Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Hyrja në fuqi e MSA-së kapitull i ri i zhvillimit të Kosovës

16 Maj, 2016

Prishtinë, 16 maj 2016
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e parë  të Komisionit Parlamentar BE-Kosovë për Stabilizim Asociim.
 
Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa në këtë takim.
 
Dëshiroj që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës t’ju uroj për fillimin e punës së Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit, që është me rëndësi themelore, sepse është instrument i marrëveshjes dhe po ashtu është një komponentë tepër e rëndësishme e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit që ne e kemi nënshkruar si Marrëveshje të parë kontraktuale me Bashkimin Evropian.
 
Unë konsideroj se me nënshkrimin dhe hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Republika e Kosovës përkatësisht shteti ynë ka filluar një kapitull të ri të zhvillimit. Marrëveshja nënkupton më shumë të mira për njerëzit e Kosovës dhe po ashtu nënkupton edhe më shumë të mira për Bashkimin Evropian si dhe më shumë stabilitet dhe integritet në këtë rajon. Kryetari i Kuvendit, z. Veseli, shprehu qartë zotimet tona si Republikë e Kosovës, si Kuvend dhe organet e Republikës së Kosovës dhe ne do të punojmë fuqishëm që këto t’i realizojmë.
 
Me nënshkrimin e kësaj Marrëveshje më 27 tetor të vitit të kaluar është konfirmuar vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës për perspektivën e integrimit si vizion madhor i Kosovës dhe i gjithë qytetarëve të saj. Prandaj, konsideroj se kjo marrëveshje është pjesë e rëndësishme e rrugës së Kosovës për Bashkimin Evropian e cila ofron mundësi më të mëdha për reforma të ndryshme në sektorë të ndryshëm. Mirëpo, po ashtu, Marrëveshja nënkupton edhe angazhimin e gjithë spektrit politik kosovar, angazhimin e shoqërisë civile, bizneseve, shoqatave të tyre sepse shumë komponentë të kësaj Marrëveshje i përkasin strukturave më të gjëra të shoqërisë. Neve na nevojitet një sinergji e përbashkët, sepse objektivat e përcaktuara janë objektiva proevropiane dhe mendoj se vetë fakti i themelimit të Komisionit Parlamentar të përbashkët edhe të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës edhe atyre të Parlamentit Evropian flasin për rrugën tonë dhe vullnetin tonë integrues për të respektuar parimet demokratike, për të aplikuar standardet evropiane të tregut, për të aplikuar konkurrencën, shtetin ligjor dhe të drejtën pronësore.
 
Marrëdhëniet kontraktuale me Bashkimin Evropian do të ndihmojnë në adaptimin e standardeve evropiane në vendin tonë, në avancimin e dialogut politik, në përmirësimin e standardeve të edukimit, punësimit, të energjisë, ambientit, të forcimit të shtetit ligjor dhe të rritjes së efiçiencës të qeverisjes së brendshme.

Kjo Marrëveshje po ashtu është edhe një agjendë e veçantë për krijimin e tregut të përbashkët të Kosovës dhe të Bashkimit Evropian dhe të reformave që parashohin bashkëpunim rajonal, lirinë e lëvizjes së mallrave, të shërbimeve, të punëtorëve dhe kapitalit me të cilat ne me vetëmohim do të mundohemi që t’i realizojmë dhe t’i shndërrojmë në një realitet.
 
Unë konsideroj se një shtyllë tepër e fortë e kësaj Marrëveshje tani është edhe vendimi  i Komisionit Evropian për të rekomanduar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, sepse kjo do të na mundësoj lëvizjen e lirë të bizneseve dhe të afaristëve tanë kosovarë në tregun e Bashkimit Evropian, integrimin e tyre më të lehtë dhe më efikas në këtë treg, që është tepër e rëndësishme për ne.
 
Në anën tjetër me liberalizimin gradual të tregut sipas Marrëveshjes, Bashkimi Evropian dhe Kosova do të vendosin një bashkëpunim më të ngushtë për të kontribuar në zhvillimin dhe rritjen ekonomike të Kosovës dhe përgatitjen e saj për integrimin në Bashkimin Evropian. Bashkimi i tillë do të forcojë lidhjet ekonomike ekzistuese dhe do të krijojë edhe përfitime të reja nga të dyja palët. Kosova ka nevojë, dhe në rend të parë bizneset kosovare, që të përgatiten për të penetruar në tregun e Bashkimit Evropian. Nevojitet veçmas që të përgatitemi në pikëpamje të cilësisë së produkteve dhe çmimeve, të jemi konkurrent në këtë treg që është një treg shumë i madh i 28 vendeve të Bashkimit Evropian prej mbi 500 milionë banorë.
 
Ne, po ashtu, jemi shumë falënderues edhe për përfitimet që Kosova do t’i ketë nga IPA në periudhën e ardhshme kohore që do të mundësojë edhe investime më të mëdha, por edhe reforma demokratike shumë më të mëdha.

Ne konsiderojmë se një tjetër efekt pozitiv që neve na ndërlidhë me Bashkimin Evropian është edhe thithja e kapitalit të huaj, përkatësisht nxitja e investimeve direke që mund të vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian në Kosovë mbi bazën e realizimit të kësaj Marrëveshje që do të krijojë vende të reja të punës, do të krijojë zhvillim të ri ekonomik dhe dinamikë më të madhe të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenie më të madhe sociale.
 
Unë ju garantoj se ne do të punojmë me përkushtimin më të madh në forcimin e shtetit ligjor, do të punojmë shumë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Po ashtu do t’i përmbushim zotimet tona sa i përket dialogut me fqinjët, dhe do të ashpërsojmë luftën kundër terrorizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm, në të cilën Kosova është treguar shumë aktive dhe mendoj se është treguar shumë e suksesshme në pikëpamje të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës.
 
Një pjesë e agjendës së veçantë të Qeverisë që unë e drejtoj është edhe zhvillimi ekonomik i vendit dhe rritja e nivelit të punësimit. Parakushtet që ne dëshirojmë t’i ndërtojmë përmes prioriteteve që i kemi dhënë kësaj fushe është që të ofrojmë një ambient më të mirë për investime të huaja direkte, për forcimin e sektorit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, i cili sektor duhet të krijoj më shumë vende pune, sidomos për gra dhe të rinj për çka kemi biseduar edhe sot me përfaqësuesit e Parlamentit Evropian sepse janë dy grupe më të rrezikuara për punësim dhe po ashtu edhe për afirmimin sa më të madh të gruas dhe rolit të saj në shoqëri dhe në ekonomi.
 
Me këtë rast unë dëshiroj t’i falënderoj të gjithë ata që punuan dhe kontribuuan për këtë Marrëveshje. Falënderoj përfaqësuesit e lartë të Parlamentit Evropian që sot janë këtu, por edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian për përkrahjen që na kanë dhënë dhe për të gjitha përgatitjet dhe punën që bashkërisht e kemi bërë derisa e kemi nënshkruar këtë Marrëveshje dhe punën që kemi bërë në programin qeverisës për implementimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.

Last modified: 16 Maj, 2016

Comments are closed.

×