Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti vizitoi Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror (OFAP)

15 Shtator, 2023

 

Prishtinë, 15 shtator 2023

Pas vizitës në Shoqatën Humanitare dhe Bamirëse “Nëna Terezë” në fillim të javës, vizitën e radhës në Organizatat Jo-Qeveritare, përfituese të programeve mbështetëse nga Qeveria, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e zhvilluan në Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror (OFAP), ku takoi stafin e OFAP, disa prej familjeve strehuese së bashku me disa nga fëmijët që janë strehuar nëpër këto familje.

Kryeministri Kurti gjatë kësaj vizite e falënderoi OFAP, për punën dhe angazhimin në misionin e tyre, duke shprehur mirënjohjen e tij për ofrimin e shërbimeve të përgatitjes dhe trajnimit të familjeve për strehim familjar, si dhe këshillimin dhe trajnimin për prindërimin.

Ndër të tjera, Kryeministri theksoi se vendimi i Ministres së Drejtësisë i datës 1 Qershor 2023 për rritje të pagesës për mbështetje për fëmijët të cilët gjenden në strehim familjar – në vlerë prej 200,000 euro në vit është një tregues tjetër i cili pasqyron përkushtimin tonë si Qeveri për të mbrojtur fëmijët pa përkujdesje prindërore dhe për të forcuar konceptin e familjes strehuese.

Me anë të këtij vendimi pagesa e rregullt mujore, për fëmijët e strehuar brenda familjes është rritur nga 100 në 150 euro, ndërkaq për fëmijët e strehuar jashtë familjes biologjike, pagesa e rregullt mujore është rritur nga 250 në 350 euro, përderisa nga 350 në 450 euro është rritur pagesa për fëmijët me aftësi të kufizuar të strehuar jashtë familjes biologjike.

Po ashtu, pagesa fillestare prej 75 eurosh për fëmijët e strehuar jashtë familjes biologjike dhe fëmijët me aftësi të kufizuar të strehuar jashtë familjes biologjike është rritur në 100 euro, shumë kjo e cila merret me rastin e strehimit të fëmijës në familjen strehuese.

U nënvizua gjithashtu rëndësia e miratimit të Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare në mbledhjen e 159-të të Qeverisë, e cila u mbajt këtë javë, e përmes së cilit fuqizohen shërbimet dhe adresohen nevojat e qendrave për punë sociale, si dhe prioritizimi dhe adresimi i fëmijëve në Kodin Civil, i cili pret miratimin në Kuvend.

Ndërkaq, Drejtoresha e OFAP, Ibadete Krasniqi, mirënjohëse për vizitën, shprehu falënderim për përkrahjen e Qeverisë për Organizatat Joqeveritare që ofrojnë Shërbime Sociale. Tutje, u prezantua puna dhe angazhimi i familjeve strehuese, fëmijëve pa kujdes prindëror dhe mënyra e trajnimit për këto familje dhe fëmijë.

OFAP është krijuar si pasardhës i Organizatës italiane “Amici dei Bambini” e cila ka qenë në Kosovë nga viti 1999 deri në janar të vitit 2016.

Last modified: 15 Shtator, 2023

Comments are closed.

×