk do të dyshojmë në vetveten se ne nuk jemi shtet, sepse ne jemi shtet i pranuar nga 113 shtete tani, i pranuar edhe nga 23 vende të Bashkimit Evropian, prandaj në asnjë rast nuk guxojmë të ndjellim dyshimin se a jemi apo nuk jemi, sepse jemi dhe fort jemi, mirëpo duhet të mundohemi që të na pranojmë edhe më shumë shtete, dhe që proceset tona të anëtarësimit në Bashkimin Evropian t’i kryejmë.

Këto procese ndërlidhen edhe me procesin e dialogut, sepse ne dialogun dëshirojmë ta zhvillojmë në mënyrë që atë ta përfundojmë me njohje reciproke ndërmjet Serbisë dhe  Kosovës, dhe me këtë rast mendoj se ne do t’i kapërcejmë edhe kufizimet tjera dhe disa kushtëzime tjera që para nesh i kanë vënë vendet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Prandaj në këtë aspekt unë ju siguroj se ne do të mundohemi që t’i përmbushim të gjitha kriteret, që kanë të bëjnë në rend të parë me zhvillimin ekonomik të Kosovës por edhe me forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që është çështje e jona e brendshme nuk është çështje e BE-së, Bashkimi Evropian vetëm kërkon plotësimin e këtyre kritereve, ndërkaq çështjet tjera ne do t’i procedojmë sepse mendojmë që Kosova ka interes të jetë në Bashkimin Evropian ashtu siç ka interes Bashkimi Evropian dhe Evropa të jetë në Kosovë.

Unë po e përmbylli këtë fjalë timen me një takim që  e kam pas me kryetarin e EPP-së, të Partive Popullore Evropiane, Joseph Daul në Bruksel para disa muajve për të biseduar me të për liberalizimin  vizave dhe kur i thash se ‘Kosova është në Evropë dhe Kosova duhet të jetë vend në BE’, ai u ngrit dhe e nxori një hartë nga sirtari dhe filloj të përvijoj kufijtë, dhe tha se ‘ nuk është fare e dyshimtë se Kosova është në Evropë dhe Kosova duhet të jetë pjesë e Evropës dhe Bashkimit Evropian, pro problemi është se si ne bashkërisht të punojmë që ta sigurojmë Evropën dhe BE-në dhe të punojmë që të jemi koheviz në pikëpamje të stabilitetit dhe paqes në këtë kontinent’. Prandaj unë mendoj se kjo është çështja themelore në të cilat duhet të punojmë bashkërisht.
 
Faleminderit shumë.

Last modified: 7 Nëntor, 2016

Comments are closed.

×