Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa kërkon përkrahjen e vendeve të Kuintit për liberalizimin e vizave dhe proceset tjera eurointegruese

8 Prill, 2016

Prishtinë, 8 prill 2016
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti përfaqësuesit e shteteve të Kuintit në Kosovë.
 
Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, kryeministri Mustafa, theksoi progresin e shumanshëm që po arrihet në Kosovë.
 
Kryeministri Mustafa i njoftoi ambasadorët dhe përfaqësuesit e tjerë për fokusimin e plotë të Qeverisë së Kosovës në zhvillimin ekonomik dhe në proceset integruese evropiane.
 
Ndërkaq, duke iu referuar hyrjes në fuqi të MSA-së, kryeministri Mustafa theksoi faktin se Qeveria dhe qytetarët e Kosovës presin vendimin e BE-së për rekomandimin e datës për liberalizimin e vizave, duke pas parasysh se tashmë janë përmbushur të gjitha kriteret dhe rekomandimet për këtë proces.
 
“Liberalizimi i merituar i vizave për Kosovën është shumë i rëndësishëm edhe për implementimin adekuat të MSA-së, pasi që kjo do të mundësonte qarkullimin e lirë të ndërmarrësve dhe të bizneseve kosovare në vendet e BE-së, si parakusht për shkëmbimin e mallrave dhe ideve”, tha kryeministri.
 
Me këtë rast, kryeministri Isa Mustafa ka kërkuar përkrahjen e vendeve të Kuintit për liberalizimin e vizave dhe për proceset e tjera integruese evropiane, si dhe për zhvillimet e tjera në Kosovë.
 
Përfaqësuesit e vendeve të Kuinit vlerësuan progresin e arritur në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e vendeve të tyre në proceset integruese evropiane dhe aspektet tjera.

Last modified: 8 Prill, 2016

Comments are closed.

×