Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Masakra e Reçakut dëshmi e mizorisë dhe gjenocidit të forcave serbe gjatë luftës në Kosovë

15 Janar, 2017

Reçak, 15 janar 2017

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, bëri sot homazhe te Kompleksi Përkujtimor në Reçak, në shënim të 18 vjetorit të masakrës që ndodhi në këtë fshat.

Kryeministri Mustafa shprehu nderimet më të larta institucionale dhe personale për martirët e kësaj masakre.

“Sot, jemi këtu për të bërë nderime për viktimat e Reçakut. Është fjala për një masakër ndër më të mëdhatë që është kryer në Kosovë nga ushtria dhe paramilitarët serbë në vitin 1999. Është një rast që ne të përkujtojmë dhe të zgjojmë vetëdijen e qytetarëve, por edhe të komunitetit ndërkombëtar, për veprat mizore që Serbia i ka bërë në Kosovë, për gjenocidin dhe për masakrat e krimet kundër njerëzimit që kanë ndodhur këtu, që megjithatë duhet të përgjigjen për të gjitha ato që i kanë bërë në Kosovë dhe që në asnjë rast nuk do t’i japin të drejtë vetes që të zgjojnë ndjenjat e atëhershme edhe njëherë, qoftë në Kosovë qoftë në Ballkan”, tha kryeministri Mustafa.

I pyetur lidhur me aksionin në veri të vendit një ditë më parë, kryeministri Mustafa, theksoi se ai ka qenë aksion i bazuar krejtësisht në ligj dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Është bërë në bazë të drejtave dhe përgjegjësive të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe institucionet do të ndërmarrin gjithmonë veprime të tilla për ta mbrojtur sovranitetin e vendit dhe për të mos lejuar që mjetet e tilla të cilat provokojnë dhe të cilat kanë porosi okupatore dhe porosi tjera të futen në Kosovë. Edhe muri do të rrënohet. Është detyrë e Komunës që ta rrënoj murin, sepse është objekt që është në përgjegjësinë komunale, por në qoftë se Komuna nuk e bënë, është përgjegjësi e organeve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës që ajo të ndodh, sepse nuk ka të drejtë askush që Kosovën ta ndaj me mure, apo që të getoizoj një pjesë të Kosovës përmes mureve, sepse qëllimi ynë është që ne të anëtarësohemi në BE dhe jo të ndërtojmë mure brenda BE-së”, tha kryeministri Mustafa.

Në pyetjen lidhur me vendimmarrjen për këtë aksion, kryeministri Mustafa tha se vendimet janë marrë në kuadër të përgjegjësisë së institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Vendimet janë vendime të Policisë dhe të përgjegjësisë së institucioneve të Republikës së Kosovës, sepse në raste të tilla nuk merr vendime individuale askush, por institucionet e Republikës së Kosovës e kryejnë punën e vet. Do të thotë ka qenë një aksion i koordinuar, mbi bazat ligjore, ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
 

Last modified: 15 Janar, 2017

Comments are closed.

×