Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Jordania, përkrahëse e fuqishme e shtetit të Kosovës

17 Nëntor, 2015

Prishtinë, 17 nëntor 2015
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti të martën në takim Mbretin e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Abdullah II Ibn Al Hussein.

Gjatë takimit, kryeministri Isa Mustafa dhe Mbreti Abdullah II Ibn Al Hussein, biseduan për raportet shumë të mira ndërmjet dy vendeve dhe për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.
 
Kryeministri Isa Mustafa, e falënderoi Mbretin Abdullah II Ibn Al Hussein, për përkrahjen që Jordania ka dhënë për shtetin e Kosovës që nga njohja e pavarësisë, e deri në fazat mëvonshme të ndërtimit dhe forcimit të shtetësisë.
 
“Jordania, gjatë kësaj periudhe ka ofruar një përkrahje dhe kontribut të çmuar për forcimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
 
Pasi e njoftoi për progresin që po arrihet në Kosovë, kryeministri Isa Mustafa, theksoi përkushtimin maksimal të Qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, hapje të vendeve të punës, mirëqenie sociale e reforma të tjera në rrugën integruese euroatlantike.
 
Kryeministri Mustafa, po ashtu, shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin marrëdhënieve dhe shkëmbimeve ndërmjet dy shteteve, me theks të posaçëm në ekonomi.
 
Mbreti i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Abdullah II Ibn Al Hussein, ka vlerësuar progresin në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtejshme të Jordanisë për Kosovën.
 
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa dhe Mbreti Abdullah II Ibn Al Hussein, kanë biseduar edhe për proceset aktuale, angazhimin e përbashkët në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, dhe po ashtu, për fusha tjera të rëndësishme për Kosovën, si fusha e shëndetësisë dhe drejtësisë.

Last modified: 17 Nëntor, 2015

Comments are closed.

×