Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Kosova e përkushtuar në rrugën e saj euroatlantike

4 Shkurt, 2016

Prishtinë, 4 shkurt 2016
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti të enjten në takim Komandantin Suprem të NATO-s, Gjeneralin Philip M. Breedlove.
 
Duke e falënderuar për përkrahjen e tij dhe të NATO-s për Kosovën, kryeministri Mustafa, shprehu vlerësimet më të larta të qytetarëve për kontributin e KFOR-it për proceset në Kosovë.
 
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, e njoftoi Gjeneralin Breedlove për progresin që po arrihet në Kosovë në avancimin e gjendjes së sigurisë, për proceset integruese evropiane, zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit ligjor dhe reformat tjera.
 
Më tej, kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin dhe rezultatet konkrete të Kosovës në luftën kundër radikalizmit të dhunshëm dhe terrorizmit dhe hapat e mëtejmë në kuadër të luftës së përbashkët të koalicionit global kundër këtyre dukurive.
 
Gjatë takimit u bisedua edhe për procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.
 
Kryeministri Isa Mustafa, theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit dhe dialogut politik me NATO-n.
 
“Populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë plotësisht të përkushtuara në rrugën e tyre euroatlantike dhe ky proces nuk ka alternativë tjetër për Kosovën”, tha kryeministri Isa Mustafa.
 
Komandanti Suprem i NATO-s, Gjeneralin Philip M. Breedlove, vlerësoi progresin në Kosovë, duke shprehur optimizmin e tij për zhvillimet e mëtejshme.
 
Gjenerali Breedlove, po ashtu, shprehu përkrahje për Kosovën në hapat e ardhshëm, duke vlerësuar lidershipin e Qeverisë së Kosovës dhe fokusimin e saj në zhvillimin ekonomik dhe proceset tjera zhvillimore.

Last modified: 4 Shkurt, 2016

Comments are closed.

×