Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Fryma e Raportit të Progresit 2015, lajmëtare e procesit integrues

11 Nëntor, 2015

Prishtinë, 11 nëntor 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në takim shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë/përfaqësues special i BE-së, Samuel Zhbogar, i cili i ka dorëzuar Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2015.

Kryeministri Mustafa ka falënderuar zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe shtetet anëtare për qasjen konstruktive në raport me Kosovën, duke theksuar se fryma e Raportit të Progresit për Kosovën, është lajmëtare e intensifikimit të procesit të integrimit të Kosovës në BE.

Për kryeministrin Mustafa, Raporti i Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, i cili këtë vit vjen pas Nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), është paralajmërues se brenda një periudhe shumë të shkurtër, Kosovës dhe qytetarëve të saj do t’u mundësohet lëvizja e lirë në zonën Schengen nëpërmjet liberalizimit të vizave.

Kryeministri Isa Mustafa ka theksuar se këto dy procese tashmë kanë konsoliduar dhe formësuar fuqimisht agjendën evropiane të  Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe institucionet tjera të shtetit tonë, jam i bindur se do ta lexojnë me kujdes përmbajtjen e Raportit të Progresit për Kosovën për vitin 2015. Si kryeministër, garantoj se çdo germë e këtij raporti do të lexohet drejt dhe me vëmendjen e duhur. Ne kemi punuar për të pasur një Raport të mirë të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën. Koalicioni qeverisës ka funksionuar në mënyrën më të mirë, dhe kjo edhe në të ardhmen ofron siguri se do të implementojmë të gjitha rekomandimet e BE-së. Por, natyrisht e dimë që na mbetet ende punë për të kryer reformat e përafrimit me standardet e BE-së”, ka theksuar kryeministri Mustafa.

Kryeministri Mustafa, poashtu, tha se Kosova do të fokusohet në përmbushjen e obligimeve të veta për reformë në sundimin e ligjit, duke ndërmarrë hapa konkretë në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, në reformën ekonomike dhe në reformën e administratës publike.
“Këto shtylla do të jenë prioritet i Qeverisë që unë drejtoj. Natyrisht, Qeveria pret bashkëpunim nga institucionet tjera, institucionet e pavarura dhe sidomos nga opozita, e cila ka rolin e vet të rëndësishëm në procesin e përmbushjes së reformave që i mundësojnë vendit integrimet evropiane”, ka theksuar Mustafa.
 

Last modified: 11 Nëntor, 2015

Comments are closed.

×