Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Austria partner i rëndësishëm i Kosovës në rrugën evropiane

3 Nëntor, 2015

Prishtinë, 3 nëntor 2015
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ambasadorin e ri të Republikës së Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler.
 
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa, shprehu mirënjohjen e qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e madhe që Austria ka dhënë dhe po vazhdon të japë për Kosovën, duke veçuar mbështetjen në proceset integruese evropiane.
 
Kryeministri Isa Mustafa foli për rëndësinë e nënshkrimit dhe ratifikimit të MSA-së, duke theksuar se Kosova tashmë pret edhe vendimin për liberalizimin e vizave, si një hap të rëndësishëm që i destinohet qytetarëve të Kosovës.

“MSA-ja është një pikënisje e re dhe e arritur shumë e madhe që krijon shumë fusha të bashkëpunimit me vendet e BE-së në ekonomi, marrëdhënie tregtare, krijon mundësi për zhvillim të demokracisë dhe të shtetit ligjor, si dhe hap një perspektivë të re për Kosovën në të gjitha fushat”, tha kryeministri Mustafa.
 
Kryeministri Isa Mustafa, gjatë takimit, po ashtu, ka vlerësuar lartë vizitën e presidentit të Republikës së Austrisë, Heinz Fischer, së bashku me një delegacion të bizneseve austriake, duke shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Austrinë, në veçanti në ekonomi.

“Qeveria e Kosovës aktualisht është e fokusuar plotësisht në zhvillimin ekonomik të vendit dhe reformat që lidhen me zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit”, tha kryeministri Mustafa, duke e njoftuar ambasadorin edhe për proceset tjera në Kosovë.
 
Ambasadori i Republikës së Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, ka vlerësuar progresin e arritur në Kosovë, duke theksuar përkrahjen e mëtejme të Austrisë në proceset integruese evropiane, për anëtarësim në UNESCO dhe proceset tjera.
 
Ambasadori Pfandler shprehu përkushtimin e Austrisë për bashkëpunim ekonomik me Kosovën, duke e konsideruar nënshkrimin dhe ratifikimin e MSA-së një hap që krijon impulse të reja në këtë drejtim.

Last modified: 3 Nëntor, 2015

Comments are closed.

×