Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Do të rritet përkrahja buxhetore për Obiliqin dhe komunat tjera me territor më të vogël

12 Maj, 2016

Prishtinë, 12 maj 2016
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim kryetarin e Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.
 
Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, u bisedua për proceset zhvillimore në Obiliq, për projektet si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet kjo Komunë.
 
Kryeministri Isa Mustafa ka shprehur përkrahje për punën dhe projektet e Komunës së Obiliqit, duke vlerësuar përkushtimin e kryetarit Gashi dhe Komunës së Obiliqit për adresimin e nevojave të qytetarëve.
 
Kryeministri theksoi angazhimin e Qeverisë që në kuadër të planifikimit të kornizës buxhetore për vitin e ardhshëm dhe në suaza të ndryshimit të Ligjit për Financat Lokale, të sigurohet përkrahje më e madhe për Obiliqin.
 
“Do të angazhohemi që të rishikohen kriteret e ndarjes së buxhetit për komunat me  numër më të vogël të banorëve dhe me territor më të vogël, siç është Komuna e Obiliqit, në mënyrë që të bëhet një ndarje më e drejtë e mjeteve qoftë për investime kapitale, qoftë për fushat tjera të rëndësishme në këto komuna”, tha kryeministri Isa Mustafa.
 
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, e falënderoi kryeministrin për përkrahjen e ofruar.
 
Kryetari Gashi foli po ashtu për shqetësimet dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Obiliqi dhe qytetarët e saj, sidomos me ndotjen e ambientit duke theksuar rëndësinë e arritjes së një marrëveshje me KEK-un që të financojë disa projekte për komunitetin, në funksion të evitimit të pasojave të ndotjes.
 
Kryetari Gashi ka kërkuar përkrahjen e Qeverisë në ndërtimin e shtëpisë së kulturës, si dhe në disa projekte infrastrukturore dhe aspekte tjera.
 
Kryeministri Isa Mustafa gjatë ditës së sotme ka pritur në takim edhe kryetarin e Parteshit, Dragan Nikoliq, ku është biseduar për proceset dhe zhvillimet në këtë Komunë.

Last modified: 12 Maj, 2016

Comments are closed.

×