Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Integrimi në BE vlerë drejtuese për shoqërinë kosovare

5 Maj, 2016

Prishtinë, 5 maj 2016

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot më takim përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë/Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini dhe komisionerin e BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos.
 
Pas një dreke pune, kryeministri Isa Mustafa dhe dy mysafirët kanë mbajtur një konferencë për gazetarë.
 
Kryeministri Isa Mustafa tha se gjatë takimit është biseduar për propozimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, për proceset tjera integruese të Kosovës, për përkushtimin në luftë kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm terrorizmit, për dialogun si dhe për fuqizimin e mëtejshëm të Kosovës.

“Konstatuam se e ardhmja Kosovës është në gjirin e familjes së madhe evropiane, se populli i Kosovës është i përkushtuar për vlerat perëndimore evropiane, se kosovarët e shohin Evropën si shtëpinë e tyre të përbashkët me të gjithë evropianët e tjerë”, tha kryeministri.

Sa i takon liberalizimit të vizave, kryeministri Mustafa tha se vendimi i Komisionit Evropian është një e arritur e madhe e bazuar në përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës dhe gatishmërinë e BE-së për ta vlerësuar këtë përmbushje.

“Ky vendim historik për neve përfundimisht e nxjerrë Kosovën nga izolimi, i hap perspektivë të fuqishme politike dhe ekonomike dhe së bashku me Marrëveshjen për Stabilizim Asociim krijon një ambient shumë më pozitiv për progres në alternativën tonë të vetme që është alternativa evropiane. Po ashtu, theksuam se liberalizimi i vizave kërkon që çdo qytetar i Kosovës të respektojë me përpikëri maksimale modalitetet e lëvizjes në Zonën Schengen”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, ka shprehur përkushtimin e Kosovës për t’i forcuar marrëdhëniet me shtetet fqinje, si faktor paqeje dhe stabiliteti duke përfshirë edhe vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Por, kryeministri Mustafa ka kërkuar që Serbia të heq dorë nga pengesat që po i bën Kosovës, në kundërshtim me dialogun e Brukselit, duke u përpjekur që ta bllokoj anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Integrimi në Bashkimin Evropian është vlerë drejtuese për shoqërinë kosovare. Kosova ka nevojë për Evropën por edhe Evropa do të jetë më e plotë me Kosovën”, ka thënë kryeministri Mustafa.
 
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Politikave të Sigurisë, Federica Mogherini, tha se rekomandimi për heqjen e vizave është rezultat i një pune shumë të madhe dhe të përbashkët.

“Kemi bërë një hap shumë të rëndësishëm përpara. E di që ka qenë i shumëpritur nga kosovarët dhe do të ketë impakte pozitive në jetën e përditshme dhe në sferën politike. Kjo do të thotë se Kosova është Evropë dhe në atë çka jemi duke punuar ne është integrimi evropian i Kosovës në BE, hap pas hapi”, tha Mogherini.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së ka theksuar se Kosova ka perspektivë evropiane duke uruar edhe për suksesin në UEFA dhe të arriturat tjera. 

Mogherini, po ashtu, ka thënë se liberalizimi i vizave i ka përmbushur aspirata dhe ëndrrat e qytetarëve të Kosovës për të lëvizur lirshëm në Evropë.

Sa i takon dialogut në Bruksel, Mogherini theksoi rëndësinë e implementimit të marrëveshjeve të cilat janë nënshkruar, të cilat, siç u shpreh ajo, janë shumë të rëndësishme për Kosovën, për Bashkimin Evropian dhe për rajonin.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, ka përgëzuar qytetarët e Kosovës duke theksuar se duhet të punohet edhe më shumë së bashku në rezultatet që do vijnë.

“Idealet dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar BE-ja janë ende gjallë, të rëndësishme për shumë evropianë brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian, posaçërisht për gjeneratat e reja dhe kemi obligime ndaj tyre”, tha Mogherini.
 
Komisioneri për Migracion, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, vlerësoi lartë dy sukseset e fundit të Kosovës, pranimin në UEFA-në dhe rekomandimin për liberalizimin e vizave.

“Jemi këtu të ndajmë këtë gëzim me ju si evropianë, pjesë e të cilës do të jeni edhe ju. Kosova është pjesë e familjes evropiane”, tha Avramopoulos, duke theksuar se në të ardhmen do të ketë rezultate tjera pozitive në fushën e përafrimit të Kosovës me BE-në.

Komisioneri Dimitris Avramopoulos tha po ashtu se Kosova ka bërë progres të theksuar dhe se propozimi i Komisionit Evropian është  rezultat direkt i punës së madhe dhe përpjekjeve të suksesshme të autoriteteve të Kosovës për të arritur progres në fushat të cilat janë përcaktuar.

“Kosova i ka përmbushur të gjitha parakushtet për liberalizimin e vizave dhe e kuptojmë gjithsesi se deri në ditën e aprovimit të këtij propozimi nga Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian, Kosova do të ratifikojë Marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi dhe do të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Avramopoulos, duke folur edhe për impaktin që do të ketë liberalizimi i vizave për kosovarët.

Komisioneri Avramopoulos, po ashtu, u shpreh se lëvizja e lirë duhet të shoqërohet edhe me disa obligime dhe se tani do të fillohet me kampanjën për të mos lejuar abuzimin me lëvizjen pa viza.

Fjala e plotë e Kryeministrit Mustafa.
 
E nderuara Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Jashtme të Sigurisë, znj.Federica Mogherini,
I nderuar komisioner i Bashkimit Evropian për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, z.Dimitris Avramopoulos,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
I nderuari z.Zhbogar,
Të gjithë ju që sot jeni prezent këtu, si pjesë e delegacionit nga Brukseli.
 
Është nder i veçantë dhe kënaqësi e veçantë për mua që të mirëpres në Prishtinë dy drejtues të lartë evropianë, të cilët po e vizitojnë Kosovën në këto ditë historike.

Janë këta mysafirët e parë në këto ditë gëzimi që po i përjetojmë, pas propozimit të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave dhe po ashtu pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA.

Andaj, siç e ka traditë populli ynë, i urojmë mirëseardhje dhe u shprehim mirënjohje për nderin që na japin duke qenë këtu me ne, për të ndarë së bashku gëzimin dhe për të biseduar për ecjen përpara të Kosovës.

Me zonjën Mogherini dhe me zotin Avramopoulos, patëm një drekë pune ku biseduam për shumë çështje të interesit të përbashkët.

Biseduam për propozimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, për proceset tjera integruese evropiane të Kosovës, për përkushtimin në luftë kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm si dhe terrorizmit, për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe për fuqizimin e mëtutjeshëm të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Vlerësuam se demokracia, paqja dhe siguria në Evropë janë vlera të cilat do t’i ndërtojmë, duhet t’i ruajmë dhe duhet t’i kultivojmë bashkërisht. Konstatuam se e ardhmja Kosovës është në gjirin e familjes së madhe evropiane, se populli i Kosovës është i përkushtuar për vlerat perëndimore evropiane, se kosovarët e shohin Evropën si shtëpinë e tyre të përbashkët me të gjithë evropianët e tjerë.

Sa i takon liberalizimit të vizave, mund të them se vendimi i Komisionit Evropian është një e arritur e madhe e bazuar në përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës dhe gatishmërisë së Bashkimit Evropian për ta vlerësuar këtë përmbushje ashtu siç është zotuar edhe më parë.

Ky vendim historik për neve përfundimisht e nxjerrë Kosovën nga izolimi, i hap perspektivë të fuqishme politike dhe ekonomike dhe së bashku me Marrëveshjen për Stabilizim Asociim krijon një ambient shumë më pozitiv për progres në alternativën tonë të vetme që është alternativa evropiane.

Po ashtu, theksuam se liberalizimi i vizave kërkon që çdo qytetar i Kosovës të respektojë me përpikëri maksimale modalitetet e lëvizjes në Zonën Schengen.

Andaj, Qeveria e Republikës së Kosovës do të bashkëpunoj me qytetarët e saj që të bëj të mundur që Kosova të jetë model i zbatimit të përpiktë dhe maksimal të këtyre rregullave.

Kemi biseduar edhe për relacionet e fqinjësisë dhe kemi shprehur përkushtimin tonë për ta forcuar këtë miqësi, për t’i forcuar marrëdhëniet me shtetet fqinjë si faktor paqeje dhe stabiliteti duke përfshirë edhe vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Dialogu dhe fqinjësia e mirë janë vlera të çmuara evropiane për të cilat Kosova është e përkushtuar pa asnjë dilemë.

Por, Serbia po ashtu duhet të heq dorë nga pengesat që po i bën Kosovës, në kundërshtim me dialogun e Brukselit, duke u përpjekur që ta bllokoj anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe organizatat evropiane.

Prandaj, më lejoni që të shpreh mirënjohje të posaçme për Presidentin e Komisionit Evropian z.Juncker, për Përfaqësuesen e Lartë, zonjën Mogherini, për komisionerin Avramopoulos dhe përfaqësuesit e tjerë të Komisionit Evropian dhe të kërkoj përkrahjen e tyre edhe për proceset e mëtutjeshme të cilat ne duhet t’i vazhdojmë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Unë dje u ktheva nga Hungaria ku një ditë më parë Kosova u bë anëtarë e UEFA-së, dhe shumë shpejt do të bëhet edhe anëtare e FIFA-s. Para pak ditësh dy sportistë tanë fituan medalje sportive në garat që u mbajtën në Rusi. Pak më parë kemi pas një film kandidat potencial për çmimin OSCAR. Kemi arritur të kemi rritjen më të madhe në regjion sipas vlerësimeve të Bankës Botërore. Kemi filluar me implementimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim e cila ka hyrë në fuqi me 1 prill të këtij viti. Jemi pranuar në programin e Agjencisë shtetërore amerikane të Korporatës së Sfidave të Mileniumit dhe tani e kemi marrë edhe rekomandimin e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave.

Unë vlerësoj se Kosova me njerëzit e saj punëtorë, me resurse të bollshme natyrore, me potencialin intelektual dhe kreativ dhe me optimizmin dominant i ka gjithçka që nevojitet që çdo aspiratë demokratike të qytetarëve të saj ta realizojë.

Republika e Kosovës duhet të jetë dhe është model i stories së suksesshme dhe burim i krenarisë për qytetarët e saj dhe për botën demokratike, por edhe për vendet e Bashkimit Evropian të cilat na kanë përkrah për institucionet e Bashkimit Evropian.

Andaj, integrimi në Bashkimin Evropian është vlerë drejtuese për shoqërinë kosovare. Kosova ka nevojë për Evropën por edhe Evropa do të jetë më e plotë me Kosovën.

Ju falënderoj shumë!

Last modified: 5 Maj, 2016

Comments are closed.

×