Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: ASHAK-u rol esencial për progresin e Kosovës në të gjitha rrafshet

18 Dhjetor, 2015

Prishtinë, 18 dhjetor 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në manifestimin për shënimin e 40 vjetorit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, kryeministri Isa Mustafa, ka përcjell përshëndetjet dhe urimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë përvjetor të dyzet të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës
Kryeministri Isa Mustafa tha se duke shërbyer si prijëse e shkencës dhe dijes së dobishme, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës ka luajtur rolin më të rëndësishëm në progresin shkencor, kulturor dhe të arteve në Kosovë.
“Në të njëjtën kohë, roli dhe aktivitetet, mendimi dhe organizimi, që kanë buruar nga Akademia jonë, janë të rëndësisë esenciale për progresin e vendit tonë në rrafshin historik, politik, ekonomik dhe social. Një gjë është e sigurt, pa Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, pa mendimin veprues të saj, Kosova është populli i Kosovës nuk do të ishin këtu ku janë sot, Kosova shtet i pavarur dhe sovran, duke ecur sigurt në rrugën e integrimeve të mëdha evropiane dhe euroatlantike, populli i Kosovës i lirë dhe i përcaktuar për demokraci, shoqëri progresive dhe zhvillim”, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa tha se kanë qenë akademikët ata të cilët, duke ruajtur dhe kultivuar mendimin kulturor dhe politik, me dinjitetin dhe etikën më të lartë njerëzore dhe akademike, kanë përcaktuar dhe kanë bërë të mundur që kombi të mund të qëndronte fuqishëm përballë valëve të vështira të historisë.
“Si qendër dhe shoqëri e edukimit dhe shkencës, puna e Akademisë ka ndikuar dhe ka krijuar dijetarët dhe ekspertët tanë në të gjitha fushat akademike, politike, shtetformuese, qeverisëse, ekonomike dhe zhvillimore. Këta akademikë veprimtarë dhe mentorë të vyeshëm, sot këtu dhe ata që nuk janë sot me ne, janë autorët e letrave të pavarësisë, të cilët ruajtën dhe kultivuan frymën liridashëse dhe idenë e progresit”, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, theksoi se në kohën e sotme të zhvillimeve globale, shkenca dhe arti, si çdo dimension tjetër jetësor, po bëhen më të afruara dhe më të lidhura globalisht.
“Si rrjedhojë, Akademia jonë po inicion gjithnjë e më shumë projekte ndërkombëtare, në fusha të ndryshme, të cilat po e bëjnë shkencën dhe dijen e Kosovës, pjesë të kulturës dhe dijes botërore, ndërkaq po i bëjnë vlerat tona pjesë të humanizmit, bazuar në parimet etike. Prandaj, sot jam i lumtur që si anëtar i kësaj akademie, përcjell përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të përkrahë Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës për t’u bërë pjesë e rëndësishme e shkencës dhe botës shumë-kulturore”, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa ka falënderuar dhe përkujtuar me respektin më të thellë të gjithë ata studiues që për shumë dekada me punën e tyre kanë kontribuuar që shkenca, arti, dija dhe kultura e Kosovës të ndriçohet, të avancohet, dhe që këto vlera të shfaqen dhe komunikohen kudo nëpër botë.
 

Last modified: 18 Dhjetor, 2015

Comments are closed.

×