Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa ofroi përkrahjen e plotë të Qeverisë për pushtetin lokal

8 Nëntor, 2016

Prishtinë, 8 nëntor 2016
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim kryetarin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, Naim Ismajli, i shoqëruar nga anëtarët e AKK-së, Agim Veliu e Muharrem Sfarqa, si dhe drejtori ekzekutiv, Sazan Ibrahimi.
 
Kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përkrahur pushtetin lokal në Kosovë, duke pas parasysh rëndësinë që kanë komunat për përmirësimin e jetës së qytetarëve, duke qenë ofrues të drejtpërdrejtë të shërbimeve.
 
Kryeministri Isa Mustafa theksoi mbështetjen e Qeverisë edhe për adresimin e akteve ligjore të cilat do të avancojnë pushtetin lokal në aspektin e financave, zhvillimit ekonomik, vendimmarrjes si dhe ofrimin e shërbimeve më kualitative për qytetarët.
 
Kryetari i AKK-së, Naim Ismajli, vlerësoi mbështetjen e Qeverisë, duke theksuar angazhimet e AKK-së për avancimin e proceseve që lidhen me komunat e Kosovës.
 
Ismajli, po ashtu, kërkoi përfshirje më të madhe të AKK-së në proceset që lidhen me miratimin e akteve legjislative si dhe proceset vendimmarrëse për të reflektuar qëndrimet e komunave të Kosovës.

Last modified: 8 Nëntor, 2016

Comments are closed.

×