Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa merr letër mirënjohjeje nga Shoqata Kosovare e të Shurdhërve

2 Korrik, 2016

Prishtinë, 2 korrik 2016

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, pranoi një letër mirënjohjeje nga Shoqata Kosovare e të Shurdhërve, për fillimin e procesit të zbatimit të Rregullores për Ofrimin e Shërbimeve në Gjuhën e Shenjave në Republikën e Kosovës.

Me këtë veprim, sipas drejtuesve të shoqatës, institucionet e vendit kanë zbatuar me përpikëri politikën e mundësive të barabarta, duke ndikuar drejtpërdrejtë në përmirësimin e kualitetit të jetës së të gjithë qytetarëve të shurdhër.

Shoqata Kosovare e të Shurdhërve, po ashtu, ka theksuar se ky vendim e ka pozicionuar Republikën e Kosovës në një ndër vendet e para në Evropën Juglindore që ka marrë këtë hap, duke e quajtur shembull pozitiv për vendet e rajonit dhe më tej.

“Tani një qytetar i shurdhër në Republikën e Kosovës nuk është i izoluar, por gëzon absolutisht mundësinë e barabartë të komunikimit (në gjuhën e shenjave) përmes interpretëve të gjuhës së shenjave në të gjitha institucionet publike të vendit”, thuhet në letrën e drejtorit ekzekutiv të Shoqatës, Enver Kurtalani.

Gjeni më poshtë të plotë përmbajtjen e letrës:

I nderuar z. Kryeministër i Republikës së Kosovës,

Në emër të Shoqatës Kosovare të Shurdhërve më lejoni të shpreh mirënjohjen tonë për Ju z. Isa Mustafa, Kryeministër i Republikës së Kosovës, për fillimin e procesit të zbatimit të Rregullores për Ofrimin e Shërbimeve në Gjuhën e Shenjave në Republikën e Kosovës.

Me këtë veprim, institucionet e vendit kanë zbatuar me përpikëri politikën e mundësive të barabarta, në këtë mënyrë duke ndikuar drejtpërdrejtë në përmirësimin e kualitetit të jetës së të gjithë qytetarëve të shurdhër.

Për më tepër, ky vendim e ka pozicionuar Republikën e Kosovës në një ndër vendet e para në Evropën Juglindore që ka marrë këtë hap, dhe që përbën një shembull pozitiv për vendet e rajonit dhe më tej.

Ne, në mënyrë specifike falënderojmë për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe profesionalizmin e treguar të Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të institucionit tuaj.

Zyra për Qeverisje të Mirë ka qenë një nga promotorët kryesorë gjatë gjithë procesit për të siguruar zbatimin e të gjitha fazave të tij, duke përfshire; Zyrtarizmin e Gjuhës së Shenjave në Republikën e Kosovës në vitin 2010, hartimin e Programit Kombëtar për Ofrimin e Shërbimeve në Gjuhën e Shenjave 2013-2016 si dhe hartimin e Rregullores për Ofrimin e Shërbimeve në gjuhën e shenjave.

Të gjitha këto përpjekje të përbashkëta na mundësuan që të kemi rezultate vërtetë të mrekullueshme për përfshirjen e personave të shurdhër në të gjitha sferat e jetës së shoqërisë.

Pra, tani një qytetar i shurdhër në Republikën e Kosovës nuk është i izoluar, por gëzon absolutisht mundësinë e barabartë të komunikimit (në gjuhën e shenjave) përmes interpretëve të gjuhës së shenjave në të gjitha institucionet publike të vendit.

Duke vlerësuar lart këtë sukses, Shoqata Kosovare e të Shurdhërve ju kërkon me mirësi bashkëpunim edhe në të ardhmen, që sukseset të rriten dhe bashkë me to edhe mirëqenia e personave të shurdhër të Republikën e Kosovës.

Sinqerisht,
z. Enver Kurtalani
Drejtor Ekzekutiv
Shoqata Kosovare e të Shurdhërve 

Last modified: 2 Korrik, 2016

Comments are closed.

×