Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Bashkëpunimi me Iowa-n dhe SHBA-të prioritet i Qeverisë së Kosovës

1 Korrik, 2016

Prishtinë, 1 korrik 2016
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim senatoren amerikane nga shteti i Iowa-s, Joni Ernst.
 
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa e njoftoi për progresin në Kosovë në zhvillimin ekonomik, avancimin e proceseve euroatlantike si dhe fuqizimin e shtetit ligjor.
 
Kryeministri Mustafa, po ashtu, theksoi orientimet kryesore të Qeverisë në avancimin e të arriturave, duke shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për përkrahjen e jashtëzakonshme që SHBA-të dhe shteti i Iowa-s po japin për Kosovën.
 
Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Republikës së Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik me SHBA-të.
 
Ndërkaq, duke folur për bashkëpunimin me shtetin e Iowa-s, kryeministri Mustafa tha se Kosova i jep prioritet primar thellimit të gjithanshëm të këtij bashkëpunimi, duke e falënderuar në veçanti për përkrahjen e Gardës Kombëtare të Iowa-s për FSK-në.
 
Senatorja amerikane nga shteti i Iowa-s, Joni Ernst, ka vlerësuar lartë progresin e arritur në Kosovë, si dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për avancimin e proceseve.
 
Senatorja Ernst theksoi përkrahjen e mëtejme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.
 
Senatorja Ernst, po ashtu, shprehu përkushtimin e shtetit të Iowa-s për bashkëpunim me Kosovën duke theksuar interesim për zgjerimin e fushave të bashkëpunimit si në ekonomi, bujqësi, në fushën e teknologjisë informative dhe përkrahjes për të rinjtë kosovarë në përgatitjen për tregun e punës.

Last modified: 1 Korrik, 2016

Comments are closed.

×