Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti u takua me presidentin e Bezos Earth Fund, Andrew Steer

24 Maj, 2022

Davos, 24 maj 2022

Në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u takua me presidentin e Bezos Earth Fund, Andrew Steer. Fondi “Bezos Earth” u themelua falë një zotimi prej 10 miliardë dollarë të themeluesit dhe drejtuesit ekzekutiv të kompanisë “Amazon”, Jeff Bezos, në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe në mbrojte të mjedisit natyror.

Kryeministri Kurti e njoftoi z. Steer me disa prej reformave kyçe që Qeveria e Republikës së Kosovës është duke zbatuar, me theks te synimi për të arritur një rritje të qëndrueshme socio-ekonomike që është në përputhje me qëllimin e përbashkët për një shoqëri më të gjelbër dhe të drejtë. Kryeministri Kurti po ashtu foli për planet dhe synimin e Kosovës për dekarbonizim, tranzicionin e drejtë energjetik dhe potencialin e Kosovës në energjinë e ripërtëritshme.

Kryeministri Kurti dhe z. Steer u pajtuan që të mbesin në kontakt për të diskutuar më tutje format dhe fushat e bashkëpunimit.

Last modified: 30 Maj, 2022

Comments are closed.

×