Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti takoi drejtuesit e KODE Labs

16 Maj, 2022

16 maj 2022, Detroit, Michigan

Gjatë vizitës në Detroit, Michigan, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prit në takim nga drejtuesit e KODE Labs—KOsova & DEtroit.

Kjo ndërmarrje e teknologjisë së informacionit, është një shembull i investimit të kompanive amerikane në Kosovë, që krahas suksesit dhe profitabilitetit të kompanisë, njëherit mbështesin edhe progresin e vendit tonë në këtë sektor.

Në këtë takim u diskutua për mënyrat se si qeveria mund të punojë me kompanitë e teknologjisë së informacionit dhe të trajnojë profesionistë të kësaj fushe, në shërbim të zhvillimit dhe rritjes së potencialit dhe kapaciteteve të teknologjisë së informacionit.

U bisedua për potencialin e zhvillimit të produkteve softuerike, që mundësojnë efikasitet operacional dhe qëndrueshmëri.

Drejtuesit e ndërmarrjes prezantuan projektet e kësaj ndërmarrjeje, që ka dy zyra, në Detroit dhe Prishtinë dhe operon në Amerikë të Veriut, Evropë, Azi dhe Australi.

Në takimin e përbashkët me Zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, Shefin e Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, u theksua klima tërheqëse për investime në Kosovë dhe gatishmëria e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të ofruar dhe siguruar kushte të favorshme.

Last modified: 31 Maj, 2022

Comments are closed.

×