Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti vlerëson kontributin e koordinatores për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson

31 Maj, 2022

Prishtinë, 31 maj 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë përshëndetëse të organizuar nga Ekipa e Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNKT, Koordinatoren për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson.

Nga barazia gjinore te përfshirja e përgjithshme, nga politikat e punës te të drejtat e minoriteteve, nga brengat mjedisore te mbrojtja sociale, nga të drejtat qytetare dhe njerëzore te populli dhe liria e mediave, nga pjesëmarrja e të gjithëve te fuqizimi i të gjithëve, nga barazia dhe drejtësia për qytetarët te transparenca dhe përgjegjshmëria e zyrtarëve, nga antikorrupsioni te antidiskriminimi, nga demokracia dhe arsimi te siguria dhe mbrojtja, Ulrika u mor me gjithçka, me secilën prej këtyre edhe më gjerë, me një qasje holistike, por gjithmonë konkrete në thelb në dhjetëra projekte e qindra aksione, tha kryeministri në fjalën e tij.

Siç e dini, ne në Kosovë asnjëherë nuk kemi qenë aq të kënaqur me Kombet e Bashkuara. Por Ulrika disi e ka përmirësuar këtë si një fytyrë ndërkombëtare e OKB-së në kohët kur kombet nuk ishin aq të bashkuara, ndërsa disa prej tyre vazhdojnë të mos e njohin vendin tonë, tha më tej Kryeministri.

Ai theksoi se OKB-ja në Kosovë, e jo vetëm Kosova, mori imazh dhe reputacion më të mirë falë Ulrikës. Kush do ta kishte menduar disa vite më parë, se unë do të flisja në këtë mënyrë që, besoj se e përfaqëson edhe OKB-në, shtoi ai.

Duke e falënderuar për rolin dhe angazhimin e saj, Kryeministri Kurti vlerësoi në veçanti kontributin e saj në përballjen me pandeminë Covid-19 në Kosovë.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Zonja Richardson,
E nderuara Ulrika, e nderuara Koordinatore,
Shkëlqesi, ambasadorë dhe diplomatë të tjerë,
Ministra, zëvendësministra dhe deputetë,
Zonja dhe zotërinj,
Mirëmbrëma të gjithëve,

Ka qenë kënaqësi dhe privilegj të punoja dhe të diskutoja me Ulrikën. Ajo është kaq e lehtë për t’u dashur dhe mjaft e vështirë për t’u ndjekur. Lehtë për t’u dashur, për shkak të zemrës së mirë dhe idealeve fisnike. E vështirë për t’u ndjekur, sepse ajo ka vullnetin e një aktivisteje politike dhe kuriozitetin e një shkencëtareje analitike. Por, nuk kishte rrugë tjetër veçse ta ndiqje, me dashuri.

Nga barazia gjinore te përfshirja e përgjithshme, nga politikat e punës te të drejtat e minoriteteve, nga brengat mjedisore te mbrojtja sociale, nga të drejtat qytetare dhe njerëzore te populli dhe liria e mediave, nga pjesëmarrja e të gjithëve te fuqizimi i të gjithëve, nga barazia dhe drejtësia për qytetarët te transparenca dhe përgjegjshmëria e zyrtarëve, nga antikorrupsioni te antidiskriminimi, nga demokracia dhe arsimi te siguria dhe mbrojtja, Ulrika u mor me gjithçka, me secilën prej këtyre edhe më gjerë, me një qasje holistike, por gjithmonë konkrete në thelb në dhjetëra projekte e qindra aksione.

Veçanërisht nuk mund të mbivlerësohet asnjëherë kontributi i saj në luftimin me pandeminë Covid-19 në Kosovë. Kur askund nuk kishte vaksina, kur u gjetën por ne ende nuk i kishim, kur i merrnim por kishim nevojë për më shumë, gjithmonë mund të llogarisnim tek Ulrika. Ministrat e mi e kanë pëlqyer atë aq shumë, dhe më duhet ta pranoj, shpesh në një nivel disi shqetësues për mua si Kryeministër.

Të gjithë e dimë që rritja nuk mjafton por duhet të arrihet zhvillimi, dhe zhvillimi nuk mjafton por duhet qëndrueshmëria. Të gjithë ata që nuk e dinin këtë do ta mësonin për dy minuta nga Ulrika, ata që e dinin tashmë do të bindeshin të bënin diçka rreth saj, dhe ne të tjerët që mendonim se po bëjmë shumë gjëra, u bindëm se mund të bënim edhe më shumë dhe sigurisht më mirë.

Duket se jo vetëm ne, por edhe Nju Jorku ka qenë shumë vigjilent, duke vënë në pah virtytet e shumëfishta të Ulrikës. Detyra e saj e re do të jetë e vështirë, afër Nju Jorkut, por në Haiti. I kuptuan cilësitë e saj dhe në mënyrë të duhur i dhanë një sfidë të re Ulrikës, Ulrikës sonë. Asaj i urojmë të gjitha të mirat dhe besojmë se edhe Haiti do të bëhet një vend më i mirë për t’u jetuar, sepse atje tash do të jetë Ulrika.

Ne në Kosovë i kemi borxh Ulrikës, më shumë se sa mund të themi dhe më shumë se sa dimë, por kështu është OKB-ja në Kosovë. Siç e dini, ne në Kosovë asnjëherë nuk kemi qenë aq të kënaqur me Kombet e Bashkuara. Por Ulrika disi e ka përmirësuar këtë si një fytyrë ndërkombëtare e OKB-së në kohët kur kombet nuk ishin aq të bashkuara, ndërsa disa prej tyre vazhdojnë të mos e njohin vendin tonë. OKB-ja në Kosovë, e jo vetëm Kosova, mori imazh dhe reputacion më të mirë falë Ulrikës. Kush do ta kishte menduar disa vite më parë, se unë do të flisja në këtë mënyrë që, besoj se e përfaqëson edhe OKB-në.

Angazhimi im politik në Kosovë dhe karriera profesionale e Ulrikës në OKB, ka të njëjtën kohëzgjatje prej 25 vitesh. Kjo ishte vetëm gjysma e parë. Në gjysmën e dytë, të dytë do të bëjmë më shumë dhe më mirë.

Ulrika, faleminderit për rolin dhe kontributin tënd. Mbajeni në mend që ne nuk ju harrojmë kurrë.

Gëzuar për ty dhe për fitoret e sukseset tua të ardhshme.

Last modified: 2 Qershor, 2022

Comments are closed.

×