Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Kosova synon anëtarësimin në Kombet e Bashkuara

24 Tetor, 2015

Prishtinë, 24 tetor 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin për lansimin e Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë.

Në këtë ngjarje, morën pjesë përfaqësues nga institucionet e Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar, duke përfshirë Koordinatorin për Zhvillim të OKB-së, përfaqësuesin special të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, përfaqësues të donatorëve, ambasadorë  dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë.

Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, kryeministri Isa Mustafa theksoi se për Republikën e Kosovës objektivat zhvillimore janë tepër të rëndësishme, sepse Kosova e ka prioritet qendror zhvillimin më të shpejtë ekonomik dhe social.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, tha se ky vit shënon një përvjetor të rëndësishëm të hyrjes në fuqi të Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke theksuar synimin e Republikës së Kosovës që të bëhet pjesë e Kombeve të Bashkuara, dhe që së bashku me të gjitha shtetet dhe popujt e tjerë të botës, të realizojë objektivat e këtij mileniumi dhe të ndërtojë zhvillimin e përbashkët.

Fjala e plotë e kryeministrit Isa Mustafa në takim:

Ndihem po ashtu i nderuar që marrë pjesë në këtë takim. Jam i nderuar edhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesit special të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, ambasadorët, përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare të cilat veprojnë këtu në Kosovë, deputetë, kryetarë të komunave, pjesëmarrës të shoqërisë civile, ju të gjithë që jeni këtu, përfaqësues të KFOR-it me të cilët kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm.

Për ne, objektivat zhvillimore janë tepër të rëndësishme, sepse e kemi lidhur fatin e Kosovës me zhvillimin më të shpejtë ekonomik dhe zhvillimin social. Është një përvjetor i rëndësishëm i hyrjes në fuqi të Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Një ditëlindje të cilën ne e kremtojmë edhe pse akoma s’jemi bërë anëtarë të Kombeve të Bashkuara, por synojmë që të jemi me të gjithë ata që synojnë të realizojmë objektivat e këtij mileniumi, që mund të jetë me popujt e tjerë, të ndërtojmë zhvillim të përbashkët.

Edhe ne kemi sfida ashtu siç kanë edhe vendet e tjera të Kombeve të Bashkuara, sepse as ne nuk dallojmë dhe as nuk dëshirojmë të dallojmë, pa marrë parasysh etninë, fenë, gjuhën dhe dallimet e tjera.

Mirëpo, ne jemi mirënjohës për atë që Kombet e Bashkuara kanë bërë për ne këtu në Kosovë, për një periudhë të rëndësishme që kemi kaluar me mbështetje të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe të institucioneve të saj.

Ne po vazhdojmë me procesin e shtetndërtimit të Kosovës, të bazuar në kriteret e një bote demokratike dhe dëshirojmë që objektivat tona t’i adresojmë si sfida të përbashkëta me mjete demokratike dhe me vendet demokratike.

Kosova është konsoliduar brenda dhe jashtë, është njohur nga më tepër se gjysma e vendeve të Kombeve të Bashkuara dhe për ne është me rëndësi që të njihemi edhe nga vendet e tjera dhe të bëhemi pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ne falënderojmë të gjitha vendet që na kanë përkrahur tani në anëtarësimin tonë në UNESCO, në një prej agjencioneve tepër të rëndësishme të Kombeve të Bashkuara. Qëllimi ynë është që kultura në Kosovë, trashëgimia kulturore, shkenca, arsimi të jenë pjesë e kulturës botërore, shkencës që nuk ka kufi dhe të arsimit që sot po i kalon kufijtë e dijes dhe çdo dallim në mes të njerëzve të vendeve, kombeve dhe gjuhëve të ndryshme.

Ne jemi shumë të interesuar që të kapërcejmë sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova. Dëgjuam në fillim se kemi arritur rezultate të rëndësishme në shumë fusha. Kemi arritur disa rezultate edhe në rritjen ekonomike, rritjen vjetore të GDP-së, në qëndrueshmërinë ekonomike, në qëndrueshmërinë buxhetore, në adresimin e problemit të varfërisë dhe të papunësisë dhe veçmas të pjesëve të ndryshme të shoqërisë tonë të cilat ballafaqohen në mënyrë specifike me këto probleme, siç janë gratë dhe njerëzit e moshës rinore. Po bëjmë përpjekje poashtu që të ndërtojmë infrastrukturën në të gjitha fushat, në mënyrë që ai të jetë një parakusht i rëndësishëm i zhvillimit të qëndrueshëm.

Po bashkëpunojmë edhe me vendet tjera fqinje në projekte të përbashkëta, siç është projekti i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturën bazike e cila i lidh këto vende, dhe së bashku pastaj, na lidhin me vendet e Bashkimit Evropian dhe na mundësojnë daljen tonë në tregun regjional, në tregun evropian dhe në tregun botëror.

I kemi dhënë rëndësi mjaft të madhe ndërtimit të shtetit ligjor, cilësisë në arsim, cilësisë në shëndetësi dhe jo vetëm përfshirjes së të rinjve në arsim dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Kjo siguron barazi gjinore, siguron partneritet ndërkombëtar, dhe siguron po ashtu arritjen e objektivave themelore në zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës tani dhe më tutje.

Si objektiva themelore të Qeverisë kemi përcaktuar zhvillimin ekonomik, që ndërlidhet me normën më të shpejt të zhvillimit, me diversifikimin e zhvillimit ekonomik, me kyçjen tonë në tregun botëror. Kemi përcaktuar po ashtu objektivat e anëtarësimit tonë në institucionet e Bashkimit Evropian, sepse konsiderojmë se qytetari i Kosovës është qytetar evropian, që ai nuk mund të jetë i izoluar sepse izolimi i tij edhe në pikëpamje të regjimit të vizave edhe të regjimeve tjera nënkupton se ai nuk do të jetë i barabartë në arritjen e diturive, nuk do të jetë i barabartë në fushën e biznesit dhe në fushën e ekonomisë, dhe poashtu nuk do të jetë i barabartë në konkurrencë me qytetarët e tjerë evropianë.

Unë konsideroj se Kosova i ka përplotësuar të gjitha kriteret që para saj i ka parashtruar Bashkimi Evropian dhe me këtë ne plotësojmë kushtet që të jemi të barabartë edhe në pikëpamje të qarkullimit, lëvizjes në vendet e Bashkimit Evropian, por së bashku me vendet e Bashkimit Evropian t’i përafrohemi më shumë Kombeve të Bashkuara dhe nesër të bëhemi anëtar i barabartë me vendet tjera në Kombet e Bashkuara.

Unë shprehë këtu përkushtimin e Kosovës që ne të respektojmë dhe të përmbushim të gjitha kriteret demokratike, kriteret e shtetit ligjor, dhe kriteret e sigurimit të jetës së barabartë të të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë. Por, poashtu, ju ftoj që Kosova të ketë një përkrahje edhe më të fuqishme nga institucionet dhe agjencionet e Kombeve të Bashkuara.

Faleminderit dhe suksese!

Last modified: 24 Tetor, 2015

Comments are closed.

×