Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa kërkon nga kryetarët e komunave në tërë territorin e Republikës së Kosovës, që të punojnë në shërbim të qytetarëve

23 Dhjetor, 2015

Prishtinë, 23 dhjetor 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e përbashkët me kryetarët e komunave, përfaqësuesit diplomatik, komunitetin e donatorëve, shoqërinë civile dhe mediat të organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal me rastin e përfundimit të vitit 2015.
Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa e ka vlerësuar si një moment mjaft të rëndësishëm përmbylljen me sukses të këtij viti të punës në të gjitha fushat, përfshirë edhe në pushtetin lokal.
“Është hera e parë që ne kemi arritur që të kemi të gjitha komunat tona dhe kryetarët e komunave së bashku me ne në tërë territorin e Republikës së Kosovës, që të punojmë bashkërisht, në shërbim të qytetarëve tanë, në shërbim të zhvillimit lokal, në shërbim të zhvillimit ekonomik, me qëllim themelor që të bëjmë më të mirë jetën për qytetarët”, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, tha se MAPL-ja ka bërë një punë shumë të mirë, duke vënë një bazë të mirë të ndërtimit të pushtetit lokal dhe të funksionimit të pushtetit lokal në tërë vendin.
Duke iu referuar edhe punës së tij të mëparshme në kuadër të pushtetit lokal, kryeministri Mustafa tha se kjo është një prej punëve më të vështira dhe shumë të përgjegjshme, e lidhur me qytetarin dhe për plotësimin e kërkesave të qytetarëve.
“Ju siguroj se si Qeveri dhe si kryeministër do të bëjë përpjekje maksimale që t’ju përkrah, në mënyrë që komunat ta bëjnë punën e vet në mënyrën më të mirë, edhe sa i përket buxhetit, edhe sa i përket ndryshimeve ligjore ose rregullativës ligjore që ju konsideroni që do të nevojitej të bëhej, në mënyrë që ta keni më të lehtë funksiononim”, tha kryeministri Mustafa.
Më tej, kryeministri Isa Mustafa ka uruar kryetarët e komunave dhe drejtuesit e MAPL-së për punën dhe sukseset e arritura, si dhe për përgjegjësinë që e kanë reflektuar ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke apeluar për unitet në tërë vendin dhe që të gjithë t’i përcaktohen qëllimit të ndërtimit të shtetit të Kosovës, zhvillimit ekonomik dhe krijimit të mirëqenies për qytetarët.

 

Last modified: 23 Dhjetor, 2015

Comments are closed.

×