Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa kërkon adresim të shpejt dhe me afate konkrete të reformës në administratën publike

18 Dhjetor, 2015

Prishtinë, 18 dhjetor 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e Këshillit të Ministrave për Reformë në Administratën Publike, ku ka kërkuar adresim sa më të shpejt të të gjitha çështjeve që lidhen me këtë reformë dhe që të përcaktohet afati kur do të përfundohen këto çështje para gjysmës së vitit të ardhshëm.
Para anëtarëve të Këshillit, kryeministri Mustafa ka rikonfirmuar zotimet për përmbushjen e obligimeve në procesin e Reformës së Administratës Publike, që kanë të bëjnë me qeverisjen e mirë dhe me procesin e integrimeve evropiane.
“Ne takimin e parë e kemi mbajtur në margjinën e dialogut me Bashkimin Evropian në qershor të këtij viti, dhe këtu ne kemi shprehur vullnetin dhe synimet tona që Reforma e Administratës Publike duhet të jetë një prej prioriteteve kyçe të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Jemi zotuar po ashtu që në një afat të arsyeshëm kohor do ta kompletojmë kornizën strategjike për tri shtyllat kyçe që kanë të bëjnë me Reformën e Administratës Publike. Dhe, unë mund të them se është miratuar Strategjia për Modernizimin e Administratës Publike, Strategjia për Koordinimin e Politikave si dhe Strategjia për Rregullimin e Mirë, ndërsa, presim që në mesin e vitit të ardhshëm ta miratojmë edhe Strategjinë për Menaxhimin e Financave Publike”, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, theksoi se kompletimi i të gjitha këtyre strategjive është vlerësuar pozitivisht edhe nga Komisioni Evropian dhe ajo del qartë në pasqyrën e Raportit të Progresit për Kosovën. Mirëpo, siç bëri të ditur kryeministri, mbetet që tani të zbatohen këto strategji dhe të ndërtohen kapacitete buxhetore dhe kapacitete njerëzore për zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e këtyre strategjive.
“Ne e kemi një zotim të Komisionit Evropian që të ndihmojë Kosovën në zbatimin e këtyre politikave në kuadër të instrumentit të ri, përkrahjes buxhetore sektoriale. Dhe ne duhet t’i përmbushim disa prej obligimeve tona në mënyrë që së bashku ta realizojmë këtë. Ministria e Administratës Publike së bashku me Ministrinë e Integrimeve Evropiane dhe zyrën time kanë përgatitur disa tregues në kuadër të përkrahjes buxhetore sektoriale për Reformën e Administratës Publike, të cilët tregues pritet që të negociohen me Komisionin Evropian. Dhe ky proces pritet të përmbyllet në tre mujorin e parë të vitit të ardhshëm”, tha kryeministri, duke shtuar se për ta përfituar përkrahjen buxhetore sektoriale duhet të plotësohen kushtet që janë vënë nga KE-ja, të cilat ndërlidhen me zbatimin e kornizës së politikave dhe legjislacionit në fuqi.
Në këtë kontekst, kryeministri Isa Mustafa theksoi se nevojitet përkushtim i të gjithë akterëve institucionalë të përfshirë në proces për marrjen dhe zbatimin e vendimeve të duhura.
“Nevojitet zbatimi i procesit i klasifikimit të vendeve të punës në shërbimin civil dhe kjo të filloj sa më shpejtë që është e mundur dhe të realizohet në bashkërendim të ngushtë me Ministrinë e Administratës Publike dhe Ministrinë e Financave. Nevojitet të sigurohet buxhet i nevojshëm për zbatimin e kornizës strategjike, për reformën e administratës publike dhe të reflektohet në kornizën afatmesme të shpenzimeve. Nevojiten treguesit, gjegjësisht indikatorët, e përgatitur nga institucionet e lartpërmendura që fillimisht të procedohet në Qeveri dhe që të ofrohet mbështetja dhe zotimi ynë publik për përmbushjen e këtyre indikatorëve. Nevojitet që Ministria e Integrimit Evropian në bashkërendim me Ministrinë e Administratës Publike dhe zyrën time, të sjellë për miratim në Qeveri vendimin mbi themelimin e ekipit për procesin e negocimit të treguesve për përkrahje buxhetore duke qartësuar përbërjen dhe përgjegjësitë e ekipit negociator. Për shkak të kompleksitetit të çështjeve duhet të presim që të sillen në Qeveri raportet që përmbajnë të dhëna rreth procesit të negocimit si dhe indikatorët e negociuar, ku pastaj do të përcaktohet kostoja e zbatimit të tyre dhe do të reflektoj në kornizën afatmesme të shpenzimeve. Nevojitet po ashtu, që metodologjia për monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të kornizës strategjike për reformën e administratës publike të procedohet në Qeveri për aprovim, dhe të punohet me intensitet të shtuar në përforcimin e kapaciteteve të dy strukturave të rëndësishme në këtë proces, që janë Zyra për Planifikim Strategjik dhe Departamenti për Menaxhimin e Reformës së Administratës Publike”, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa, ka kërkuar adresim sa më të shpejt të të gjitha këtyre çështjeve duke kërkuar, po ashtu, që së bashku me ministrat përgjegjës të përcaktohet afati kur do të përfundohen këto çështje para gjysmës së vitit të ardhshëm, në mënyrë që pastaj të mos ketë probleme me KE-në në shfrytëzimin e mjeteve dhe në përmbylljen e detyrimeve që janë marrë në këtë fushë.
Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, njëherësh kryesues i Këshillit Ministror të  Reformës së Administratës Publike, tha se Qeveria tashmë ka aprovuar pothuajse tërë kornizën strategjike për reformën e administratës publike. “Jemi në hartim e sipër edhe të strategjisë për menaxhimin e financave publike. Ndërkohë, janë publikuar edhe raportet, si Raporti i Progresit për Kosovë, raporti i SIGMA-s, OECD-s, dhe është mbajtur takimi i grupit të veçantë  të reformës së administratës publike ku janë vlerësuar të arriturat, por edhe sfidat. Vlerësimet e përgjithshme janë se ka pasur përparim në aprovimin dhe përgatitjen e dokumenteve, ndërsa tash koncentrimi duhet të jetë te monitorimi dhe zbatimi i strategjive dhe ligjeve”, tha Yagcilar.
Ai, po ashtu, theksoi se Bashkimi Evropian do të jetë i fokusuar në monitorimin e katër fushave. “Që institucionet qeveritare qendrore të përmbushin të gjitha funksionet vendimtare për një sistem politikbërës dhe të qëndrueshëm, të organizuar mirë dhe kompetentë. Planifikimi i politikave është harmonizuar në linjën me gjendjen financiare të Qeverisë dhe garanton se Qeveria mund të arrijë objektivat e saj. Menaxhimi i financave kombëtare dhe politika e kontrollit është e definuar dhe implementohet në mënyrë sistematike në tërë sektorin publik. Prokurimi publik është i rregulluar me politika dhe procedurat e zbatuara në përputhje me Acquis të BE-së dhe mbështetur nga institucionet kompetente me burime adekuate. Këto janë edhe detyrat tona, por janë edhe kërkesa nga Bashkimi Evropian. Po ashtu, në vazhdën e takimeve të grupit të veçantë për Reformën e Administratës Publike, takime këto bilaterale midis institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian kanë rezultuar një varg konkluzionesh në formë të aktiviteteve të cilat jemi zotuar t’i plotësojmë”, tha Yagcilar, duke përmendur fushat ku do të fokusohet BE sa i përket monitorimit e që janë përkrahja buxhetore, zbatimi i klasifikimit të vendeve të punës, llogaridhënia dhe organizimi i administratës publike, koordinimi ndërinstitucional dhe zbatimi i kornizës strategjike të reformave.

 

Last modified: 18 Dhjetor, 2015

Comments are closed.

×