Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti përkujtoi heronjtë, Zahir Pajazitin, Edmond Hoxhën, Hakif Zejnullahun dhe Ilir Konushevcin

31 Janar, 2024

Podujevë, 31 janar 2024

Me rastin e shënimit të përvjetorit të 27-të të rënies së Heroit të Kombit Zahir Pajaziti, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule, te Kompleksi Memorial “Kulla e Zahir Pajazitit”, në Orllan, të Podujevës.
Pas homazheve, te Kompleksi Memorial, kryeministri Kurti, i shoqëruar nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, nënkryetarja Saranda Bogujevci si dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, më pas vazhdoi në qytetin e Podujevës, për të bërë homazhe te shtatoret e heronjve Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës, Hakif Zejnullahut dhe Ilir Konushevcit, ku vendosën kurora me lule të freskëta, në nderim të jetës, veprës dhe flijimit të tyre për Kosovën.

I shoqëruar nga familjarët e heronjve dhe bashkëluftëtarë të tjerë, kryeministri Kurti, theksoi se me shumë mall e krenari i kujtojmë për punën, veprën, jetën dhe flijimin e tyre për Kosovën, për mbarë kombin shqiptar. Zahiri së bashku me bashkëluftëtarët e tij dhe heronjtë tjerë janë shembuj të atdhedashurisë.

“Sakrifica e tyre, është histori e Kosovës, mbi themelet e së cilës e ndërtojmë ardhmërinë tonë të ndritshme duke i kujtuar e rikujtuar ata për jetë e mot”, u shpreh kështu kryeministri Kurti.

Ai tha se Zahiri, Hakifi dhe Iliri ishin kushtrimi për luftë çlirimtare, aksionet para betejave, ishin ata që i dhanë hov të jashtëzakonshëm çlirimit të Kosovës, por njëkohësisht ishin ata që shtuan besimin e popullit dhe vetëbesimin brenda radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deklarata e plotë për media e Kryeministrit Kurti pas homazheve:

Sot u bënë 27 vjet nga rënia heroike e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës.
Ata ishin lufta para luftës, ata ishin aksionet para betejave, ata ishin kushtrimi për liri të popullit dhe çlirim të vendit.

Andaj edhe ne sot, me shumë mall e krenari i kujtojmë për punën, veprën, jetën dhe flijimin e tyre për Kosovën, për mbarë kombin shqiptar.

Zahiri, Hakifi dhe Iliri, i dhanë një hov të jashtëzakonshëm çlirimit të Kosovës, meqenëse në njërën anë ata e shtuan vetëbesimin brenda radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e në anën tjetër e shtuan edhe besimin e popullit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Sakrifica e tyre, është histori e Kosovës, mbi themelet e së cilës e ndërtojmë ardhmërinë tonë të ndritshme duke i kujtuar e rikujtuar ata për jetë e mot.

Lavdi Zahirit, Hakifit, Edmondit, Ilirit dhe të gjithë heronjve, dëshmorëve, e martirëve të kombit.

Last modified: 31 Janar, 2024

Comments are closed.

×