Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Me emrin e Presidentit Rugova lidhen sukseset e arritura në Kosovë

14 Nëntor, 2015

Istog, 14 nëntor 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar sot Komunën e Istogut, ku pas takimit me udhëheqësit komunalë ka vendosur gurthemelin e Memorialit kushtuar Presidentit Historik të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova, në qendër të Istogut.

Gjatë vizitës në Istog, kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga ministrat Lutfi Zharku e Ferid Agani si dhe zëvendësministrat Mendim Rugova, Bajram Gecaj e Çaush Balaj, ka takuar kryetarin e Komunës, Haki Rugova, të cilit i ka premtuar përkrahjen e Qeverisë, në proceset që po kalon kjo Komunë. 

Kryeministri Mustafa ka vlerësuar rezultatet shumë të mëdha që janë arritur në Istog në zgjidhjen e shumë problemeve të qytetarëve në fushën e arsimit, kulturës, ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe të tjera.

“Tani Komuna ka edhe projekte tjera, siç është sigurimi i ujit për disa lagje, projekti i pastrimit të ujërave të zeza dhe menaxhimit të tyre, përmes kredive ndërkombëtare, me të cilat Komuna veç ka hyrë në proceset e dialogut. Është një interesim shumë i madh i Komunës që të punojë në projektet ekonomike dhe të ketë përkrahjen e Qeverisë për këto projekte, të cilat sigurojnë zhvillim të kësaj pjese dhe sigurojnë punësim të gjeneratës së re”, tha kryeministri Mustafa, duke premtuar përkrahje të plotë për këto projekte.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, e ka cilësuar rast të veçantë vizitën në Istog për shkak të vizitës që i është bërë punimeve në Muzeun Memorial kushtuar Presidentit Ibrahim Rugova, që do të financohet nga Buxheti i Kosovës me pjesëmarrjen e Komunës.

“Është fjala për nderimin e një njeriu shumë të madh, Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, njeriut që ka dhënë shumë për shtetin e Kosovës, dhe me emrin e të cilit lidhen shumë suksese që Kosova i ka arritur  gjatë kësaj periudhe”, theksoi kryeministri Isa Mustafa.

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, u shpreh i nderuar me vizitën e kryeministrit Mustafa.

“Biseduam për problemet që ka Komuna por edhe për realizimin e projekteve në fazat e ndryshme brenda këtij viti, me një korrektësi të përbashkët, në mënyrë që të vazhdojmë edhe në të ardhmen bashkëpunimin e nivelit lokal dhe nivelit qendror. Kam premtime nga kryeministri se Qeveria do të përkrah Komunën e Istogut edhe në të ardhmen. Por, sot do të jetë edhe  një  rast i veçantë, do të vendoset gurthemeli në qendër të Istogut, për nder të Presidentit Rugova”, tha ai.

Kryetari Rugova, po ashtu, bëri të ditur se kryeministri Mustafa ka ofruar përkrahje edhe për projekte tjera në infrastrukturë, sidomos në projekte të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillim ekonomik dhe në punësimin e qytetarëve të Istogut.

Lidhur me sulmet terroriste në Francë, kryeministri Isa Mustafa, para gazetarëve, ka rishprehur keqardhjen dhe dhimbjen për viktimat, duke thënë se sulmet e tilla e bëjnë të qartë se terrorizmi është bërë një problem global.

Sa i përket sigurisë në Kosovë, kryeministri Mustafa tha se qytetarët e Kosovës janë të sigurt, por se duhet të tregohet kujdes dhe të punohet shumë që akte të tilla të mos lejohet të ndodhin.

“Sulmet e tilla flasin se ne kemi probleme jo vetëm në vende të caktuara sa i përket terrorizmit, por është bërë një problem global. Ne edhe për këtë arsye kemi aprovuar Strategjinë Kundër Terrorizimit dhe Ekstremizmit në Qeveri, dhe po mundohemi që përmes organeve konkrete, organeve të Punëve të Brendshme, Agjencisë së Inteligjencës, por edhe përmes bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe institucionet tjera, të mbajmë aktivitetin tonë sa i përket luftës kundër terrorizmit. Mua më vjen keq, dhe e kam shprehur edhe mbrëmë keqardhjen time dhe dhimbjen për viktimat që kanë ndodhur atje. Sigurisht që duhet të gjithë ne të jemi syçelë, dhe të punojmë shumë që ajo mos të ndodhë në asnjë pjesë të botës, mos të ndodhë as në Kosovë”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Pas vendosjes së gurthemelit në Memorialin kushtuar Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, kryeministri Isa Mustafa ka vizituar burimin e ujit në Istog, ku është njoftuar me punimet që po kryhen në rregullimin e këtij burimi.

Last modified: 14 Nëntor, 2015

Comments are closed.

×