Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti priti në takim Drejtoreshën e Përgjithshme të BERZH-it për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Charlotte Ruhe

24 Janar, 2024

Prishtinë, 24 janar 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin​ Kurti së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati takuan Drejtoreshën e Përgjithshme të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Charlotte Ruhe, Drejtorin e BERZH-it në Kosovë, Sergey Maslichenko si dhe zëvendësdrejtorin e BERZH në Kosovë, Arianit Blakaj.

Në takim u diskutuan tetë projektet aktuale që Qeveria e Kosovës është duke i zbatuar në bashkëpunim me BERZH, siç është projekti për efiçiencë të energjisë në ndërtesat publike në Komunën e Prishtinës dhe Prizrenit, projekti për trajtimin e ujërave të zeza në Komunën e Ferizajt si dhe projekti për ndërtimin e ngrohtores diellore.

Gjithashtu, gjatë këtij takimi, u diskutuan disa nga projektet prioritare për vitin 2024, përfshirë ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë, Gjilan dhe Mitrovicë, ndërtimin e rrugëve rajonale, projektin e sinjalizimit dhe telekomunikimit për Linjën 10 hekurudhore, si dhe projekte të tjera që fokusohen në sektorin e energjisë dhe atë të ujërave.

Gjatë takimit, kryeministri Kurti falënderoi përfaqësuesit e BERZH për përkrahjen e vazhdueshme, duke theksuar rëndësinë e këtyre investimeve, sidomos në avancimin e kapaciteteve për shfrytëzim të energjisë së ripërtritshme.

Në anën e saj, drejtoresha Ruhe falënderoi Qeverinë e Kosovës për bashkëpunimin e deritanishëm duke ritheksuar vazhdimin e mbështetjes së BERZH për jetësimin e projekteve të shumta infrastrukturore, të telekomunikimit, energjisë dhe mobilitetit urban.

Last modified: 24 Janar, 2024

Comments are closed.

×