Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa dhe komisioneri Hahn mbajtën konferencë për gazetarë

17 Maj, 2016

Prishtinë, 17 maj 2016
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me komisionerin për Politika Fqinjësore Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn mbajtën një konferencë për gazetarë.
 
Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa

Ishte kënaqësi e veçantë që sot të mirëpresë komisionerin Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn.

Disa ditë më herët, në këtë vend ishim së bashku me zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesen e lartë, Mogherini, si dhe komisionerin Avramopoulos, që flet për një prezencë shumë të shpeshtë dhe të madhe të njerëzve shumë përgjegjës të niveleve më të larta të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Siç jeni të informuar, komisioneri Hahn është në Kosovë për të marrë pjesë në aktivitetet që lidhen me inaugurimin dhe implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, një marrëveshje shumë e rëndësishme për ne, e cila është nënshkruar në tetor të vitit 2015, ndërkaq ka hyrë në fuqi më 1 prill të këtij viti.

Me komisionerin Hahn u takuam sot në mëngjes, biseduam për çështjet aktuale në vend dhe po ashtu ishim në konferencën që i dedikohet zhvillimit të ekonomisë dhe punësimit, që ndërlidhet drejtpërdrejtë me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Ne konsiderojmë se kjo Marrëveshje është dokumenti bazik i të ardhmes evropiane të Kosovës, është një kontratë për të ardhmen, është kontratë e zhvillimeve politike, e zhvillimit ekonomik dhe avancimit të proceseve eurointegruese të vendit tonë.

Me nënshkrimin e kësaj Marrëveshje dhe me hyrjen në fuqi, Kosova ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian e cila Marrëveshje do të sjellë shumë të mira për Kosovën, por e cila po ashtu e ofron shumë Kosovën me Bashkimin Evropian, mirëpo edhe Bashkimin Evropian me Kosovën.

Me hyrjen në fuqi të kësaj Marrëveshje po ashtu kemi konstatuar se është konfirmuar vullneti dhe vizioni i qytetarëve të Kosovës për perspektivën e integrimit evropian si alternativë të vetme të qytetarëve të Kosovës dhe është dëshmuar po ashtu gatishmëria e Bashkimit Evropian të pranoj Kosovën në gjirin e saj, në zhvillimin ekonomik, në forcimin e shtetit ligjor dhe në përparimin e marrëdhënieve të stabilitetit në rajon dhe stabilitetit evropian.

Marrëveshja ofron po ashtu mundësi të veçanta për reforma në gjithë sektorët, reforma të cilat ne i kemi filluar, mirëpo do t’i bëjmë shumë më lehtë dhe në mënyrë shumë më konsistente me përkrahjen e Bashkimit Evropian.

Kjo Marrëveshje na mundëson siç kemi theksuar edhe më parë edhe pjesëmarrjen tonë në një treg shumë më të madh, në një treg prej mbi 500 milionë banorëve, si dhe qasjen tonë në fondet e IPA-s, që janë fonde shumë të rëndësishme për përgatitjen e Kosovës për proceset integruese evropiane.

Në pikëpamje të benefiteve politike, Marrëveshja e Stabilizim Asociimit paraqet themelimin e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian dhe në mënyrë zyrtare na mundëson që ne t’i qasemi rrugës së integrimit në Bashkimin Evropian.

Kjo Marrëveshje formalizon edhe dialogun politik të cilin ne do ta zhvillojmë me Bashkimin Evropian, por edhe intensifikon dialogun politik me fqinjët për përparimin e marrëdhënieve për stabilizim dhe për fqinjësi të mirë.

Unë sot u zotova në bisedë me komisionerin Hahn, por edhe në konferencën që patëm se Qeveria e Republikës së Kosovës do të punoj ngushtë me të gjitha institucionet e Bashkimit Evropian, se ne do të punojmë ngushtë po ashtu edhe me të gjithë partnerët tanë dhe me të gjitha grupet e interesuara, edhe me shoqërinë civile, edhe me bizneset, me shoqatat e bizneseve, edhe me opozitën, me Parlamentin e Kosovës, me partitë politike, sepse Marrëveshja u takon të gjithëve. Interesi i Kosovës është interes i gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe do të bëjmë të pamundurën që ne të nxjerrim përfitimet për Kosovën, por edhe përfitimet evropiane nga implementimi i një marrëveshje të tillë.

Fjala e plotë e komisionerit Hahn

Kam kënaqësinë që jam prapë këtu në Prishtinë, në Kosovë, faktikisht për të festuar jo vetëm anëtarësimin në UEFA për të cilin ju uroj, por gjithashtu edhe për hyrjen në fuqi të MSA-së e cila është po aq e rëndësishme për të ardhmen e vendit.

Siç u tha nga kryeministri paraprakisht, kolegët e mi, përfaqësuesja e lartë, Federica Mogherini dhe komisioneri Avramopoulos, tashmë ishin këtu në vizitë dhe unë nuk dua të fokusohem mbi përgjegjësitë e tyre.

Do të doja të fokusohem tek ajo që e përmendi kryeministri mbi perspektivën ekonomike, e cila është shumë e rëndësishme për zhvillimin e vendit dhe është një nga elementet kryesore të MSA-së. MSA krijon shumë mundësi për zhvillimin e vendit, në mënyrë që të shtyhet vendi drejt një integrimi evropian, dhe sot siç u tha edhe nga kryeministri, jemi dakorduar që të krijojmë një grup koordinues të përbashkët i cili do të koordinohet nga ministri Çollaku dhe nga ambasadori ynë, z. Zhbogar, në mënyrë që të krijojmë një udhërrëfyes që do të merret me nevojat e domosdoshme, imediate, që ndërlidhen me zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit, për shkak se ne besojmë se gjyqësori i besueshëm, sundimi i ligjit, janë shumë të rëndësishme për investimet e reja, por edhe që t’iu jepet investuesve vendas një siguri që ata të investojnë paratë e tyre dhe kjo është shumë e rëndësishme.

MSA jep qasje në tregun evropian dhe gjithashtu krijon mundësi që të keni qasje në tregun evropian, ndërsa në anën tjetër, kompanitë evropiane duhet që prapë se prapë të përballen me disa pengesa tregtare. Do të thotë kjo është një përparësi që ju e keni dhe duhet ta shfrytëzoni. Kjo është një periudhë e tranzicionit deri në dhjetë vite, të cilën autoritetet kosovare dhe bizneset duhet ta shfrytëzojnë për t’u akomoduar me kërkesat e Bashkimit Evropian. Sapo patëm një konferencë me bizneset, dhe aty jemi pyetur, si shembull, që ‘kur kompanitë që krijojnë bulmete,  do të kenë qasje në tregun evropian?’. Ata do të kenë qasje menjëherë në tregun evropian, por duhet të përmbushin kërkesat fitosanitare dhe këtu duhet t’i shpenzojmë paratë tash e tutje.

Meqë ra fjala, në vitin 2016 dhe në vitet e ardhshme, më shumë se 300 milionë euro do të jenë në dispozicion për të akomoduar veçanërisht komunitetin e bizneseve me sfidat të cilat dalin nga MSA-ja, për t’iu mundësuar që të jenë konkurrentë të mjaftueshëm me Bashkimin Evropian dhe këtu duhet ende punë, ka shumë hapësirë për përmirësim.

Përfundimisht, në qoftë se keni qasje në tregun evropian, në shumë raste keni qasje edhe në tregun global, për shkak se shumë standarde teknike, standarde evropiane teknike, janë edhe standarde globale teknike. Kështu që ky është një tjetër nivel, një element tjetër që është shumë i rëndësishëm apo vendimtar. Nuk duhet të harrojmë se me 4 qershor do ta mbajmë Samitin ku do të përfshihet procesi i Berlinit, do të përcaktohemi se sa është e rëndësishme që Kosova të luaj rolin e saj në riintegrimin, rilidhjen e gadishullit Ballkanik me Bashkimin Evropian. Për këtë arsye ka qenë shumë e rëndësishme që të kemi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Jam i bindur se shumë shpejt vendimmarrësit evropianë, Parlamenti Evropian, Këshilli Evropian, do të marrin vendimet e caktuara në mënyrë që raportin tonë pozitiv si Komision Evropian sa i përket liberalizimit të vizave, ta shndërrojnë në një vendim konkret.

Natyrisht se disa vendime duhet të merren brenda vendit dhe iu kisha kërkuar të gjithëve, përfaqësuesve politik, po ashtu edhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, që të luajnë rolin e tyre, të jenë të bashkuar në kuadër të perspektivës evropiane të Kosovës.

Last modified: 17 Maj, 2016

Comments are closed.

×