Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti priti në takim përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar

31 Korrik, 2023

Prishtinë, 31 korrik 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi dhe Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, priti në takim gjatë ditës përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje ekipit si dhe i falënderoi ata për bashkëpunimin e frytshëm. Projektet e përbashkëta me FMN-në ishin në fokus të diskutimit.

Qeveria e Republikës së Kosovës u vlerësua për zhvillimin ekonomik në dy vitet e fundit. U theksua se të hyrat buxhetore janë rritur rreth 15% ndërkaq niveli i inflacionit ka rënë dukshëm, në vetëm 2.8% në muajin qershor.

Kryeministri nënvizoi se sipas të dhënave të ATK-së, për herë të parë ekonomia jonë ka mbi 400,000 pozicione të regjistruara të fuqisë punëtore aktive. Duke shërbyer kështu si dëshmi e suksesit të politikave tona të punës dhe ekonomike që kanë ndihmuar gratë, njerëzit me aftësi të kufizuara, sipërmarrësit dhe të tjerët të jenë pjesëmarrës të suksesshëm në fuqinë punëtore.

Përfaqësuesit e FMN-së thanë se duke pas parasysh këto të dhëna dhe zhvillime, Kosova ka një të ardhme të ndritur përpara. Ata gjithashtu u shprehën falënderues për bashkëpunimin e mirë ndërmjet FMN-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Delegacioni nga FMN kryesohej nga Zëvendësdrejtori i Departamentit për Evropë të FMN-së, Mark Horton. Ai shoqërohej nga drejtuesi i misionit të FMN-së në Kosovë, Gabriel di Bella dhe ekipet e tyre përkatëse.

Last modified: 31 Korrik, 2023

Comments are closed.

×