Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa mori pjesë në Samitin e Liderëve në Paris (VIDEO)

4 Korrik, 2016

Paris, 4 korrik 2016
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë sot në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili ka zhvilluar punimet në Paris.

Fillimisht, kryeministri Mustafa dhe pjesëmarrësit e tjerë janë pritur me nderime shtetërore nga presidenti francez François Hollande.

Në takimin qendror ku ishte i pranishëm kryeministri Mustafa, ishin prezentë edhe presidenti francez Hollande, kancelarja gjermane Merkel, kancelari austriak Kern, kryeministri italian Renzi, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Mogherini dhe kryeministrat e Kosovës, Shqipërisë, Sllovenisë, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje Hercegovinës dhe Serbisë.

Kryeministri Isa Mustafa ka kërkuar përkrahje për projektet konkrete zhvillimore për të cilat ka interes të përbashkët në rajon, shprehu përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim me vendet e rajonit si dhe vlerësoi rezultatet që po jep procesi i nisur në Berlin.

Të pranishëm në punimet e samitit ishin edhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Shala, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Gjatë ditës, kryeministri Mustafa së bashku me pesë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje Hercegovinës dhe Serbisë nënshkroi edhe marrëveshjen për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim të të Rinjve, e cila do të ketë selinë në Tiranë.

Këtë marrëveshje, kryeministri Isa Mustafa, e vlerësoi si një impuls të duhur dhe të kohës, që do të krijojë ura të këmbimit dhe bashkëpunimit rinor.

Gjatë samitit, kryeministri Mustafa ka zhvilluar takime edhe me drejtuesit e shteteve të BE-së, përfaqësuesit e mekanizmave të Bashkimit Evropian si dhe me homologët nga vendet e rajonit.

Kryeministri Isa Mustafa ka dhënë edhe një numër të intervistave për mediat rajonale dhe evropiane. 

Last modified: 4 Korrik, 2016

Comments are closed.

×