Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti priti në takim Komisioneren për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, Dunja Mijatoviq

30 Maj, 2022

Prishtinë, 30 maj 2022

Të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit dhe demokracia, ishin në qendër të takimit të sotëm të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me Komisioneren për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, Dunja Mijatoviq.

Kryeministri Kurti theksoi reformat e nisura nga qeveria në drejtësi, sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe luftën kundër krimit e korrupsionit. Duke veçuar indikatorët pozitivë ekonomik, ai theksoi përkushtimin e Qeverisë për të kthyer rritjen ekonomike në rritje të mirëqenies për qytetarët, nëpërmjet politikave sociale, që në fokus e kanë qytetarin dhe barazinë shoqërore.

Duke biseduar për vendimet e Qeverisë për rritjen e barazisë sociale në Kosovë, kryeministri Kurti përmendi rritjen e shumës së asistencës sociale, rritjen e pensioneve, fillimin e zbatimit të programit për shtesa për lehona e shtesa për fëmijë, si dhe studimet falas.

Ai përmendi angazhimin për avancimin e barazisë gjinore, për mbylljen e hendekut gjinor në profesione, dhe mbështetjen në avancimin e vajzave në shkencë, me ndarjen e 1365 bursave për vajzat që studiojnë në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës – STEM.

Gjatë takimit u fol për bashkëpunimin rajonal, ndikimin e luftës së Ukrainës, si dhe u theksua nevoja për vëmendje shtesë të Bashkimit Evropian për rajonin e Ballkanit.

Komisionerja Mijatoviq shprehu vlerësimin e saj për programin e qeverisë për pranimin e 20 gazetarëve nga Ukraina. Kjo është një iniciativë e çmueshme, që do të duhej shumëfishuar në vendet e tjera të Evropës, tha ajo.

U bisedua për drejtësinë tranzicionale, mbi nismat e Qeverisë për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës, gjykimin e këtyre krimeve, zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës dhe luftimin e stigmës ndaj dhunës seksuale gjatë luftës, që ishte përdorur si armë lufte në Kosovë.

Last modified: 31 Maj, 2022

Comments are closed.

×